Mbahet testi kualifikues i kandidatëve për prokurorë NULL NULL 30.08.2025 21:31 30.08.2025 21:31 Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka organizuar sot mbajtjen e testit kualifikues, si fazë e përcaktuar në kuadër të procedurave të rekrutimit dhe emërimit të 21 prokurorëve të rinj në prokuroritë themelore të Kosovës. Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se testi është zhvilluar në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, në Vushtrri. Në këtë test morën pjesë gjithsej 330 kandidatë, transmeton Klankosova.tv. “Në respektim të parimit të transparencës, llogaridhënies dhe barazisë në qasje, pyetjet e Testit Kualifikues janë hartuar sot, në ditën e testimit, në prani të vëzhguesve dhe monitoruesve vendorë e ndërkombëtarë, me qëllim të garantimit të integritetit dhe besueshmërisë së procesit të rekrutimit”, thuhet në njoftim. KPK shton se mbajtja dhe administrimi i testit kualifikues është mbikëqyrur personalisht nga kryesuesi i Komisionit, Ardian Hajdaraj, i shoqëruar nga anëtarët e tjerë të këtij Komisioni. Procesi është vëzhguar dhe monitoruar gjithashtu edhe nga përfaqësues të partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD). Pas përfundimit të këtij testi, procesi i rekrutimit do të vazhdojë me fazat e tjera të parapara, përkatësisht me testin me shkrim dhe intervistimin e kandidatëve, “duke u zhvilluar në përputhje me standardet më të avancuara të meritokracisë, profesionalizmit dhe paanësisë, të garantuara me legjislacionin përkatës dhe praktikat më të mira ndërkombëtare në fushën e prokurorisë”. /Klankosova.tv