Zbulohet arsenal armësh në Manzë, arrestohet 20-vjeçari NULL NULL 19.07.2026 14:14 19.07.2026 14:14 Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Baza”, duke zbuluar një ambient që dyshohet se përdorej për ruajtjen e armëve dhe furnizimin e grupeve kriminale me armatim. Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi E. P., 20 vjeç, banues në Manzë. Në banesën e tij, efektivët gjetën dhe sekuestruan një arsenal armësh dhe municionesh, i përbërë nga katër pistoleta, një armë automatike model 56 (kallashnikov), një armë gjahu (shotgun), gjashtë krehëra, qindra fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, një targë automjeti italiane dhe një aparat celular, shkruan Euronews.al, transmeton klankosova.tv. Sipas Policisë, baza e zbuluar dyshohet se shërbente për furnizimin e grupeve kriminale me armë zjarri, ndërsa operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe në kuadër të goditjes së armëmbajtjes pa leje dhe parandalimit të ngjarjeve të rënda kriminale. Armët e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekspertimit në Institutin e Policisë Shkencore, për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale të mëparshme. Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.