Borxhi për tatuazh: Shqiptari dënohet përjetë, vrau shokun e burgut NULL NULL 21.07.2026 17:29 21.07.2026 17:29 Një gjykatë në Gjermani ka dënuar me burgim të përjetshëm një 43-vjeçar shqiptar për vrasjen e një të burgosuri tjetër në Burgun e Straubingut. Gjykata e shpalli fajtor për vrasje të kryer nga lakmia, ndërsa konstatoi edhe rëndësinë e fajit, çka e bën shumë më të vështirë lirimin e tij të parakohshëm, derisa vendimi ende nuk ka marrë formë të prerë. Ngjarja kishte ndodhur në vitin 2024. I akuzuari kishte hyrë në qelinë e viktimës, të cilin e sulmoi me grushte, duke e rrëzuar në tokë dhe për pasojë i burgosuri u përplas me kokë në radiator. Më pas, 43-vjeçari akuzohet se i dha të paktën edhe dy shqelma në kokë, para se të largohej nga qelia. Rreth tre minuta më vonë, një tjetër i burgosur e gjeti viktimën të plagosur rëndë. Ai u dërgua në spital, ku ra në koma dhe nuk u zgjua më. I njëjti vdiq në fillim të këtij viti, si pasojë e plagëve të marra nga sulmi, transmeton Klankosova.tv. Sipas hetimeve, motivi i krimit lidhej me një tatuazh që viktima ia kishte bërë autorit. 43-vjeçari i kishte mbetur borxh për këtë shërbim dhe, sipas prokurorisë, e vrau për të shmangur pagesën e detyrimit. I dënuari po vuan tashmë edhe një dënim tjetër me burgim për tentativë vrasjeje. Ai ishte dënuar nga Gjykata Rajonale e Mynihut I, pasi në vitin 2021 kishte sulmuar ish-të dashurën e tij me dhjetëra goditje me thikë.