Policia arreston tre të rinj për tentativë grabitjeje ndaj një 70-vjeçari në Himarë NULL NULL 15.07.2026 13:11 15.07.2026 13:11 Foto nga Policia e Shqipërisë Policia e Himarës ka finalizuar operacionin e koduar “Shuma”, duke arrestuar tre të rinjë të dyshuar për një tentativë grabitjeje me dhunë ndaj një 70-vjeçari në fshatin Borsh. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shqipërisë, ngjarja ka ndodhur më 12 korrik, kur tre persona dyshohet se kanë hyrë në banesën e të moshuarit, e kanë mbajtur me forcë dhe e kanë kanosur me një imitues arme zjarri (pistoletë çakmak), me qëllim vjedhjen e një shume parash, transmeton Klankosova.tv. Pas veprimeve intensive hetimore dhe operacionale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë identifikuan, lokalizuan dhe arrestuan shtetasit E. Xh., 25 vjeç, banues në Selenicë, K. T., 23 vjeç, banues në Vlorë, dhe A. C., 19 vjeç, banues në Vlorë. Policia bën me dije se gjatë verifikimeve rezultoi se 19-vjeçari A. C. kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar më herët nga gjykata për vepra penale në fushën e narkotikëve. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se tre të dyshuarit kishin mbajtur në vëzhgim banesën e 70-vjeçarit për dy ditë përpara ngjarjes dhe kishin marrë me qira një automjet tip “Mercedes-Benz”, i cili është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.