“Ka futur thikat mes vëllezërve”, Gjocaj shpërthen ndaj Kurtit (VIDEO) NULL NULL 16.06.2026 23:47 16.06.2026 23:47 Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës, Shpend Gjocaj. Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës, Shpend Gjocaj, sonte në “Edicionin Special” në Klan Kosova ka folur për reagimin e tij të fundit në rrjetet sociale, i cili bëri bujë të madhe. Ai tregoi se reagimi erdhi në një moment të rëndë emocional, pasi kishte shoqëruar vëllanë e tij, i cili e kishte humbur dorën gjatë luftës, në një proces përzgjedhjeje të protezës. “Reagova sepse vëllai im, i cili e ka humbur dorën në luftë, dje kishte një matje të fundit të një proteze dhe unë shkova ta shoqëroj aty, nja 120 km larg nga këtu. Në momentin kur, pas tre-katër orësh matjesh të ndryshme e praktikash të tjera, erdhëm te momenti final që të përcaktohej proteza, ishin disa proteza aty të ngjashme, por kishte detaje të vogla që kalonin nga njëra-tjetra”. “Unë fillova të mendoj ndryshe nga vëllai për përcaktimin e protezës dhe në momentin që e pashë që s’po mendonim njëjtë, mendova se është më mirë të dal jashtë e të vendosë ai vetë, sepse proteza është për të dhe i thash edhe mjekut, edhe vëllait: “Unë po dal sepse nuk duhet të jem pjesë e vendimit”, tha ai. Gjocaj u shpreh se përjetoi emocione të forta kur e pa vëllanë e tij teksa me dorën e djathtë shkroi emrin e tij në një letër. “Isha tepër në emocion sepse, pas 28 vitesh, edhe vëllai e pa veten, por edhe unë e pashë vëllanë kur me dorën e djathtë, kapi një faculetë e shkroi emrin e vet në një letër, na ktheu mbrapa qysh para lufte, gjatë luftës, pas luftës dhe deri te momenti i protezës”. Sipas Gjocajt, menjëherë pasi doli jashtë, hapi Facebookun dhe u përball me komente fyese, gjë që ndikoi në reagimin e tij. “Dola jashtë, isha në një luftë emocionale dhe hapa Facebookun. Sapo e hapa, u ballafaqova me sharje e fyerje dhe ishte mbushur kupa dhe reagova menjëherë. Reagimi ishte emocional, ishte pak i shpejtë, por në esencë nuk do të ndryshoja asgjë. Ndoshta, po të isha më i qetë, do të kisha kujdes në intonacion dhe ndonjë fjalë aty-këtu, por në esencë nuk do të ndryshoja asgjë, sepse kjo është një politikë e qelbur që e ka mbjellë klasa politike në Kosovë”. Gjocaj kritikoi ashpër kulturën politike në vend, duke thënë se përçarjet dhe gjuha e urrejtjes janë nxitur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti. “Që kur ka ardhur kjo klasë politike, përçarja është futur, siç e dini epitete të ndryshme, linçime, sharje e fyerje, i ka futur kjo klasë politike, konkretisht, Albin Kurti i ka futur thikat edhe në mes vëllezërve, unë njoh shumë familje ku vëllezërit sot janë të përçarë shkaku i politikës dhe i politikave të tij të ndyra e joshjeve të tij të pista”, deklaroi ai./Klankosova.tv