Avdyli: Serbia po i arreston shqiptarët me lloj-lloj arsyesh, mos kaloni andej NULL NULL 21.07.2026 14:07 21.07.2026 14:07 Gazetari Arientin Avdyli ka deklaruar se kanë pranuar ankesa nga qytetarë shqiptarë të cilët janë ndaluar në kufirin me Serbinë. Në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, Avdyli tha se një qytetar është dënuar me 500 euro, ndërsa një tjetër me 4 mijë euro, pasi në telefonat e tyre janë gjetur fotografi me stema të UÇK-së. “Para javës së kaluar kemi pranuar thirrje telefonike nga një qytetar, i cili në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë është dënuar me 500 euro, ndërsa një tjetër me 4 mijë euro, pasi në telefon u janë gjetur fotografi me stema të UÇK-së. Njëri prej tyre kishte një fotografi ku shihej duke gjuajtur me kallash, por ai nuk ka qenë pjesëtar i UÇK-së. Pra, këtu nuk është vetëm çështja nëse janë veteranë të rrejshëm apo jo. Në shumicën e rasteve, Serbia po i arreston shqiptarët për arsye të ndryshme”, tha Avdyli. Ai foli edhe për rastin e fundit të një qytetari, i cili fillimisht ishte arrestuar nën dyshimin se ishte pjesëtar i UÇK-së, por më pas, sipas tij, ishte konfirmuar se nuk kishte qenë pjesëtar. “Në rastin e fundit të qytetarit, fillimisht është arrestuar si pjesëtar i UÇK-së, por më pas është konfirmuar se nuk ka qenë pjesëtar, pasi edhe familja e tij e ka dëshmuar një gjë të tillë. Më pas ka dalë një tjetër akuzë se babai i tij dyshohet se ka vrarë një serb para rreth 10 vitesh”, u shpreh ai. Avdyli apeloi qytetarët që të kenë kujdes gjatë udhëtimeve përmes Serbisë, duke thënë se kursimi i disa dhjetëra eurove mund të sjellë pasoja më të mëdha. “Nuk është mirë të kalojnë përmes Serbisë vetëm për të kursyer disa dhjetëra euro, sepse një udhëtim i tillë mund t’u kushtojë shumë më shtrenjtë. Në këtë rast, njërit i ka kushtuar 500 euro, tjetrit 4 mijë euro, ndërsa një tjetër është ende i arrestuar”, tha Arientin Avdyli në “Kosova Today” në Klan Kosova.