‘Nikli’ e ndali Dritën por jo edhe Ferizajin NULL NULL 25.10.2024 17:24 25.10.2024 17:24 Skuadra e Ferizajit ka arkëtuar tri pikë shumë të rëndësishme në udhëtim te Feronikeli’74. Skuadra nga Drenasi u mposht 0-1 në shtëpi, në ndeshjen që e hapi xhiron e dhjetë të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll. Realizator i vetëm në këtë ballafaqim rezultoi të jetë Abdeen Abdul, i cili e konkretizoi penalltinë, raporton Klankosova.tv. “Nikli” që javën e kaluar barazoi pa gola me Dritën, nuk arriti dot që të vazhdojë me seri pozitive, duke mbetur kështu në vendin e fundit me vetëm dy pikë. Nga ana tjetër, ferizajasit tashmë do të rrinë të qetë (të paktën këtë vikend), pasi me 13 pikë të grumbulluara, gjenden në pozitën e shtatë, mbi Gjilanin dhe Dukagjinin që kanë nga 9 pikë, njofton Klankosova.tv. E pikërisht këto dy skuadra do t’i zhvillojnë nesër ndeshjet e radhës. Gjilani e pret Llapin, kurse te Dukagjini në Klinë udhëton kampioni aktual i Kosovës, Ballkani. Derbi i kësaj xhiro zhvillohet të dielen në stadiumin “Liman Gegaj” ku Malisheva është nikoqire e Dritës. Po këtë ditë luhet edhe ndeshja ndërmjet Suharekës dhe Prishtinës. Të gjitha takimet fillojnë në orën 13:00 dhe transmetohet ekskluzivisht në platformën gjigante, Art Motion. Ndërkohë dueli ndërmjet Dukagjinit dhe Ballkanit do të shfaqet direkt edhe në televizionin numër një, Klan Kosova.