Tronditet Gjermania: Burri sulmon me thikë gruan, ajo bie nga çatia NULL NULL 19.07.2026 13:53 19.07.2026 13:53 Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së shtunës qytetin e Saarbruckenit, ku një grua 30-vjeçare mbeti në gjendje kritike pasi u sulmua me një mjet prerës dhe më pas u rrëzua nga çatia e një ndërtese shumëkatëshe. Policia arrestoi në vendngjarje bashkëshortin e saj, 31 vjeç. Sipas hetimeve paraprake, ngjarja nisi pas një konflikti mes çiftit në banesën e tyre. Dyshohet se burri e sulmoi gruan fillimisht brenda apartamentit dhe më pas e ndoqi në çatinë e ndërtesës, ku ajo ishte përpjekur të largohej për t’i shpëtuar, shkruajnë mediat gjermane, transmeton Klankosova.tv. Rreth orës 21:00, një patrullë e Policisë së Saarbrucken-Burbach vuri re një person mbi çatinë e një pallati në lagjen Malstatt. Ndërsa një police monitoronte situatën nga rruga, dy kolegë të saj u ngjitën menjëherë drejt apartamentit, por nuk arritën të parandalonin tragjedinë. Gruaja u rrëzua disa metra poshtë dhe përfundoi në trotuar. Hetuesit dyshojnë se, para rrëzimit, 31-vjeçari e kishte sulmuar bashkëshorten me një mjet prerës edhe mbi çati. Shërbimet e emergjencës i dhanë ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas e transportuan me urgjencë në spital, ku ndodhet në gjendje të rëndë dhe me lëndime që rrezikojnë jetën. Gjatë incidentit, në banesë ndodhej edhe fëmija i mitur i çiftit. Pas ndërhyrjes së autoriteteve, ai iu dorëzua shërbimeve të mbrojtjes së fëmijëve për t’u kujdesur në një mjedis të sigurt. Pak më vonë, i dyshuari hapi derën e apartamentit dhe u arrestua pa bërë rezistencë. Policia sekuestroi në vendngjarje edhe një mjet prerës, i cili dyshohet se është përdorur gjatë sulmit. 31-vjeçari u ndalua në paraburgim dhe pritet të dalë para një gjyqtari hetues, ndërsa Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit. Në hetim janë përfshirë njësitë kriminale dhe ekspertët e vendit të ngjarjes, të cilët po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e incidentit dhe motivin e konfliktit.