Kosova u jep kontrata publike kompanive serbe (VIDEO) NULL NULL 21.07.2026 19:42 21.07.2026 19:42 Derisa në diskursin politik flitet vazhdimisht për reciprocitet me Serbinë, dokumentet e prokurimit publik tregojnë një pamje krejt tjetër. Hulumtimi i KIKS Kosova ka identifikuar dhjetëra kontrata dhe procedura ku kompani nga Serbia, degë të tyre në Kosovë apo operatorë ekonomikë kosovarë që furnizohen nga prodhues serbë, kanë përfituar fonde nga buxheti i Republikës së Kosovës. Raste të tilla janë identifikuar në institucione qendrore, ndërmarrje publike dhe sektorin shëndetësor. Dokumentet tregojnë se Posta e Kosovës, Korporata Energjetike e Kosovës dhe Dogana e Kosovës kanë lidhur kontrata me kompani që kanë seli ose kompani amë në Beograd. Në disa raste procedurat janë zhvilluar edhe pa garë të hapur, ndërsa kontratat kanë qenë për mirëmbajtje të pajisjeve, shërbime teknike dhe furnizime të specializuara. Në sektorin e shëndetësisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) kanë kontraktuar operatorë ekonomikë vendorë për furnizim me barna, ku prodhues figurojnë kompani farmaceutike serbe si “Hemofarm”, “Galenika” dhe “Etanol Lab Duo”. Një rast i veçantë është edhe Trepça- Ndërmarrje në Administrim të AKP-së. Hulumtimi ka gjetur kontrata të lidhura me kompani nga Serbia për monitorim teknik, punime minerare dhe furnizim me pjesë industriale. Këto procedura janë zhvilluar sipas Ligjit të Prokurimit Publik të Kosovës, ndonëse bëhet fjalë për një ndërmarrje që funksionon nën juridiksionin e Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës thonë se bizneset kosovare nuk kanë mundësi reale të marrin pjesë në tenderët publikë të Serbisë, pasi autoritetet serbe nuk njohin dokumentet e Republikës së Kosovës dhe vendosin pengesa administrative. Andaj kanë kërkuar nga Qeveria që çështjen ta adresojë në dialogun e Brukselit, madje të vendosë reciprocitet. Sipas tyre, kjo situatë krijon një pabarazi të qartë në qasjen ndaj tregut publik. Ndërkohë, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) sqaron se ligji në Kosovë nuk parasheh ndalesë të përgjithshme për pjesëmarrjen e kompanive serbe në tenderë, përveç rasteve të kufizuara që lidhen me sigurinë kibernetike. Ndiqni kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova për këtë çështje: Ndiqeni emisionin e plotë: