Si të definohet suksesi në zgjedhje? (II) 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 05.06.2026 09:35 05.06.2026 09:35 Edhe në rastin e PDK-së, shfaqet një e panjohur e njohur (si u definua tashmë), e cila ka të bëjë me ndikimin që në rezultatin final zgjedhor do të mund të sjell përkrahja publike e Fatmir Limajt dhe e partisë së tij ‘Nisma për Socialdemokraci’ për PDK-në, edhe pse, siç dihet, Limaj dhe askush tjetër nga ky subjekt nuk u përfshi në Listën e kandidatëve për deputetë të kësaj partie. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar, ‘Nisma për Socialdemokraci’ nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor prej 5%, duke marrë diç më shumë se 15 mijë vota. Është vështirë të pritet që të gjithë këta votues të partisë së Limajt do ta votojnë PDK-në, edhe përkundër një fushate të tij për t’i bindur ata që duhet dhënë përkrahjen kësaj partie, në të cilën edhe ashtu pritet të kthehet ky me mbështetësit e tij. Megjithatë, nëse votuesit e deridjeshëm të ‘Nismës për Socialdemokraci’, do ta dëgjojnë në masë të madhe kryetarin e tyre, atëherë PDK do të mund të ngjitet në atë kufirin prej 200 mijë votash, dhe së paku sa i përket votës fizike, ta shënojë rezultatin më të mirë elektoral që nga viti 2014, kur PDK pati marrë mbi 222 mijë vota, apo 37 deputetë, duke dalë kështu për herë të fundit fituese në zgjedhje. Ajo çfarë ndodhi tri vite më pas me Koalicionin PAN, që prihej nga PDK, kur ky koalicion doli formalisht ngadhënjyes në zgjedhje, nuk ka si t’i atribuohet si fitore e PDK-së. Dihet pse. PDK në dy palë zgjedhjet e vitit 2025, kur Bedri Hamza ishte kandidat i saj për postin e Kryeministrit (njëlloj siç është edhe tash, në zgjedhjet e 7 qershorit), mori një herë 24 mandate (në shkurtin e vitit të kaluar), dhe pastaj, ra në 22 deputetë (në dhjetorin e vitit 2025). PDK pra pësoi një rënie të lehtë në harkun kohor prej dhjetë muajsh e pak më shumë, gjë që nuk ishte ogur i mirë për këtë parti. Për PDK-në, në rrethanat e tanishme parazgjedhore, suksesi elektoral duket se përbëhet prej dy elementeve shumë të rëndësishme: Për PDK-në ka rëndësi jetike që ajo të mbetet partia e dytë në renditjen zgjedhore, dhe që të fitojë së paku 25 mandate në Kuvendin e Kosovës, duke shënuar kështu një avancim të lehtë krahasuar me zgjedhjet e shkurtit të vitit të kaluar. Në të vërtetë, PDK e pati mbërri numrin prej 25 deputetëve në Kuvend me votat e siguruara në Kosovë në zgjedhjet e 9 shkurtit. Por rezultati i dobët tek votuesit e mërgatës pati bërë që ta humb një deputet në përbërjen e legjislaturës së nëntë. Në fund të kësaj analize që përpiqet të përgjigjet në pyetjen se si definohet suksesi i subjekteve që marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit, shfaqet partia ‘Vetëvendosje’ e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit. Kjo parti që prej vitit 2021, më masë të madhe është në garë me vetveten, kur flitet për numrat, përqindjet dhe mandatet, e jo me partitë e tjera të skenës politike të Kosovës. Nuk ka kush në politikën dhe mediat kosovare që konteston fitoren e pestë me radhë zgjedhore të këtij subjekti, në periudhën prej vitit 2019 e këndej. Diçka e tillë është e paprecedent në historikun e demokracisë parlamentare në Kosovës. LDK i ka fituar dy palë zgjedhje, PDK ka fituar tri herë, teksa ‘Vetëvendosje’ katër herë. U tha tashmë që ato zgjedhjet e vitit 2017 nuk kanë prodhuar fitues të njëmendtë. Statistika në këtë aspekt duket se është e parëndësishme. Në rastin e ‘Vetëvendosjes’, nëse këtu së pari ndalemi te e panjohura e saj elektorale, ajo përkon me numrin e votuesve nga Mërgata që do të votojnë për te. Është e pamundur të përsëritet ajo vala e zgjedhjeve të 28 dhjetorit të vitit të kaluar, kur pushimet e fundit të vitit u përputhën me datën e zgjedhjeve. Supozohet që deri në 16% të votuesve në Kosovë patën ardhur nga shtetet e Perëndimit ku shqiptarët e Kosovës jetojnë dhe punojnë. Por, numri i qytetarëve tonë që jetojnë jashtë, e që u regjistruan për të votuar me postë apo në përfaqësitë diplomatike është më i madh se në dy palë zgjedhjet e kaluara. Në tri palë zgjedhjet e fundit parlamentare, ‘Vetëvendosje’ e Albin Kurtit ka marrë 58 mandate, (në vitin 2021), 48 mandate (në shkurtin e vitit të kaluar), dhe 57 mandate (në dhjetorin e vitit të shkuar). Herën e fundit madje u arrit një rekord sa i përket përqindjes së votës (51.1%), dhe vetë votës fizike (487 077 vota). Suksesi absolut për Kurtin dhe ‘Vetëvendosjen’ do të nënkuptonte që ky subjekt ta tejkalonte këtë rekordin e dhjetorit të vitit të kaluar dhe të merrte mbi 57 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Zaten, këto janë edhe synimet e Kryeministrit në detyrë Albin Kurtit dhe të subjektit të tij. Megjithatë, me këtë cilësorin e suksesit zgjedhor do të mund të vlerësohej rezultati elektoral i ‘Vetëvendosjes’ i cili do të gravitonte në atë zonën në mes të këtyre dy rezultateve të fundit, apo, midis 48 dhe 57 deputetë. Në fakt, për Kurtin, do të kishe rëndësi strategjike, nëse ‘Vetëvendosje’ do të sigurojë 52 mandate (a më tepër), në legjislaturën e njëmbëdhjetë të Kosovës. Me nëntë deputetët të komuniteteve pakicë që kanë qenë partnerë të ‘Vetëvendosjes’ pas zgjedhjeve të kaluara, kjo parti do të mund të sigurojë atë shumicën e domosdoshme parlamentare për ta krijuar Qeverinë e re të Kosovës, teksa puna e Presidentit të Kosovës, siç dihet, është temë krejtësisht tjetër.