17:44, 13 Dhjetor 2019

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë dakorduar që të nënshkruajnë marrëveshjen për të bashkëqeverisur duke i tejkaluara kështu të gjitha pengesat që e kanë penguar një gjë të tillë.

Sipas burimeve të Klan Kosovës, kryetari i Vetëvendosjes dhe njëherit kandidati për kryeministër Albin Kurti dhe ai i LDK-së Isa Mustafa janë marrë vesh që në parim ta bëjnë qeverinë e ardhshme të Kosovës me formulën e ndarjes së pushtetit gjysmë për gjysmë (50 me 50).

Sipas kësaj formule, në qeverinë e ardhshme me Albin Kurtin kryeministër që do t’i ketë 12 ministri, pesë ministri do t’i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje dhe pesë ministri do t’i takojnë LDK-së, ndërkohë që dy ministri do të jenë të rezervuara për pakicat – Ministria për Komunitete dhe Kthim si dhe Ministria e Kulturës.

Ministria për Komunitete dhe Kthim pritet t’i takojë komunitetit serb, derisa Ministria e Kulturës me shumë gjasë do të qeveriset nga komuniteti boshnjak, njofton Klan Kosova.

Në pajtimin e plotë mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së hyn edhe çështja ‘më e nxehtë’ në bisedimet e gjata mes këtyre dy partive që është posti i presidentit të shtetit.

Kjo për shkak se LDK-ja detyrimisht dhe në të gjitha format ka kërkuar që në ujdinë përfundimtare me Lëvizjen Vetëvendosje, ku kryeministër do të jetë Albin Kurti, ta ketë për vete postin e presidentit sepse siç dihet mandati i presidentit aktual Hashim Thaçi do të përfundojë në pranverën e vitit 2021.

Takimi mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, që ka nisur në orën 16:00, është duke vazhduar akoma.

Për ndryshim nga takimet e tjera kur janë takuar dy liderët, sonte pjesë e tavolinës së bisedimeve është edhe nënkryetarja e LDK-së Vjosa Osmani – që sipas të gjitha gjasave bazuar në parimet e marrëveshjes përfundimtare do ta mbajë postin e kryeparlamentares.

Para takimit, kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka qenë optimist – ashtu sikur edhe në takimin e të hënës së kaluar – duke thënë se po takohet me Albin Kurtin për të ardhë deri të marrëveshja, por nuk ka treguar nëse një gjë e tillë do të ndodhë sonte.

Konkurs Pune

Lexo më shumë