LIVE| Edhe 1 orë deri te publikimi i Exit Pollit të Klan Kosovës (VIDEO) NULL NULL 07.06.2026 12:15 07.06.2026 12:15 Pas pak mbyllen vendvotimet në gjithë Kosovën, andaj kanë mbetur vetëm pak minuta deri në publikimin ekskluziv të Exit Poll-it nga Klan Kosova. Qytetarët e Kosovës i janë drejtuar sot, më 7 qershor, kutive të votimit për zgjedhjet e nivelit nacional, duke shënuar procesin e tretë zgjedhor parlamentar brenda një periudhe prej 16 muajsh. Pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit 2025, vendi organizon sërish zgjedhje për Kuvendin e Kosovës. Ky proces vjen pas dështimit për të arritur konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit të vendit. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), këto janë zgjedhjet e 11-ta në nivel nacional që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Të drejtën e votës në këto zgjedhje e kanë 2.092.174 qytetarë, përfshirë diasporën ose 15.884 më shumë krahasuar me zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025. Votimi brenda Kosovës organizohet në 949 qendra votimi me 2.550 vendvotime. 18:38 – Prishi votën pasi nuk iu lejua asistenca për nënën, deçanasi revoltohet me shtetin (VIDEO) Në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në Deçan, një qytetar nuk mundi t’i dilte në ndihmë nënës së tij për të votuar. I njëjti, për Klan Kosova tha se pavarësisht se kishte raportin mjekësor për nënë e tij, ai pretendon se asistenca nuk iu lejua nga ana e vëzhgueseve, transmeton Klankosova.tv. “Jemi ardh në atë shkallë sa po bëjnë hajgare me neve. Në zgjedhjet paraprake nuk ka qenë situata e njëjtë. Para gjashtë muajve veç kam shku e kam marr raportin e mjekut dhe nuk kam pasur problem. Kur shkova sot, u çuan automatikisht që nuk bën, andej këndej. Në atë moment jam acaruar, dhe e kam prishur votën”, u shpreh qytetari. 18:35 – Vushtrriasi gjen letër me numra partie në kabinën e votimit Një qytetar që ushtroi të drejtën e votës në shkollën “Mustafë Venhari” në Vushtrri, ka shprehur shqetësimin se në kabinën e votimit është lënë një letër që sipas tij, orienton votuesit kë të votojnë. Ai tha për Klan Kosova se letrën me numrin e një subjekti politik dhe disa numra, e kanë gjetur edhe familjarët e tij, që kanë votuar po aty. Megjithatë, kryetari i KKZ-së në Vushtrri, konfirmoi për Klan Kosova, se letra është harruar nga një qytetar, transmeton Klankosova.tv. Sipas tij, kjo nuk mund të quhet parregullsi e as ankesë, edhe pse komisionerët e kanë për obligim që kabinat e votimit t’i kontrollojnë pasi të lirohen nga secili votues. /Klankosova.tv 18:35 – Mbi 600 të burgosur ushtrojnë të drejtën për të votuar Procesi i votimit për zgjedhjet nacionale është zhvilluar në të gjitha institucionet korrektuese në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet e përcaktuara për realizimin e të drejtës së votës së personave të privuar nga liria. Kështu tha zëdhënësi i ShKK-së, Florent Gashi, i cili shtoi se sipas të dhënave të Qendrës Operative të këtij institucioni, gjithsej 1,509 të burgosur kanë pasur të drejtë vote, ndërsa nga ky numër, kanë votuar 653 të burgosur. Ai tha se ShKK, në koordinim me KQZ-në, ka ndërmarrë të gjitha masat organizative, operative dhe të sigurisë për të mundësuar zhvillimin e procesit zgjedhor në mënyrë të rregullt, transparente dhe të sigurt brenda institucioneve korrektuese. “Procesi i votimit është zhvilluar pa incidente dhe pa pengesa, duke garantuar respektimin e të drejtave ligjore të të burgosurve që gëzojnë të drejtën e votës”, tha Gashi. 18:28 – Dy të arrestuarit në Gorazhdec të Pejës, dyshohet se ndikuan në favor të një partie serbe Dy persona janë arrestuar në Gorazhdec të Pejës nën dyshimin se kanë tentuar të ndikojnë në vullnetin e lirë të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor, duke i orientuar ata të votojnë për një subjekt politik serb. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se aksioni është zhvilluar në kuadër të angazhimeve për mbrojtjen e rendit kushtetues, ligjshmërisë dhe integritetit të procesit zgjedhor në vend. Sipas Policisë, Drejtoria Rajonale në Pejë më 7 qershor 2026 ka pranuar informacione që lidhen me aktivitete të dyshuara të kundërligjshme në fshatin Gorazhdec. “Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, me datë 07.06.2026, ka pranuar një informacion që ndërlidhet me dyshimet për aktivitete të kundërligjshme, me qëllim të ndikimit në vullnetin e lirë të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor, i cili dyshohet se ka ndodhur konkretisht në fshatin Gorazhdec-Pejë, për të orientuar dhe ndikuar te qytetarët që të votojnë Listën Serbe”, thuhet në njoftimin e Policisë transmeton Klankosova.tv. Pas pranimit të informatave, njësitë relevante policore kanë ndërmarrë veprime operative në terren, duke realizuar bastisje dhe arrestuar dy persona të nacionalitetit serb, të cilët dyshohen për përfshirje në këtë rast. “Bazuar në këtë informacion, njësitë relevante policore kanë ndërmarrë veprime konkrete, ku kanë kryer bastisje dhe kanë hasur dy persona meshkuj kosovarë të nacionalitetit serb, të cilët dyshohet se janë përfshirë në rast. Të njëjtit janë arrestuar dhe janë intervistuar nga hetuesit rajonalë”, njofton Policia. Autoritetet theksojnë se ndërhyrjet dhe ushtrimi i ndikimit në procese zgjedhore përbëjnë rrezik serioz për demokracinë dhe institucionet e vendit. “Ndërhyrjet dhe ushtrimi i ndikimit në zgjedhje paraqesin kërcënim serioz për demokracinë, pavarësinë dhe vullnetin e lirë të qytetarëve. Veprimet policore dhe bashkëpunimi ndërinstitucional dëshmojnë përpjekjet aktive dhe vendosmërinë për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor dhe për të luftuar çdo përpjekje për të ndikuar në mënyrë të kundërligjshme në vullnetin e lirë të votuesve”, thuhet më tej në komunikatë. Organet e rendit bëjnë të ditur se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me organet e drejtësisë, ndërsa me vendim të prokurorit të shtetit, dy të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Në fund, Policia thotë se iu ka bërë thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e votës pa presion dhe të raportojnë çdo parregullsi apo tentativë për ndikim të kundërligjshëm. “Policia e Kosovës vazhdon t’u bëjë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, gjuhe, përkatësie politike apo bindjeje personale, që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës lirshëm e pa presion dhe për çdo rast të njoftojnë institucionet kompetente dhe Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftim. 18:21 – DnV: Dalje e ulët e qytetarëve në votime, 10% më e ulët se në zgjedhjet e vitit 2025 Dy orë para mbylljes së vendvotimeve, të dhënat e “Demokracia në Veprim” tregojnë që interesimi i qytetarëve për të votuar është i ulët, ndërsa procesi në përgjithësi po rrjedhë i qetë. Dalja në votime, sipas vëzhguesve të DnV-së, deri në orën 17:00 është rreth 29 për qind. Sa për krahasim, dalja në votime në kohën e njëjtë në dy palë zgjedhjet e kaluara parlamentare të mbajtura gjatë 2025 ishte rreth 39%, pra 10% më e lartë, transmeton Klankosova.tv. Regjionet me dalje më të madhe, sipas të dhënave të DnV-së, janë komunat me shumicë serbe (42%), pasuar nga rajoni i Prishtinës ku dalja është 33%. Dalje më e vogël në zgjedhje është regjistruar në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit, 23% respektivisht 24%. Parregullsitë më të shprehura -Vështirësitë e votuesve në gjetjen e vendvotimit Edhe në pjesën e dytë të ditës, sipas njoftimit të DnV-së, ka pasur mjaft raste kur votuesit janë gjendur në vendvotime joadekuate. Nga hapja e vendvotimeve deri në orën 17:00, këto vështirësi janë raportuar në 65% të vendvotimeve, me deri në 10 raste. Në rajonin e Prishtinës dhe Pejës kjo dukuri ka qenë e shprehur edhe deri në 30 raste (në 12% të vendvotimeve). -Votimi me asistencë Trendi i votimit me asistencë që nga mëngjesi ka mbetur përgjithësisht i njëjtë, pra 0.2%, ndonëse është i përhapur në 55% të vendvotimeve. Rreth 78% të këtyre rasteve lidhen me asistimin e votueseve gra. Votimi me asistencë nuk po evidentohet në 6% të vendvotimeve, deri në 10 raste. Komisionerët në mbi 65% të vendvotimeve kanë vazhduar të kërkojnë dokumente mjekësore nga të gjithë qytetarët që kanë kërkuar të votojnë me ndihmën e dikujt tjetër. Për me tepër, në 45% të vendvotimeve nuk kanë lejuar që të votohet me asistencë pa dokumente mjekësore, përkundër insistimit të votuesve, sidomos në Prishtinë. -Votimi me dokumente të pavlefshme Deri në orën 17:00, raste të votimit me dokumente me afat të skaduar janë hasur në 25% të vendvotimeve, deri në 4 raste. -Fotografimi i votës Deri në orën 17:00, raste të fotografimit të votës kanë qenë gjithsej 25, të hasura në 4% të vendvotimeve. -Incidentet serioze Është raportuar edhe për disa incidente që kanë të bëjnë me tentime për të votuar në emër të familjarëve të tyre, por që të gjitha janë trajtuar nga policia në mënyrë profesionale. “Tani kur kanë mbetur edhe dy orë deri në mbyllje të vendvotimeve, DnV u bën thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar. Pjesëmarrja në zgjedhje përveç që është e drejtë themelore, është edhe përgjegjësi dhe mjet i fuqishëm për të ndikuar në drejtimin e qeverisjes së vendit”, thuhet në njoftim. 18:15 – Kosova përveç zgjedhjeve, sonte luan edhe futboll (VIDEO) Shteti i Kosovës aktualisht është në proces të votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Por, përveç kësaj, sonte Kosova do të ketë edhe një angazhim tjetër – Dardanët do të përballen në një ndeshje miqësore. Kombëtarja e Kosovës do të përballet me atë të Andorrës, nga ora 20:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Gazetari i Klan Kosova, Lutrim Islami, raportoi nga selia e tifozëve Dardanë, ku ka folur Lik Berisha, anëtar i këtij tifo-grupi, i cili tha se interesimi për të shikuar ndeshjen miqësore, është i ulët. “Kjo puna e zgjedhjeve, pak ndoshta e ka dëmtu edhe interesimin te njerëzit për lojën. Ndoshta edhe që vijmë pas një loje të humbur me Turqinë, është njëfarë dëshpërimi pak te popullata. Por ne si Dardanë kemi me qenë pjesë dhe me përkrahë Kosovën, pavarësisht rëndësisë së ndeshjes, a është miqësore apo kualifikuese. Vetëm kisha dashtë me cekë se kjo duhet me kanë pak mësim edhe per neve si tifogrup por edhe për krejt ata që po kanë të drejtë të biletave, domethanë biletat me shku te tifozët dhe Kosova duhet me u përkrahë në secilën ndeshje, e jo veç kur po na vijnë kombëtare të mëdha”, ka thënë Berisha. 18:14 – Këtu mund t’i përcillni rezultatet preliminare dhe daljen në zgjedhje Linku i platformës elektronike për publikimin e rezultateve preliminare dhe statistikave për pjesëmarrjen në votime për çdo komunë, qendër votimi dhe vendvotim në zgjedhjet e parakohshme është publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka dhënë detaje përmes një postimi në Facebook. “Në këtë platformë do të publikohen të dhëna për pjesëmarrjen e votuesve në votime në gjashtë orare (09:00; 11:00; 13:00; 15:00; 17:00 dhe 19:00) nga Qendrat e Votimit dhe rezultatet preliminare të subjekteve politike pas numërimit të fletëvotimeve në vendvotime”. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve të subjekteve politike të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës bëhet në vendvotim, pasi të përfundojë procesi i votimit, ndërkaq, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë bëhet në Qendra Komunale të Numërimit”, shkroi ai, njofton Klankosova.tv. https://resultsparliamentary2026.kqz-ks.org/turnout 18:11 – Ambasada britanike inkurajon pjesëmarrjen në zgjedhje: Ende ka kohë për të votuar Ambasada britanike në Kosovë ka inkurajuar qytetarët që të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar. Përmes një deklarate, ambasada ka bërë të ditur se ekipet e saj kanë vëzhguar procesin e votimit në zona të ndryshme të Kosovës. “Ekipet e ambasadës sonë kanë vëzhguar zgjedhjet sot në pjesë të ndryshme të Kosovës. Është mirë të shohësh votuesit në Kosovë duke i ushtruar të drejtat e tyre demokratike”, thuhet në deklaratë. Tutje, Ambasada ka theksuar se ende ka kohë për të votuar, duke u bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë këtë të drejtë. “Ende ka kohë të dalësh dhe të votosh, prandaj i inkurajojmë të gjithë të përdorin të drejtën e tyre demokratike për të zgjedhur ata që besojnë se do t’i përfaqësojnë më së miri interesat e tyre në Kuvendin e Kosovës”, thuhet më tej në reagim./Klankosova.tv 18:10 – Dy çifte u kapën duke votuar në të njëjtën kabinë në Mamushë (VIDEO) Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi ka bërë të ditur se procesi zgjedhor në këtë qytet, kryesisht ka pasur ecuri të mirë. Megjithatë, për Klan Kosova ai tha se ka pasur disa incidente të regjistruara në Mamushë, në Suharekë e në Jabllanicë, transmeton Klankosova.tv. Siç bëri të ditur Bytyqi, në Mamushë dy çifte u kapën duke votuar në kabinën e njëjtë, ndërsa në Suharekë një qytetar shprehu revoltë pasi nuk iu lejua asistenca te prindi i tij. 18:00 – Interesim i ulët i votuesve në Ferizaj, gazetarja Gashi jep detaje Pavarësisht se shkolla fillore “Ahmet Hoxha” në Ferizaj është një nga qendra më të mëdha të votimit, numri i votueseve është relativisht i ulët. Kështu ka raportuar gazetarja e Klan Kosovës, Gentiana Gashi, e cila tha se në këtë qendër votimi janë të regjistruar rreth 8 mijë votues, e të drejtën e votës, sipas gazetares, e ushtruan mbi 2 mijë qytetarë, transmeton Klankosova.tv. “Nga bisedat që kemi pasur me koordinatorët e qendrës së votimit, na kanë treguar se komuniteti shqiptar nuk ka shprehur shumë interesim për të shfrytëzuar të drejtën e votës”, tha Gashi. 18:00 – Ankohet qytetari: KQZ m’i dërgoi prindërit 15km larg qendrës së vjetër të votimit Një qytetar ka paraqitur një ankesë ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me ndryshimin e vendvotimit për prindërit e tij. Për Klankosova.tv, ai tha se ata janë detyruar të shkojnë në një tjetër vendvotim, rreth 15 kilometra larg atij ku kanë qenë deri më tani. “Prindërit e mi kanë votuar çdoherë në shkollën ‘Nexhmi Mustafa’ në Besi. Prindërit e mi sot janë detyruar të shkojnë 15 kilometra për të votuar. Ne në Fushë-Kosovë as kemi jetuar, as nuk kemi adresë, as faturë e asgjë. Nuk e kuptoj këtë veprim të KQZ-së”, deklaroi ai. Ky qytetar tha se kjo situatë, babait të tij i ka shkaktuar nervozë dhe shqetësim të madh. Ai thotë se nuk është çështja te shpenzimet, por çështja është te stresi i shkaktuar. “KQZ-ja ka të drejtë me ta ndërru vendvotimin deri në 3 kilometra, jo më tepër. Nuk ka të drejtë me të dërgu 15 kilometra. Unë sot, në vendvotim ku shkuan prindërit me votu, desha të bëj ankesë, ata komisionerët më thanë s’kemi fletë për të bërë ankesë”, shtoi qytetari. Derisa ai ka bashkangjitur edhe emailin të cilin i është drejtuar ankesa Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. E përgjigja e PZAP-së ishte: “I nderuar! Ju njoftojmë se ankesa duhet të dorëzohet vetëm në mënyrë fizike në PZAP duke plotësuar formularin për parashtrimin e ankesës me të gjitha të dhënat të nevojshme, apo përmes postës, në adresë: Rr. „Migjeni”, Ndërtesa e ish bankës së Lubjanës, kati i parë, 10000 Prishtinë. Për më tepër rreth mënyrës dhe parashtrimit të ankesave referojuni rregullores së PZAP-it 01/2025 për procedurat e parashtrimit dhe vendosjes së ankesave”. 17:51 – S’kishte dokumente, pejani revoltohet që s’iu lejua votimi me asistencë për nënën Në qendrën e votimit të vendosur në shkollën “8 Marsi” në Pejë është shënuar një incident i vogël gjatë orëve të pasdites, ndonëse procesi i votimit deri atëherë kishte kaluar pa probleme. Sipas raportimit të gazetares së Klan Kosovës, Vesa Hoda, një person kishte ardhur për të votuar së bashku me nënën e tij, duke kërkuar që ajo të votojë me asistencë. Mirëpo, nëna e tij nuk ishte e regjistruar për të votuar në këtë qendër votimi dhe nuk posedonte asnjë dokument apo certifikatë mjekësore që do të arsyetonte kërkesën. Menaxherja e qendrës së votimit, Leonora Shoshi, ka sqaruar se kërkesa nuk mund të aprovohej në mungesë të dokumentacionit përkatës. “Nuk kanë qenë në të njëjtën qendër nëna me të birin, kërkuan të votojnë me asistencë, por nuk ka pasur asnjë dokument që tregon se ajo nuk është në gjendje të votojë. “S’ka qenë sjellja etike nga personi që erdhi të votojë. Është thirrur policia, por nuk ka pasur nevojë të përdoret forcë”, tha ajo./Klankosova.tv 17:47 – Sa qytetarë ushtruan të drejtën e votës në Podujevë? Në komunën e Podujevës, interesimi i qytetarëve për të dalë dhe për të votuar është rritur orëve të fundit. Sipas të dhënave të KQZ-së, deri në orën 17:00 në Podujevë votuan 31.4% e qytetarëve, transmeton Klankosova.tv. Ndërsa gazetarja e Klan Kosovës, Artina Breznica tha se procesi zgjedhor atje ka shkuar qetë, derisa nuk është raportuar për ndonjë parregullsi. 17:35 – Votim i qetë dhe pa incidente në Graçanicë Nga qendra e votimit “Mbreti Milutin” në Graçanicë, është lajmëruar gazetari Ardian Gaxherri. Ai tha se, sipas menaxherit të kësaj qendre të votimit, nuk ka pasur incidente të theksuara ose ndonjë parregullsi e cila vlen të theksohet përgjatë procesit zgjedhor deri në kohën e raportimit. Sidoqoftë, Gaxherri raporton se sipas një raporti të Policisë së Kosovës tregohet se disa persona të dyshuar për presion ndaj votuesve kanë përfunduar në polici, ku janë intervistuar në lidhje me presionin e shkaktuar ndaj votuesve, e më pas janë liruar me urdhër të Prokurorit. Qytetarja Mirsa Hoxha, e cila votoi në Graçanicë, foli për pritshmëritë e saj nga këto zgjedhje. “Presim diçka pozitive për të ardhmen tonë, për shëndetësinë ,për arsimim, për fëmijët tanë, normalisht me u ba mirë”, tha ajo. 17:35 – Qytetari nga Gjilani: Mjaft më me zgjedhje, na lodhën Një qytetar i Gjilanit, i cili iu drejtua sot qendrës së votimit për të ushtruar të drejtën e tij të votës, tha se votimi është një proces që e bën rregullisht në çdo palë zgjedhje. Megjithatë, ai për Klan Kosovën u shpreh i lodhur nga proceset e shpeshta zgjedhore, duke shpresuar që pas këtyre zgjedhjeve të mos ketë më nevojë për organizime të reja në një të ardhme të afërt. “Nuk mendoj që do të ketë zgjedhje më, se mjaft ishte me zgjedhje, na lodhën më, po shpresojmë që më mos të ketë”, deklaroi ai./Klankosova.tv 17:32 – KQZ përditëson të dhënat: Deri në orën 17:00 votuan mbi gjysmë milioni qytetarë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përditësuar të dhënat më të fundit mbi pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme që po mbahen sot në Kosovë. Sipas raportit të KQZ-së, deri në orën 17:00, kanë votuar 562 mijë e 733 qytetarë. Kthyer në përqindje i bie rreth 28,21% e qytetarëve të regjistruar kanë marrë pjesë në procesin zgjedhor, apo 10% me pak votues krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar. 17:22 – 42% dalje e qytetarëve në Zveçan, incident i izoluar në Zubin Potok (VIDEO) Sipas të dhënave të ditës së votimit, në komunën e Zveçanit kanë votuar rreth 42 për qind e qytetarëve nga gjithsej 6 mijë e 600 persona me të drejtë vote. Ndërkohë, në komunën tjetër me shumicë serbe në veri të vendit, Zubin Potok, është shënuar një parregullsi e izoluar në qendrën e votimit “Jovan Cveiq”. Një votues është futur në kabinën e votimit me telefon celular, pavarësisht se fillimisht ishte ndaluar nga zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët kishin vërejtur pajisjen. Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes, votuesi ka refuzuar ta dorëzojë telefonin dhe ka insistuar të hyjë në kabinë me të. Më pas ka ndërhyrë edhe Policia e Kosovës. Votuesit nuk i është lejuar që fletëvotimin, për të cilin dyshohet se e kishte fotografuar, ta fusë në kutinë e votimit. Si rezultat, fletëvotimi i tij është shpallur i pavlefshëm. Përveç këtij rasti, procesi zgjedhor në komunat veriore është zhvilluar pa incidente të tjera të theksuara. Edhe në Mitrovicën e Veriut nuk është raportuar ndonjë rast që vlen të veçohet si problematik gjatë ditës së votimit. 16:59 – I moshuari ndalohet nga policia në Prishtinë, telefonoi nipin nga vendvotimi (VIDEO) Një qytetar është shoqëruar nga policia në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë. Siç raporton gazetari i Klan Kosovës, Liridon Zeqiri, i moshuari është kapur duke folur në telefon brenda vendvotimit, transmeton Klankosova.tv. I njëjti, i pyetur nga gazetari Zeqiri se nëse e dinte që ky veprim do të përbënte pasoja, i moshuari deklaroi se një gjë të tillë nuk e dinte. Ai shtoi se në telefon foli me nipin e tij, ndërsa tha se kjo telefonatë nuk ndikoi në votim. 16:54 – KQZ: Deri në orën 16:30 votuan 450 mijë e 641 qytetarë, apo 22.99% Pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës i është afruar gjysmë milionit. Sipas të dhënave në platformën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në orën 16:30 dalja e qytetarëve në votime është 450 mijë e 641 votues. Kthyer në përqindje, kjo dalje kap shifrën prej 22.99%, më pak se në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit 2025, ku pjesëmarrja ishte 29.29% për të njëjtën periudhë kohore. Ndryshe, numri i votuesve për këto zgjedhje është 1 milion e 959 mijë e 962. /Klankosova.tv 16:42 – Interesim i ulët në Prishtinë për të votuar me kusht (VIDEO) Një interesim i ulët i qytetarëve për të votuar me kusht është vërejtur në komunën e Prishtinës. Deri në ora 15:00, as 2 mijë qytetarë nuk i janë përgjigjur votës. Rreth ecurisë së procesit ka folur menaxheri i kësaj qendre, Milaim Mazreku. “I ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, që të dalin e të votojnë. Ashtu siç edhe raportuat edhe ju deri më tani i kemi 1 mijë e 428 votues”, tha ai. Sipas tij, nëse krahasohet me zgjedhjet e 28 dhjetorit vërehet një rënie e fluksit të votuesve. 16:35 – Gjilan: S’ka qasje për karrocat e personave me nevoja të veçanta (VIDEO) Në shkollën “Thimi Mitko”, qendra më e madhe e votimit në komunën e Gjilanit, është hasur një problem. Siç raporton gazetarja e Klan Kosovës, Donjeta Murselaj, votuesit me nevoja të veçanta kanë hasur në vështirësi për të votuar, transmeton Klankosova.tv. Një qytetare, e cila është në karrocë invalidore tha për Klan Kosova se nuk kishte si të ngjitej në katin e dytë të shkollës, teksa në ndihmë i dolën tre persona. “Nuk ka lift, u deshën të më ndihmonin tre persona me dal në katin e dytë. Për mu kjo është e vështirë, ma lehtë do të ishte me lift”, tha ajo. 16:31 – Po votohet edhe në Lupç të poshtëm (VIDEO) Menaxherja e qendrës së votimit “Zenel Hajdini” në Lupç të Poshtëm, Hatixhe Bajgora, ka thënë për specialen e Klan Kosovës, “Zgjedhjet 2026”, se procesi i votimit në këtë qendër ka shkuar mbarë e mirë. Ajo po ashtu përmendi se interesimi ka qenë pothuajse i ngjashëm me herët e tjera. “Sa u përket zgjedhjeve, pothuajse interesimi ka qenë i njëjtë. Vendvotimi është hapur ashtu siç ka qenë e paraparë në ora 7 të mëngjesit”, ka thënë Bajgora për gazetaren e Klanit, Artina Breznica. “Deri më tash ka shkuar gjithçka në rregull, nuk kemi pasur asnjë telashe, gjithçka ka shkuar mirë”. “Interesimi ka qenë si i njëjtë. Kanë mbetur një orë deri dy në përmbyllje të votimit”. 16:22 – Zgjedhjet, ambasadori gjerman: Po e vëzhgojmë procesin me 4 ekipe (VIDEO) Në një ditë vendimtare për procesin demokratik në Kosovë, ambasadori gjerman në Prishtinë, Rainer Rudolph, ka vlerësuar ecurinë e zgjedhjeve që po mbahen sot në vend. Përmes një video-mesazhi, Rudolph ka bërë të ditur se deri më tani procesi zgjedhor po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa probleme të raportuara. Ai theksoi se bashkë me katër ekipe të tjera po marrin pjesë në monitorimin e zgjedhjeve, në kuadër të një ushtrimi të organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, ku po vëzhgohet nga afër procesi në qendrat e votimit. “Sot është dita e zgjedhjeve në Kosovë dhe, me vendosmërinë për të vëzhguar procesin, po marrim pjesë me katër ekipe në ushtrimin e monitorimit të zgjedhjeve të organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë. Aktualisht jam duke vizituar qendrat e votimit në Prishtinë dhe rrethinën e saj. Gjithçka që kam parë deri tani duket e qetë dhe po zhvillohet pa probleme. Prandaj, presim me interes rezultatet e zgjedhjeve sonte. Shihemi atëherë”, u shpreh ambasadori Rudolph transmeton Klankosova.tv. Diplomati gjerman shtoi se pret me interes publikimin e rezultateve në përfundim të ditës së votimit. Pejë: Dy të arrestuar për ndërhyrje në proces zgjedhor Dy persona janë arrestuar në Gorazhdec të Pejës, nën dyshimin për ndërhyrje në procesin zgjedhor. Lidhur me këtë zhvillim është deklaruar edhe Policia. Zëdhënësi për rajonin e Pejës Fadil Gashi, ka thënë se janë zhvilluar dy bastisje në një lokacion. “Ata janë sjellur për t’u intervistuar në stacionin policor të Pejës. Në bastisje kanë marrë pjesë njësitet relevante të policisë”, tha Gashi për Klankosova.tv. “Aksioni u zhvilluar në koordinim me prokurorin e rastit. Informacionet e tjera do të bëhen të ditura më vonë”, deklaroi ai. Mosmarrëveshja mes kryesuesit dhe menaxherit ndërpret procesin e votimit në Plemetin Në një qendër të votimit në fshatin Plemetin të Obiliqit është ndërprerë procesi zgjedhor. Siç deklaron zyrtari ekzekutiv komunal zgjedhor, Afrim Krasniqi, kjo erdhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje ndërmjet kryesuesit të këshillit të vendvotimeve dhe menaxherit të vendvotimit, transmeton Klankosova.tv. “E kemi rregulluar këtë mosmarrëveshje dhe nuk ka asnjë telash, procesi i votimit po vazhdon në mënyrë të rregullt”, u shpreh Krasniqi për Klan Kosova. Bardhosh: Vërehet rënie e interesimit të qytetarëve për të votuar Në shkollën “Andon Zako Çajupi” në fshatin Bardhosh në kryeqytet, vërehet një rënie e disponimit të qytetarëve për votim. Menaxheri i qendrës, njëherësh drejtor i shkollës, Hajriz Maqoni, tha për Klan Kosova se kjo qendër e votimit është hapur me kohë dhe po vijon normalisht, raporton klankosova.tv. “Si qendër e votimit është hapur me kohë. Deri tash vërehet një dalje e ulët e votuesve krahasimisht me dhjetorin e vitit të kaluar. Procesi është duke vijuar normalisht, përveç që vërehet një rënie të disponimit për votim krahasuar me dhjetorin e vitin e kaluar”, tha ai. Kelmendi: Rezultati i Exit Poll-it nuk ndikon në rezultatin zgjedhor Gazetari dhe publicisti i njohur, Adriatik Kelmendi ka deklaruar se Exit Poll-i nga PIPOS, i cili jepet direkt në Klan Kosova, sipas tij tregon vetëm dy gjëra, trendin e votimit dhe trendin e sinqeritetit të qytetarëve. Sipas Kelmendit, rezultati i Exit Poll-it nuk ndikon në rezultatin zgjedhor, transmeton Klankosova.tv. “Anketuesit, pra ata njerëz që dalin nga qendra e tyre e votimit dhe tregojnë për kë kanë votuar, e nuk e tregojnë gjithmonë të vërtetën, normal që devijon rezultati i Exit Poll-it, por jo edhe rezultati në kuti. Kështu që Exit Poll-i duhet kuptuar si matje e trendit por edhe matje e sinqeritetit, besueshmërisë së popullatës sonë”, u shpreh Kelmendi në Klan Kosova. Halimi (PIPOS): Këtë herë rezultati i Exit Pollit do t’i afrohet shumë realitetit në kuti Fisnik Halimi nga PIPOS ka deklaruar se Exit Polli i këtij procesi zgjedhor pritet të jetë shumë më afër rezultatit përfundimtar që do të dalë nga kutitë e votimit. Ai tha se kjo lidhet me rrethana të ndryshme që kanë ndikuar në realizimin e matjeve, duke theksuar është analizuar e njëjta kulturë votuese si në sondazhet e mëparshme të realizuara nga PIPOS. “Besoj që kësaj radhe rezultati ka me u afru shumë me realitetin në kuti, për shkak të rrethanave të ndryshme. Kemi anketuar sot të njëjtin njerëz, të njëjtën kulturë votuese siç është anketuar nëpër anketat që i kemi bërë paraprakisht” Ai ka sqaruar gjithashtu se Exit Poll-i nuk është diçka që zhvillohet vetëm në ditën e zgjedhjeve, por një proces i gjatë përgatitor. “Të gjithëve duhet t’u sqarohet që Exit Polli nuk është akt i një ditë, por është proces që përgatitet për muaj të tërë”, është shprehur ai. Incident në Zubin Potok: E fotografoi votën, ndërhyn policia Një incident është raportuar se ka ndodhur në Zubin Potok, në shkollën “Jovan Cvijiq”. Atje një qytetar është larguar nga kjo qendër e votimit nga policia, pasi që dyshohet se i njëjti gjatë këtij procesi e ka fotografuar votën. “Sipas informacioneve, ai kishte shkaktuar shqetësime brenda qendrës së votimit duke përdorur telefonin celular e po ashtu duke provokuar”. KQZ: Deri në ora 15:00 votuan 445 mijë e 622 votues Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e radhës për media. Kryesuesi i saj Kreshnik Radoniqi, ka prezantuar të dhënat e përditësuar për numrin e votuesve. Radoniqi deklaroi se deri në ora 15:00 kanë votuar 22.74% e votuesve. “445 mijë e 622 votues apo 22.74% e votuesve nga 1 milion e 959 mijë e 962 votues”, tha ai para mediave. Veç 25 persona votuan deri më tani në fshatin e Rexhep Selimit Në fshatin Aqarevë, vendlindjen e ish-komandantit të UÇK-së, Rexhep Selimi, i cili aktualisht po përballet me proces gjyqësor në Hagë, pjesëmarrja në zgjedhje deri më tani ka qenë e ulët. Sipas të dhënave nga vendvotimi, nga 790 qytetarë me të drejtë vote, deri në këto momente kanë votuar vetëm 25 persona. Ndërkaq, në zgjedhjet e fundit gjatë gjithë procesit zgjedhor kishin votuar rreth 210 qytetarë. Mbetet të shihet nëse në orët e mbetura të procesit zgjedhor do të ketë rritje të pjesëmarrjes së qytetarëve në këtë fshat. Rreth 160 votues me kusht në “Hysni Zajmi” të Gjakovës Pa probleme e pa ndonjë parregullsi është duke u zhvilluar procesi zgjedhor në shkollën “Hysni Zajmi” në Gjakovë. Në këtë qendër qytetarët kanë mundësi që të votojnë me kusht dhe sipas menaxherit, Gjokë Tahiri, deri në këtë kohë gjithçka ka shkuar mirë. Ai ka treguar edhe numrin e votuesve me kusht në këtë qendër, duke thënë se përafërsisht është I njëjtë me zgjedhjet e kaluara. “Rreth 160 votues deri më tash. Deri në këtë kohë, përafërsisht është e njëjtë me zgjedhjet e kaluara”, ka thënë ai për Klan Kosovën. Shqyerja e fletëvotimit çon në arrestimin e dy personave Policia ka hapur dy raste të asgjësimit të shqyerjes së fletëvotimit, një në Prishtinë dhe një në Drenas. Zëdhënësja për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, deklaroi se të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë. “Deri tani në rajonin e Prishtinës janë hapur dy raste “Asgjësim i dokumentit të votimit (në Drenas dhe në Prishtinë), ku dyshohet se nga personat e dyshuar kanë dëmtuar (shqyer) fletëvotimet. Personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkohë që veprimet hetimore po kryhen në koordinim me prokurorinë”, deklaroi ajo për Klankosova.tv. Lidhur me njërin prej rasteve, Klan Kosova ka raportuar më herët gjatë ditës. “Popullata është lodhur”, bie interesimi i votuesve në Radivojcë të Vitisë Në shkollën fillore “Nazmi Pajaziti” në Radivojcë të Vitisë, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 13:00, nga 1512 persona, sa kanë të drejtë vote në këtë qendër votimit, vetëm 200 persona ushtruan të drejtën e votës. Gazetarja e Klan Kosovës, Endrita Bajrami bëri të ditur se sipas vëzgjueseve, numri i votueseve në këtë qendër votimi është rritur pas orës 13:00, transmeton Klankosova.tv. Drejtori i shkollës “Nazmi Pajaziti”, njëherësh menaxher i qendrës, Nezir Hasani, tha se procesi zgjedhor ka shkuar qetë, teksa shtoi se fluksi i qytetarëve për të shfrytëzuar të drejtën e votës po rritet. Megjithatë, sipas Hasanit, krahasuar me zgjedhjet e kaluara, ka pasur rënie të interesimit të votueseve. “Interesimi mundet me rënë, për shkak se brenda një viti me pasë katër-pesë palë zgjedhje, janë lodhur edhe popullata, sepse kjo është mundim dhe humbje kohe për njerëzit”, tha ai për Klan Kosova. Më pak se katër orë deri te Exit Poll-i i Klan Kosovës Kanë mbetur më pak se katër orë deri në publikimin e rezultateve të Exit Poll-it, të cilin Klan Kosova e ka realizuar edhe në proceset e mëparshme zgjedhore. Në orën 19:00, vëmendja do të jetë e përqendruar te Klan Kosova, ku në edicionin special zgjedhor me Adriatik Kelmendin do të prezantohen rezultatet e para të Exit Poll-it, të shoqëruara me analiza dhe diskutime nga të ftuarit në studio. Lidhur me këtë, ka reaguar edhe vetë Adriatik Kelmendi përmes një postimi në Facebook, ku tha se, ndonëse në të kaluarën ka pasur skeptikë dhe tallje ndaj Exit Poll-eve, sot shumë prej atyre që i kritikonin po interesohen dhe po kërkojnë informacion rreth tyre, transmeton Klankosova.tv. Si janë deklaruar qytetarët dhe çfarë tregojnë rezultatet e Exit Poll-it, do të mësohet nga ora 19:00 në Klan Kosova. Qëndroni me ne! Fluks i madh votuesish në Lluzhan të Podujevës 47 qendra të votimit janë në Podujevë, derisa njëra nga qendrat që ndodhet në fshatin Lluzhan dhe përfshin tri vendvotime, është vërejtur fluks më i madh i qytetarëve që po shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës. Sipas gazetares së Klan Kosovës, Artina Breznica, në Lluzhan gjatë gjithë ditës ka pasur lëvizje të vazhdueshme të votuesve dhe interesim të shtuar për procesin zgjedhor. Ndërkohë, në Qendrën e Votimit me Kusht, deri më tani kanë votuar rreth 100 persona, një numër relativisht i ulët krahasuar me pritjet. Gazetarja Breznica tha se një nga arsyet e mundshme për këtë pjesëmarrje më të vogël mund të jetë fakti se një pjesë e votuesve kanë zgjedhur ta lënë votimin për orët e mëvonshme të ditës. Ndërrimi i vendbanimit të disa votuesve i vetmi problem në shkollën “Motrat Qiriazi” në Prizren Proces normal i votimit është raportuar edhe në shkollën “Motrat Qiriazi” në Prizren. Sipas udhëheqësit të kësaj qendre që ka folur për gazetaren e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, deri në orën 12:30 kanë votuar 1 mijë e 300 qytetarë, nga rreth 8 mijë votues. Ai ka thënë se e vetmja telashe ka qenë me disa qytetarë që e kanë ndërruar vendbanimin, për dallim nga zgjedhjet e kaluara. “Në zgjedhjet e kaluara kanë votuar këtu, e në këto zgjedhje e kanë ndërruar vendbanimin e nuk kanë mundur të votojnë këtu, është dashur të shkojnë të gjejnë vendvotimin e tyre. Nuk është numër i madh, por ka kapak këso problemesh.”, ka thënë ai. Sipas tij, vërehet fluks i qytetarëve që po votojnë në këtë qendër të votimit. Ambasadori britanik: Kosova ka nevojë për institucione të reja sa më shpejtë pas zgjedhjeve Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka shprehur shpresën që pas procesit zgjedhor, partitë politike të arrijnë marrëveshje për formimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Duke folur për KosovaPress gjatë vëzhgimit të procesit zgjedhor në Zubin Potok, Hargreaves tha se ai dhe diplomatë të tjerë janë pjesë e ekipit të vëzhgimit diplomatik të koordinuar nga Bashkimi Evropian, i njohur si “Diplo Watch”, i cili po monitoron zhvillimet në të gjithë Kosovën. I pyetur nëse shpreson që këto të jenë zgjedhjet e fundit për katër vitet e ardhshme, ambasadori britanik tha se shumë qytetarë në Kosovë ndajnë të njëjtën pritje. “Kam përshtypjen se shumë njerëz në këtë vend shpresojnë që këto të jenë zgjedhjet e fundit për këtë vit. Nëse është e nevojshme të shkohet sërish në zgjedhje, atëherë kjo do të ndodhë. Por do të ishte shumë mirë nëse pas këtyre zgjedhjeve partitë politike do të mund të arrinin një marrëveshje, jo vetëm për kuvendin dhe qeverinë, por edhe për zgjedhjen e presidentit”, deklaroi ai. Lexo po ashtuCosta në Prishtinë, pritet nga HaxhiuSipas Hargreaves, është në interes të Kosovës që institucionet e reja të formohen sa më shpejt, transmeton Klankosova.tv. Duke komentuar çështjen e zgjedhjes së presidentit dhe renditjen e proceseve institucionale, ai tha se kjo mbetet përgjegjësi e partive politike. “Kjo i takon tërësisht partive politike ta zgjidhin mes vete. Unë thjesht mendoj se Kosova ka nevojë për një kuvend, një qeveri dhe një president sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa partive u takon të përcaktojnë renditjen dhe rezultatin e këtij procesi”, theksoi ambasadori britanik. Votimi me kusht, vetëm 44 qytetarë shfrytëzuan të drejtën në një shkollë të Klinës Gazetarja Amantina Hasani raportoi nga Klina se atmosfera në qendrat e votimit është e qetë, ndërsa pjesëmarrja e qytetarëve deri tani mbetet e ulët. Sipas saj, në të gjithë komunën numri i votuesve është rreth 50 mijë, por në disa qendra votimi fluksi ka qenë minimal gjatë ditës. Në qendrën e votimit me kusht nuk është raportuar pothuajse asnjë pjesëmarrje, ndërsa situata është krahasuar si më e ulët në raport me zgjedhjet e kaluara. Drejtori i shkollës “Motrat Qiriazi” për Klan Kosova tha se procesi ka nisur me kohë, por deri tani pjesëmarrja është e vogël, me vetëm 44 votues të regjistruar. Palatova e BE-së në terren, viziton qendrat e votimit në Prishtinë e Graçanicë Shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova ka vizituar disa qendra votimi si pjesë e vëzhgimit diplomatik të koordinuar nga Bashkimi Evropian. Ajo qëndroi në Prishtinë dhe Graçanicë. “Duke vizituar qendrat e votimit në Prishtinë dhe Graçanicë si pjesë e Vëzhgimit Diplomatik të koordinuar nga BE-ja, Shefja në Detyrë e BE-së në Kosovë, Palatova, ishte e kënaqur që pa një proces votimi të qetë.Çdo zgjedhje është një provë e demokracisë”. “Gjithë të mirat për pjesën tjetër të ditës”, thuhet në një njoftim të Zyrës së BE-së në Prishtinë. Aeroporti i Prishtinës: Rreth 16 mijë hyrje gjatë fundjavës së zgjedhjeve Në ditën e zgjedhjeve nuk ka pasur fluks të madh qytetarësh në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Sipas të dhënave të siguruara nga Klan Kosova, gjatë së premtes dhe së shtunës në Kosovë kanë hyrë rreth 16 mijë persona përmes aeroportit. Kjo shifër është pak më e lartë krahasuar me fundjavën e kaluar, kur rreth 14 mijë udhëtarë kishin hyrë në vend, raporton nga aty gazetarja e Klan Kosova, Blerina Shoshi. Ndërkohë, krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit, kur rreth 16 mijë e 300 persona kishin ardhur dy ditë para votimeve, këtë herë numrat janë në nivele të ngjashme. Njëherësh, një pjesë e madhe e qytetarëve kanë zgjedhur të votojnë përmes postës, rreth 100 mijë votues, ndërsa rreth 27 mijë të tjerë kanë votuar në konsullata dhe ambasada nëpër botë. Telashet me vërtetimet mjekësore, refuzohen tri raste të votimit në “Nazim Gafurri” të Prishtinës Në shkollën “Nazim Gafurri” në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë tri raste janë refuzuar të votojnë me asistencë, e të cilët nuk kanë pasur vërtetime nga Qendrat e Mjekësisë Familjare. Menaxherja e kësaj qendre të votimit, Ardiana Makolli-Sadiku për Klan Kosova ka thënë se çështja e vërtetimeve ka qenë telashja më e madhe në këtë shkollë. “Vështirësia më e madhe është e personave që nuk dinë shkrim e lexim dhe nuk ka një vërtetim që e dëshmon vështirësinë e tyre. Tri raste janë refuzuar në shkollën tonë. I kemi këshilluar të drejtohen në KQZ për të gjetur zgjidhje”, ka thënë ajo Ai ka thënë se edhe në zgjedhjet e kaluara ka qenë e pranishme një problematikë e tillë, por për dallim prej atëherë, në këtë process zgjedhor nuk po pranojnë vërtetim që është më i ri se para pesë ditëve. “Herën a kaluar edhe gjatë ditës së diel është kërkuar nga qendrat e mjekësisë familjare që të lëshohet një vërtetim i cili edhe është lëshuar, e në disa vende ka pasur edhe paqartësi, disa i kanë lejuar e disa edhe nuk e kanë lejuar. Këtë herë janë munduar që të jetë informimi pak më i hershëm, por sërish ka sjell telashe të njëjta. Tash po kërkohet që vërtetimi nga QKMF-të të jetë së paku pesë ditë më herët, ndryshe nuk po ju pranohet. Herën e kaluar këto janë pranuar”, ka thënë ajo. Nga 6 mijë e 225 votues, deri në orën 13:00, sipas saj kanë votuar 1 mijë e 256 qytetarë. Suharekasit ia mësyjnë më pak kutive të votimit se në zgjedhjet e dhjetorit Në Suharekë, procesi zgjedhor po zhvillohet pa probleme në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Shkëndija”. Drejtori dhe përgjegjësi i kësaj qendre, Ilmi Shala, ka deklaruar për gazetaren e Klan Kosovës, Sala Gashi, se procesi po zhvillohet në përputhje me rregullat dhe pa ndonjë parregullsi. “Procesi sipas rregullave, pa asnjë problem deri në ora 13:00. Të drejtë vote kanë 1.989 votues, ndërsa deri tani kanë votuar 319 votues, vetëm një rast ka qenë me asistencë”, tha ai. Ai ka shtuar se krahasuar me zgjedhjet e kaluara, vërehet një rënie e lehtë e fluksit të votuesve në këtë qendër. KQZ u bën thirrje qytetarëve të votojnë me kujdes: Vota juaj ka rëndësi Kosova po voton sot në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka intensifikuar thirrjet për informimin e qytetarëve lidhur me procesin e votimit. Përmes një videoje udhëzuese, KQZ ka sqaruar mënyrën e saktë të plotësimit të fletëvotimit, me qëllim që të shmangen gabimet dhe çdo votë të numërohet si e vlefshme. “Sot votojmë! Shiko videon për të mësuar si të plotësosh saktë fletëvotimin. Voto me kujdes – vota jote ka rëndësi!Shfrytëzo të drejtën tënde”, thuhet në një postim të KQZ-së në Facebook. Udhëzuesit në gjuhën serbe, qytetari: Nuk votova pa i pasur në gjuhën shqipe Në shkollën fillore “Petro Petroviq” të Novobërdës, të gjithë udhëzuesit ishin në gjuhen serbe. Rasti është paraqitur nga një ankues edhe në Klan Kosova. Hatip Kryeziu, ka deklaruar se nuk ka hyrë për të votuar pa i parë udhëzuesit në gjuhen shqipe. “Në ora 12:40 pastaj i kanë sjellë udhëzuesit në gjuhën shqipe. Shkuan dhe i morën në shkollën tjetër dhe i sollën”, shtoi Kryeziu. Dragash: Shtohet interesimi i qytetarëve për të votuar në orët e pasdites Në qendrën më të madhe të votimit në Dragash fluksi i qytetarëve që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës po rritet gjatë orëve të pasdites. Menaxheri i shkollës “Ruzhdi Berisha” tha se deri në orën 11:00 nga 2200 qytetarë me të drejtë vote, votuan 150 votues, raporton klankosova.tv. Ai tha se fluksi i qytetarëve po shtohet gjatë orëve të pasdites. “Fillimisht në orën 07:00 u hap qendra e votimit 0501 në SHML Ruzhdi Berisha. Kjo qendër numëron 2200 votues, paradite ka qenë një numër i vogël, kurse tani është shtuar fluksi i qytetarëve që po dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre. Deri në orën 11:00 kur kemi raportuar ka qenë diku rreth 150 votues në nivel qendre. Tani po shihet se shtohet numri dhe në orët e mëvonshme do shtohet edhe më shumë. Aktualisht ka qenë 6.6% pjesëmarrja e përgjithshme, mirëpo besojmë që shifrat dhe numrat do të ndryshohen në periudhën e pasdites”, tha ai. Veç 88 qytetarë i drejtohen kutive të votimit në Smolicë Në Gjakovë, në qendrën më të vogël të votimit në fshatin Smolicë, në shkollën “Sylejman Vokshi”, është regjistruar një numër i ulët i pjesëmarrjes në zgjedhje. Siç raporton gazetarja e Klan Kosovës, Diellëza Berisha, deri në orët e pasdites kanë votuar vetëm 88 qytetarë. Menaxheri i kësaj qendre ka deklaruar se pjesëmarrja deri më tani është më e ulët krahasuar me zgjedhjet e kaluara, por pret që situata të ndryshojë me kalimin e orëve. DnV: Votimi me asistencë dukshëm më i vogël krahasuar me zgjedhjet paraprake Demokracia në Veprim ka mbajtur konferencën e dytë lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në vend. Eugen Cakolli nga DnV ka deklaruar se deri në mesditë, procesi i votimit në nivel vendi po zhvillohet i qetë dhe pa incidente që do të ndikonin në ecurinë e zgjedhjeve. “Bazuar në gjetjet e raportimit nga vëzhguesit tanë në terren, deri në mesditë, që nga hapja e vendvotimeve, procesi në nivel vendi është duke rrjedhur qetë dhe po karakterizohet nga një respektim i kënaqshëm i rregullave përkatëse, dhe nuk është raportuar për asnjë incident që do të ndikonte në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, tha Cakolli. Sa i përket pjesëmarrjes, ai bëri të ditur se deri në orën 12:00, dalja në nivel vendi është rreth 12% e votuesve me të drejtë vote. “Në kuadër të kësaj përqindjeje, vërehet se komunat me shumicë serbe, sidomos ato në veri të vendit, kanë dalje më të lartë që shkon deri në 24%, që është gati dyfishi i mesatares në nivel vendi. Sa i përket rajoneve, Prishtina dhe Ferizaj kanë daljen më të lartë deri tani me mbi 13%, ndërsa Prizreni dhe Gjakova kanë dalje nën 9%”, ka shtuar ai. Cakolli theksoi se janë evidentuar disa parregullsi teknike dhe procedurale, kryesisht lidhur me paraqitjen e votuesve në qendra të gabuara, por që sipas tij nuk ndikojnë në mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit. “Rajoni i Prizrenit dhe Gjakovës janë rajonet me më shumë parregullsi, ndonëse situata në përgjithësi mbetet e rregullt në nivel vendi”, tha Cakolli. Sa qytetarë kanë votuar deri në ora 13:00? Përditësohen të dhënat e KQZ-së Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat e pjesëmarrjes në votime për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas të dhënave nga platforma e KQZ-së, deri në ora 13:00 në nivel vendi kanë votuar 15.10% të qytetarëve me të drejtë vote, raporton klankosova.tv. Nga rreth 2 milionë qytetarë me të drejtë vote, deri tash kanë votuar 296 mijë e 19 qytetarë. Molliqaj: Sa më shumë qytetarë të votojnë, aq më e madhe është garanca për demokracinë Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka bërë thirrje që qytetarët të dalin sa më shumë në votime, duke e cilësuar pjesëmarrjen e lartë si garanci për demokracinë. “Faleminderit të gjitha mediave që na keni përcjellë pas një fushate kreative dhe intensive. Unë besoj që është jetike që pas debateve dhe fushatës, sa më shumë njerëz të shkojnë te kutitë e votimit, sepse aq më e madhe është garanca për demokraci. Demokracia është çelësi i organizimit shoqëror dhe politik”, tha Molliqaj. Velekincë: Mbi 2,500 qytetarë me të drejtë vote, deri tani kanë votuar 410 persona Në qendrën e votimit në shkollën “Mulla Idriz Gjilani” në Velekincë, sipas të dhënave të KQZ-së, mbi 2,500 qytetarë kanë të drejtë vote. Kryesuesi i qendrës së votimit, Skender Bajrami, tha se procesi ka nisur me kohë dhe po zhvillohet pa probleme. “Qendra është hapur me kohë. Kjo qendër votimi përmban tri vendvotime”, deklaroi ai. Sipas Bajramit, deri në momentin e raportimit kanë votuar 410 qytetarë, ndërsa pesë persona kanë votuar me asistencë. Rasti i Elbert Krasniqit, Policia: S’ka elemente të veprës penale Sot, pikërisht në Ditën e Zgjedhjeve, kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka publikuar pamje duke thënë se kryetari i IRDK-së dhe ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka ushtruar presion ndaj qytetarëve të komunitetit egjiptian. Pas këtyre pretendimeve, Krasniqi është intervistuar nga Policia e Pejës në cilësinë e dëshmitarit. Derisa lidhur me rastin është deklaruar për Klan Kosovën zëdhënësi Fadil Gashi. “Pas intervistimit është vërtetuar se nuk ka elemente të vepres penale. Do të thotë rasti ka mbetur në shënim zyrtar dhe vazhdon të hetohet”, deklaroi Gashi. “Nuk ka pasur elemente për çka është denoncuar nga ankuesi. Rasti vazhdon të hetohet”, theksoi ai për Klan Kosovën. U.d Kryeprokurori i Shtetit viziton dhomën operative për monitorimin e procesit zgjedhor Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj ka vizituar dhomën operative për monitorimin e procesit zgjedhor. Ai është pritur nga Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula. Sipas njoftimit, Qalaj ka parë nga afër punën e kësaj dhome, e cila është e angazhuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor. Në njoftim thuhet se Qalaj ka falënderuar dhe inkurajuar koordinatoren Pula dhe gjithë stafin e kësaj dhome operative për punën që janë duke e bërë, me qëllim të sigurimit të integritetit të procesit zgjedhor. “Në dhomën operative për monitorimin e procesit zgjedhor në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, po qëndron edhe një zyrtar nga Misioni për Sundim të Ligjit në Kosovë EULEX, i cili po monitoron rastet penale që mund të ndodhin gjatë ditës, e të cilat ndërlidhen me procesin zgjedhor.”, thuhet në njoftim. Voton kreu i FFK-së, Ademi: Zgjedhjet sjellin siguri, japin të mira në sport Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka votuar në Prishtinë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ai ka thënë se pret që nga këto zgjedhje të ketë më shumë siguri të shumë fusha. “Mendoj se këto zgjedhje do të sjellin siguri, siguria e një pushteti institucional jep të mirat e saj edhe në jetën e përditshme, në ekonomi, sport e në të gjitha aspeket”, ka thënë Ademi. Kreu i FFK-së ka komentuar edhe humbjen tragjike të jetës të futbollistit, Fatjon Bunjaku. Ai ka thënë se Bunjaku ka qenë edhe futbollist i kombëtares dhe humbja e jetës në moshë kaq të re, është humbje për sportin, kombëtaren dhe Kosovën në përgjithësi. Ndërkohë, Ademi ka komentuar edhe ndeshjen e sotme të Kombëtares së Kosovës, që do ta zhvillojë me Andorrën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Aio ka thënë se pret rezultat pozitiv. “Kjo është lojë kontrolluese. Kemi futbollistë të ri që Foda i ka ftuar, të shohim se si do të përferojnë dhe se si do të inkorporohen në kombëtare. Presim rezultat pozitiv”, ka thënë Ademi. Paraqitet në polici Elbert Krasniqi pas denoncimit për ndikim në procesin zgjedhor Në ditën e sotme të zgjedhjeve, kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka publikuar pamje duke thënë se kryetari i IRDK-së dhe ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka ushtruar presion ndaj qytetarëve të komunitetit egjiptian. Pas këtyre pretendimeve, Krasniqi është shoqëruar në Policinë e Pejës. Koordinatorja për procesin zgjedhor, prokurorja Laura Pula, ka konfirmuar për Klan Kosovën se rasti është duke u hetuar. “Veton Berisha është duke u intervistuar në Policinë Rajonale të Pejës për rastin që e ka raportuar, ushtrim ndikimi. Në intervistim ka deklaruar se ‘e kemi parë Elbert Krasniqin duke ardhur me përcjellje dhe kemi menduar se mund të ketë ndikim’, proces ky i cili mbetet të vërtetohet pas intervistimit të Elbertit”, tha Pula. Mungesa e punëtorëve teknik në shkollën e Lipjanit, drejtori shpreh shqetësim për procesin mësimor Në shkollën “Ismail Luma” në Lipjan drejtori i shkollës, Driton Sadiku ka ngritur shqetësim për mos përfshirjen e punëtorëve teknik në procesin zgjedhor për mirëmbajtjen e këtij objekti. Ai tha se rrjedha e votimeve po shkon mirë, në përjashtim të këtij fakti, raporton klankosova.tv. “Është qendra më e madhe në komunën e Lipjanit me mbi 9 mijë votues. Përgatitjet teknike janë kryer me kohë, gjithsej 10 vendvotime janë në këtë shkollë. Në përgjithësi rrjedha është duke shkuar mirë, në përjashtim që si menaxher i qendrës jam i vetmi person i ngarkum nga KQZ për procesin e mbarëvajtjes së këtyre zgjedhjeve duke përjashtuar këtë herë punëtorët teknik që nuk janë përfshirë fare në manxhimin apo mirëmbajtjen e pjesës”. Sadiku shprehu shqetësimin duke thënë se nuk e di nëse do të arrihet të përgatitet objekti shkollor për procesin e nesërm mësimor në mungesë të punëtorëve teknik. “Ky është shqetësimi im, kjo qendër është një shkollë dhe duke pasur parasysh që nuk kemi asnjë punëtorë teknik dhe pjesa që rëndohet e higjenës dhe mbeturinave që mbesin pas përfundimit të zgjedhjeve, shqetësimi më i madh është që do të fillojë nesër procesi mësimor a do të arrijmë me përgatit duke ditur që nga herët e kaluara deri në orët e vona të natës jemi marrur me përgatitjen e shkollës”, tha ai. Tension në Shtime: Arrestohet i moshuari, shkak votimi për gruan me probleme me shikim Një person i moshuar është arrestuar në Shtime pasi dyshohet se ka shkaktuar telashe në një qendër votimi lidhur me kërkesën për të votuar në emër të bashkëshortes së tij. Sipas informacioneve fillestare, bashkëshortja e tij kishte probleme me shikimin, ndërsa rasti lidhet me procedurat për votimin me asistencë. Klankosova.tv do të iu mbajë të informuar lidhur me rastin. 83-vjeçari: Ne po votojmë, por s’po kemi hajër prej tyre Ekipi i Klan Kosovës e ka përcjellur nga afër votimin e 83 vjeçarit Ali Hasanmetaj, në Strellc të Deçanit. Hasanmetaj votoi në shtëpinë e tij ku u vizitua nga ekipet mobile. Ai iu bëri thirrje qytetarëve të dalin e ta shfrytëzojnë të drejtën e votës. Por, pati edhe kritika nga ana e tij. “Pasha Zotin, ne po votojmë, por s’po ka hajër prej tyre. Pasha Zotin kur po ulen në karrige populli po mbetet prapë ashtu. A po e sheh? Që 3-4 here ton këto pare që kanë shku. Ma mirë do të ishte me miratu diçka ose me ia dhënë popullit”, deklaroi 83-vjeçari për Klan Kosovën. I moshuari që u arrestua në Shtime shqeu fletëvotimin kur iu ndalua të votojë për bashkëshorten Menaxherja e qendrës së votimit, Floreta Abazi Gashi, ka bërë të ditur se rreth orës 11:20, në një vendvotim në Shtime, një person i moshuar ka insistuar që të ushtrojë të drejtën e votës edhe për bashkëshorten e tij. Sipas saj, kryesuesi i vendvotimit ka kërkuar që të ndiqen procedurat dhe të paraqitet dokumentacioni i nevojshëm për votim me asistencë. Pas kësaj, ka pasur reagime nga qytetari, ndërsa është njoftuar Policia e Kosovës. “Komunikimi ishte me ton të lartë. Shqetësimi ka ndodhur pasi ai ka marrë fletëvotimin dhe e ka shfrytëzuar rastin për ta dëmtuar atë, pa e ushtruar të drejtën e tij të votës”, ka deklaruar Abazi Gashi. Në ditën e zgjedhjeve, Policia sekuestron arsenal armësh në Zubin Potok Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së zgjedhjeve ka zbuluar dhe sekuestruar armë dhe municion në një shtëpi të pabanuar në fshatin Mala Jabuka, në komunën e Zubin Potokut. Sipas njoftimit në Facebook, njësitë policore kanë vepruar pas pranimit të informatës se në atë lokacion mund të gjendeshin armë, ku më pas gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një armë AK-47, dy karikatorë të zbrazët, 422 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 13 fishekë të kalibrit të panjohur, një fishek 9×19 mm, dy granata-hedhës (tromblon) si dhe një uniformë ushtarake me emblemë serbe. Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e procedurës për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. “Lidhur me këtë rast, nuk ka persona të arrestuar, ndërsa rasti mbetet nën hetime. Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që çdo informacion që ndihmon në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike ta raportojnë tek Policia në numrin 192”, thotë PK. LIVE| Sot përcaktohet drejtimi – mbi 160 mijë qytetarë votuan deri më tash