Shqipëria i përgjigjet Vuçiqit: Retorika nacionaliste s’mund ta tërheqë zvarrë rajonin NULL NULL 27.07.2026 22:29 27.07.2026 22:29 Deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, se Kosova është pjesë e Serbisë, dhe të ministres së tij, Snezhana Paunoviç, për spastrimin etnik të Kosovës, janë dënuar ashpër nga ministri i Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha. Në një konferencë nga Tirana me homologun e Kroacisë, shefi i diplomacisë shqiptare ka deklaruar se retorika nacionaliste s’mund ta tërheqë zvarrë rajonin. “Theksuam rëndësinë e veçantë të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky proces nuk mund të ndërtohet mbi revizionizmin historik, mohimin e fakteve, lartësimin e kriminelëve të luftës apo përmes retorikave nacionaliste, përçarëse dhe deklaratave të papranueshme që relativizojnë, justifikojnë ose u japin jehonë krimeve të luftës dhe politikave të dënuara si nga drejtësia ndërkombëtare, ashtu edhe nga ndërgjegjja njerëzore”, ka deklaruar Hoxha. Ministri Hoxha iu përgjigj drejtpërdrejt deklaratave të Vuçiç për marrëveshjen ushtarake mes Tiranës, Zagrebit dhe Prishtinës. “Çdo angazhim i yni, koordinim dypalësh, tripalësh apo më shumë nuk duhet të shqetësojë askënd e as të përdoret nga askush, në rajon apo jashtë tij, për të justifikuar militarizimin e vendit e shoqërisë e aq më pak për t’i fryrë zjarreve të rrezikshme të luftërave dhe për të rikthyer thirrjet arkaike për fitore e përkatësi territoriale. Asnjë përpjekje për të ringjallur ndasitë e së kaluarës, për të ushqyer tensione apo për të penguar proceset e pajtimit dhe bashkëpunimit nuk do të mund ta tërheqë zvarrë rajonin dhe as të cenojë të ardhmen tonë të përbashkët evropiane”, ka thënë Hoxha. Marrëveshja trepalëshe e sulmuar shumë nga Serbia u komentua dhe nga ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grlić-Radman, i cili foli për thellim të bashkëpunimit rajonal, por edhe mes dy vendeve mike.