Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

LIVE| Sot përcaktohet drejtimi – mbi 160 mijë qytetarë votuan deri më tash

NULL NULL
07.06.2026 06:19

Qytetarët e Kosovës i janë drejtuar sot, më 7 qershor, kutive të votimit për zgjedhjet e nivelit nacional, duke shënuar procesin e tretë zgjedhor parlamentar brenda një periudhe prej 16 muajsh.

Pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit 2025, vendi organizon sërish zgjedhje për Kuvendin e Kosovës. Ky proces vjen pas dështimit për të arritur konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), këto janë zgjedhjet e 11-ta në nivel nacional që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Të drejtën e votës në këto zgjedhje e kanë 2.092.174 qytetarë, përfshirë diasporën ose 15.884 më shumë krahasuar me zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025.

Votimi brenda Kosovës do të organizohet në 949 qendra votimi me 2.550 vendvotime.

Prej tyre, 911 qendra me 2.498 vendvotime do të shërbejnë për votimin e rregullt, ndërsa 38 qendra, nga një në secilën komunë, me 52 vendvotime do të jenë të dedikuara për votimin me kusht.

Ndërkohë, votimi jashtë vendit, përveç atij përmes postës, është organizuar në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës, përkatësisht në 17 ambasada dhe 13 konsullata.

Në këto përfaqësi janë vendosur gjithsej 47 vendvotime, ndërsa votimi fizik i diasporës është zhvilluar më 6 qershor 2026.

Organizimi i këtij procesi zgjedhor, sipas të dhënave zyrtare, i ka kushtuar buxhetit të Kosovës më shumë se 10.8 milionë euro.

Qytetari në Prishtinë e shqyen fletëvotimin, shoqërohet në polici

Një incident është regjistruar gjatë procesit të votimit në qendrën e votimit në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë.

Një qytetar dyshohet se ka shqyer fletëvotimin pasi e ka marrë për të votuar.

Pas ngjarjes, ai është shoqëruar nga zyrtarët policorë në stacion për procedura të mëtejshme.

Në një video të publikuar nga Indeksonline, qytetari dëgjohet duke thënë se, “S’kom bo unë kurgjo për me shku në stacion”.


Ekipi mobil mundësoi votimin e pacientëve të shtruar në Klinikën Infektive

Nga Klinika Infektive, gazetarja Arbreshë Uka raporton se ekipi mobil i KQZ-së ka mundësuar votimin e pacientëve dhe stafit që ndodhen në hapësirat spitalore.

Sipas kryesuesit të ekipit mobil, procesi ka kaluar pa probleme.

Disa pacientë kanë arritur të votojnë, ndërsa disa të tjerë janë liruar nga spitali para votimit.  Ka pasur edhe pacientë që kanë pasur mundësi të votojnë, por nuk kanë shprehur gatishmëri për ta ushtruar këtë të drejtë.


Pula u bën apel qytetarëve të mos e fotografojnë votën: Automatikisht ndalohen

Koordinatorja rajonale për zgjedhje, Laura Pula tha se Zyra e Prokurorit të Shtetit po bën punën institucionale për të mbrojtur votën e qytetarëve në terren.

Pula tha se deri tani janë raportuar disa raste të dyshuara gjatë procesit të votimit, raporton klankosova.tv.

“Kemi një rast në Mamushë ku dy votues kanë tentuar të votojnë bashkarisht që nuk është lejuar, një rast tjetër në Gllogoc një votues ka kryer veprën penale të asgjësimit të dokumentave të votimit i cili tashmë është ndaluar për 48 orë”, tha fillimisht ajo..

Tutje, ajo tha se puna e prokurorit është ‘mbrojtja e votës së sovranit’.

“Ashtu si në zgjedhjet e kaluara gjithmonë roli i prokurorit është mbrojtja e votës së sovranit aty ku ka elemente që mund të cenohet, ne nuk do të hezitojmë do të ndalojmë çdo person në momentin që kemi elemente të mjaftueshme që përmbushen elemente të ndonjë vepre penale”, tha Pula.

Në anën tjetër, Pula tregoi për veprat penale me të cilat mund të ballafaqohen qytetarët rreth procesit të zgjedhjeve, teksa u bëri thirrje atyre që të mos e fotografojnë votën.

“I kemi 11 vepra penale kundër të drejtës së votimit. Cënimi i përcaktimit të lirë të votuesve është kur dikush e detyron dikë të votojë kundër dëshirës së vet qoftë në varësi ekonomike, qoftë në kërcënim apo kanosje. Cënimi i fshehtësisë së votimit, ne të gjithë e dimë që vota është e fshehtë, prandaj bëj apel të gjithë qytetarëve që kur të shkojnë te kutitë e votimit të mos i fotografojnë votat, pasi automatikisht do të ndalohen”, tha ajo.


Veton Berisha dëshmon në Polici kundër Elbert Krasniqit mbi dyshimet për ndikim, i publikon pamjet

Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha ka publikuar pamje me të cilat pretendon se kryetari i IRDK-së, Elbert Krasniqi, njëherësh ministër në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, ka bërë presion te qytetarët e këtij komuniteti.

Berisha, në rrjetin social Facebook, ka thënë se sipas pamjeve, shihet ministri në detyrë, Elbert Krasniqi, truprojës së tij, Visar Vokshi dhe kryetarit të degës së IRDK-së, Avdyl Berisha, në fshatin Brestovik të Komunës së Pejës, në një zonë të banuar nga komuniteti egjiptian.

“Sipas informacioneve dhe dyshimeve të ngritura, të njëjtit janë parë që nga ora 07:30 e mëngjesit në këtë fshat, duke përdorur edhe veturë zyrtare. Ekzistojnë dyshime se prania dhe veprimet e tyre mund të kenë ndikuar në procesin e rregullt zgjedhor, përmes presionit, ndikimit apo tentativës për të devijuar vullnetin e lirë të qytetarëve.”, ka shkruar Berisha.

Ai ka thënë se të dy këta persona janë kandidatë në këto zgjedhje, sipas tij, ky rast meriton trajtim të plotë institucional dhe verifikim nga organet kompetente për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje të legjislacionit zgjedhor dhe të heshtjes zgjedhore.

“Rastin e kemi denoncuar në Policinë e Kosovës dhe presim që institucionet e drejtësisë ta trajtojnë me seriozitet të plotë, në mënyrë që të garantohet integriteti i procesit zgjedhor dhe respektimi i vullnetit të qytetarëve. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe askujt nuk duhet t’i lejohet të cenojë dinjitetin dhe të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm.”, ka shkruar Berisha.

Koordinatorja për proocesin zgjedhor, prokurorja Laura Pula ka njoftuar për Klan Kosovën se ky rast po hetohet dhe se Veton Berisha është duke u intervistuar.

“Veton Berisha eshte duke u intervistuar në policinë rajonale të Pejës, për rastin që e ka raportu ai ushtrim i ndikimit. Por në intervistim ka deklaru “na e kemi pa Elbert Krasniqin duke ardhë me percjellje dhe kemi mendu që mumd të ketë ndikim”, proces ky i cili mbetet të vërtetohet pas intervistimit te Elbertit.”, ka thënë Pula.


Malishevë, drejtori i qendrës flet për problemin me bluzat e komisionerëve

Në fshatin Astrazup të Malishevës në qendrën “Ganimete Tërbeshi” procesi i votimit po shkon në mënyrë të qetë dhe të rregullt.

Gazetarja e Klan Kosovës, Sala Gashi ka intervistuar drejtorin e kësaj shkolle, Rasim Morinai cili tha se deri në tash kanë votuar 115 votues.

Megjithatë, ai tregoi për problemin me bluzat e komisionerëve, transmeton Klankosova.tv

“Në qendrën e votimit 30/08 kanë të drejtë 2 mijë e 281 votues, deri në ora 11:00 kanë dalë 115 ose 5.07% të votuesve. Krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit që deri në ora 09:00 kanë dalë 5% do thotë pjesëmarrja është më e vogël. Procesi ka shkuar në rregull. Një problem që ka ndodhur nga KQZ, në bluzat që i kanë komisionerët kësaj here e kanë shkruar numrin gabim, prej numrit 1 që duhet me shkru komisioneë, ia kanë shkruar numrin shumës që institucionet duhet me pasë përgjegjësi edhe në këtë drejtim”, tha ai.


Konjufca pas votimit: Kosova ka ndërtuar traditë demokratike

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Glauk Konjufca, pas votimit tha se pret që procesi zgjedhor të zhvillohet i qetë dhe pa incidente, duke vlerësuar se Kosova ka ndërtuar tashmë një traditë demokratike dhe zgjedhore.

Konjufca tha se merita kryesore për këtë, sipas tij, u takon qytetarëve të Kosovës, të cilët e mbajnë gjallë demokracinë përmes pjesëmarrjes në zgjedhje.

“Unë uroj që kjo ditë të shkojë e mbarë, e mirë, pa ndonjë eksces. Kosova tashmë ka krijuar një traditë të zgjedhjeve nacionale, një traditë të demokracisë e cila është konsoliduar përgjatë viteve. Për këtë, më meritorët janë vetë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët e shfrytëzoj rastin t’i falënderoj, sepse vetëm ata mund ta mbajnë gjallë demokracinë”, tha ai, transmeton Klankosova.tv.

Ai tha se fushata zgjedhore ka kaluar qetë dhe se subjektet politike kanë pasur mundësi t’i prezantojnë programet dhe vizionet e tyre para qytetarëve.


Prishtinasit të parët për pjesëmarrje në votim deri në 11:00

Sipas të dhënave të pjesëmarrjes në votime nga KQZ, deri tani numrin më të madh  të votuesve që kanë dalë e ka Prishtina me 24,948 votues, e ndjekur nga Prizreni me 11,355, Ferizaj me 10,987 dhe Peja me 9,313.

Më pas renditen Gjilani me 9,111, Gjakova me 8,893, Mitrovica e Jugut me 6,703 dhe Vushtrria me 6,237 votues.

Procesi zgjedhor brenda vendit po zhvillohet në 949 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime, prej të cilave 911 qendra me 2,498 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.


“S’po di, s’po shoh”, e moshuara nuk arrin të votojë në Rahovec

Në Rahovec, një e moshuar ka pasur problem për të ushtruar të drejtën e votës në zgjedhjet e sotme.

Në një prononcim për Klan Kosovën, ajo ka thënë se nuk di të shkruajë dhe se nuk po i lejohet ndihmë.

“Nuk dimë me shkru, dhe bashkëshorti s’po di, s’po sheh, s’po na lënë me votu”, ka deklaruar ajo.


Përditësohen të dhënat e KQZ, rreth 8% pjesëmarrja e qytetarëve në votim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat e pjesëmarrjes në votime për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Sipas të dhënave nga platforma e KQZ-së, deri në ora 11:00 në nivel vendi kanë votuar 7.98% të qytetarëve me të drejtë vote, raporton klankosova.tv.

Nga rreth 2 milionë qytetarë me të drejtë vote, deri tash kanë votuar 156 mijë e 474 qytetarë.


Kandidatja për presidente dhe bartësja e listës së LDK-së, Vjosa Osmani, pas votimit në zgjedhjet e sotme ka thënë se Kosova ka kaluar shumë sfida, por gjithmonë ka gjetur forcën për të ecur përpara falë qytetarëve të saj.

Përmes një postimi në Facebook, ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe të votojnë, raporton Klankosova.tv.

“Kosova ka kaluar shumë sfida, por gjithmonë ka gjetur forcën të ecë përpara falë qytetarëve të saj. Falë njerëzve që nuk janë dorëzuar kurrë para zhgënjimit, që kanë vazhduar të besojnë se e nesërmja mund të jetë më e mirë se e djeshmja. Sot, fuqia është në duart tuaja, qytetarë të dashur. Fuqia është në një votë e një vendim që askush tjetër nuk mund ta marrë në vend tuajin. Dilni dhe votoni me bindjen tuaj, me shpresën tuaj dhe me dashurinë për Kosovën. Sepse demokracia është gjithnjë më e fortë kur flasin qytetarët”, ka shkruar Osmani.


“Prita 1 orë, nuk e lanë djalin me m’asistu”, 76-vjeçarja largohet nga qendra e votimit pa votuar

Një qytetare 76-vjeçare në Kamenicë është larguar nga qendra e votimit pa ushtruar të drejtën e votës, pasi nuk është lejuar të votojë me asistencë nga familjari i saj.

Ajo ka thënë se prej vitesh ka votuar me ndihmën e djalit, por kësaj here nuk është lejuar të asistojë.

“Zakonisht që 6 vjet që më ka vdek burri kam votu me djalin, s’po e lajnë djalin me më ndihmu. Letrat e mjekut i kam marrë prej mjekut të njëjtë. Brenda kam nejt gati 1 orë”, ka deklaruar ajo.

Kryetarja e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Kamenicë, Besime Maliqi, ka deklaruar se komisioni është i njoftuar me rastin e raportuar dhe se procedurat po zbatohen sipas rregullave të KQZ-së.

Sipas saj, nuk lejohet që një person të asistojë votuesin pa vërtetim nga specialisti mjekësor.

Ajo ka sqaruar se në rastin konkret është paraqitur vetëm një raport mjekësor nga ambulanca në Kamenicë, i cili nuk është raport specialistik.


Rama voton në Prishtinë: Është dita ku secili qytetarë duhet me shfrytëzu të drejtën për një shtet demokratik

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka shfrytëzuar të drejtën e tij të votës.

Rama shfrytëzoi të drejtën e tij të votës, ndërsa pas procesit u prononcua për media, raporton klankosova.tv.

Ai tha se demokracia është një proces që është fituar me gjak dhe nuk duhet të mirret si e mirëqenë.

“Demokracia nuk është diçka që nuk na ka pikë prej qiellit, është një proces që është fitu me gjak dhe me sfida të ndryshme dhe nuk duhet me trajtu si të mirëqenë. Sot është dita ku secili qytetarë duhet me shfrytëzu të drejtën, fuqinë e vet për me votu, për një shtet demokratik”, tha ai.


Totaj voton në Prizren: Të respektohet procesi dhe të zgjidhen më të mirët

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka shfrytëzuar të drejtën e votës në këtë komunë gjatë zgjedhjeve të sotme.

Pas votimit, ai është prononcuar për media, duke shprehur pritshmëritë për një proces të rregullt dhe me pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve.

“Dita, koha e mirë, po besojmë se do të ketë numër të mjaftueshëm të votuesve për t’i dhënë legjitimitet zgjedhjeve, dhe po besoj se qytetarët do të dinë kë të votojnë. Le të votojnë më të mirët, por para kësaj le të tregojmë kulturë, të respektojmë partitë dhe njëri-tjetrin, dhe të rikonfirmojmë se dimë të organizojmë zgjedhje, dhe të mos na ndodhin defekte si herën e kaluar, ndoshta jo të votimit, por të numërimit”, ka deklaruar Totaj.


Qytetari nga Skenderaj voton me kusht: Ishalla pin ujë kjo punë

Qytetari nga Skenderaj, Rrustem Rrustemi ka votuar me kusht në qendrën e votimit në këtë qytet.

Ai ka thënë se është nga fshati Açarevë, por që jeton në qytet tash e 10 vite.

“Arsyeja e votimit me kusht është se unë para katër viteve kam votuar në Açarevë, por jetoj këtu që 10 vite. Qe dy herë shkoj në shkollën “Shaban Jashari” për të votuar, por me thonë të votojë me kusht, ose të shkojë në Açarevë. Me shku me taksi në Açarevë s’kom mundësi, qata po votoj këtu me kusht”, ka thënë Rrustemi.

Ai ka komentuar edhe procesin zgjedhor dhe votimin e tij.

“Ishalla pin ujë qikjo punë.”, ka thënë ai.


Maliqi: Në rastet e votimit me asistencë kërkohet vërtetim specialistik mjekësor

Në Kamenicë është raportuar një rast ku një qytetare 76-vjeçare nuk është lejuar të votojë me asistencë nga familjari i saj, për shkak të mungesës së vërtetimit të kërkuar mjekësor sipas procedurave zgjedhore.

Kryetarja e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Kamenicë, Besime Maliqi, ka deklaruar se komisioni është i njoftuar me rastin e raportuar dhe se procedurat po zbatohen sipas rregullave të KQZ-së.

Sipas saj, nuk lejohet që një person të asistojë votuesin pa vërtetim nga specialisti mjekësor.

Ajo ka sqaruar se në rastin konkret është paraqitur vetëm një raport mjekësor nga ambulanca në Kamenicë, i cili nuk është raport specialistik.


Fshati Dragobil i Malishevës, drejtori i qendrës tregon rastin e ‘hutisë’ në votim të një të moshuari

Në fshatin Dragobil të Malishevës në qendrën “Emin Duraku” procesi i votimit po shkon në mënyrë të qetë dhe të rregullt.
Gazetarja e Klan Kosovës, Sala Gashi ka intervistuar drejtorin e kësaj shkolle, Arianit Paqarizi i cili tha se deri në tash kanë votuar 105 votues.Në fshatin Dragobil në qendrën “Emin Duraku” procesi i votimit po shkon në mënyrë të qetë dhe të rregullt.

Gazetarja e Klan Kosovës, Sala Gashi ka intervistuar drejtorin e kësaj shkolle, Arianit Paqarizi i cili tha se deri në tash kanë votuar 105 votues.

“Procesi është duke shkuar në mënyrë të rregullt, deri tash kemi 105 votues, zakonisht pas orës 12:00 kemi më shumë votues. Në këtë qendër i kemi dy pika, të drejtë kanë 1 mijë e 790 votues. Kemi pasur një votues ka qenë më në moshë, e ka marrë listën e kandidatëve përshembull e ka bë votimin në listë të kandidatëve ka dashtë fletorja që është për udhëzim për të drejtën e votuesve dhe të drejtën e kandidatëve, ka dashtë me vendos ata nuk e ka vendos fletën e votimit, kryekomisionerja ia ka dhënë sqarimet e sakta, atë e kemi anulu e kena vendos një fletore të re, diçka tjetër jo”.


Abdixhiku: Sot është ditë feste për Kosovën, qytetarët vendosin për 4 vitet e ardhshme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër nga kjo parti, Lumir Abdixhiku, ka shfrytëzuar të drejtën e votës në zgjedhjet e sotme.

Abdixhiku votoi në qendrën e votimit të vendosur në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë.

Pas votimit, ai vlerësoi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke thënë se Kosova po organizon zgjedhje demokratike dhe në përputhje me standardet.

“Fatmirësisht, Kosova organizon zgjedhje të mira dhe të mbara demokratike. Sot presim në këtë ditë të mirë e të bukur edhe zgjedhje të mira demokratike. Deshta, në emër të LDK-së, t’i falënderoj të gjithë komisionerët e të gjitha partive, të cilët po bëjnë një punë të shkëlqyeshme në mbarëvajtjen e këtij procesi. Të uroj Prokurorinë e Kosovës që siguron që ky proces të jetë i drejtë dhe i mbarë, Policinë e Kosovës dhe natyrisht anëtarët e KQZ-së, si dhe ju mediat që keni nisur ditën që nga mëngjesi herët dhe po punoni deri në fund të saj për t’i informuar qytetarët. Është ditë feste, ditë gëzimi për Kosovën. Janë të gjitha kushtet që Kosova të vendosë fatin e saj për katër vitet e ardhshme”, tha Abdixhiku.


Haxhiu bën thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka ushtruar të drejtën e saj të votës në shkollën “Meto Bajraktari” në Prishtinë.

Pas votimit, ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe të votojnë, duke theksuar rëndësinë e maturisë, respektit dhe dashurisë për vendin gjatë procesit zgjedhor.


Dita e zgjedhjeve, ambasadori britanik tregon se e nisi ditën në KQZ

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka njoftuar se ditën e sotme e ka nisur me një vizitë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ku është takuar me kryesuesin, Kreshnik Radoniqi.

“E nisa ditën duke vizituar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Prishtinë për t’u takuar me Kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi”.

Ai në Facebook njoftoi se Radoniqin e ka falënderuar për punën në këtë ditë ku kosova po voton në zgjedhjet e parakohshme.

“E falënderova atë dhe ekipin e tij për punën e shkëlqyer që bënë në ciklin e mëparshëm zgjedhor”. U takova me ekipin e IT-së, prokurorin në detyrë dhe koordinatorin e Policisë së Kosovës”.

“I falënderova për përpjekjet e ekipeve të tyre për t’i bërë zgjedhjet e sotme të shkonin pa probleme. Ka kaq shumë njerëz që punojnë pa u lodhur prapa skenave sot për të siguruar një proces demokratik të qetë dhe efikas. Tani është në dorë të popullit të Kosovës të dalë dhe të votojë!”, shkruan diplomati britanik.


Abdixhiku voton në Prishtinë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër nga kjo parti, Lumir Abdixhiku, ka shfrytëzuar të drejtën e tij të votës në zgjedhjet e sotme.

Abdixhiku votoi në qendrën e votimit të vendosur në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë.


Haxhiu voton në “Meto Bajraktari” në Prishtinë

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka shfrytëzuar të drejtën e saj të votës.

Ajo ka hedhur votën e saj në shkollën “Meto Bajrakatari” në Prishtinë.


Qytetarët e Klinës në disponim për të votuar

Qytetarët e Klinës po shfaqin disponim të madh për votim.

Sipas të dhënave të KQZ-së deri në ora 09:00 kanë votuar 1 mijë e 12 qytetarë, raporton KlanKosova.tv.

Në shkollën “Fehmi Agani”, gazetarja e Klan Kosovës, Amantina Hasani ka raportuar se nuk është raportuar asnjë parregullësi.

Menaxheri i kësaj qendre, Sami Bardheci tha se në ‘krahasim me zgjedhjet e kaluara në dhjetor, janë 50 votues më shumë deri në ora 09:00’.

“Përgatitjet janë bërë me kohë, nga ora 07:00 janë hapur dhomat e votimit ku kanë pasur të drejtën të votojnë qytetarët që kanë qenë të pranishëm. Krahasim me zgjedhjet e kaluara në dhjetor, janë 50 votues më shumë deri në ora 09:00”, tha ai.


KQZ: S’lejohen lëshimet e vërtetimeve mjekësore gjatë ditës së zgjedhjeve, rastet e tilla raportohen në polici

Prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) është bërë e ditur se sot nuk lejohet lëshimi i vërtetimeve mjekësore, pasi asnjë institucion publik nuk mund të lëshojë dokumente gjatë ditës së diel.

Sipas KQZ-së, në rastet kur paraqiten situata të tilla, ato raportohen në Policinë e Kosovës.

Këto komente nga KQZ-ja janë bërë pasi në Kamenicë është raportuar një rast i tillë, ku një qytetare ka mbetur në kabinë të votimit, pasi i është kërkuar vërtetimi mjekësor i para një jave.


Kamenicë: Qytetarja mbetet në kabinë, kërkohet që vërtetimi mjekësor të jetë i një jave më herët

Në Kamenicë, në qendrën më të madhe të votimit, është raportuar një situatë ku një qytetare 76-vjeçare, Ajete Berisha, ka mbetur në kabinë pasi nuk është lejuar të votojë me asistencë nga familjari i saj.

Djali i saj, Hamdi Berisha për Klan Kosova, ka thënë se familja është përballur me kërkesën që për asistencë të kërkohet vërtetim mjekësor i lëshuar një javë më herët, çka sipas tij ka pamundësuar procesin e votimit, pasi ata kanë vërtetimin nga mjeku të datës së sotme.

Sipas tij, nëna e tij nuk është e aftë për të votuar pa ndihmë për shkak edhe të gjendjes shëndetësore dhe sëmundjeve shoqëruese.

Menaxheri i qendrës ka deklaruar se ky rregull ka qenë edhe në proceset e kaluara, por sipas qytetarëve ka paqartësi rreth zbatimit të tij.

Prej KQZ-së po thonë se sot për sot nuk lejohet lëshimi i vërtetimeve, për shkak se asnjë institucion publik nuk mund të lëshojë dokumente në ditë të diel. Sipas tyre, në rastet e tilla, KQZ i raporton ato në Polici.


Hamza pas votimit: Sot vendosim për 4 vitet e ardhshme të Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka votuar në shkollën “Andon Zako Çajupi” në Mitrovicë.

Pas votimit, ai ka bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe në procesin zgjedhor.

“I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës ta shfrytëzojnë këtë ditë të bukur për me dal me votu, me votu sipas bindjeve të tyre politike, në mënyrë të lirë, të qetë, demokratike. Është ditë e bukur për me e shfrytëzu këtë të drejtë, sepse sot vendosim për të ardhmen për katër vitet e ardhshme”, ka deklaruar Hamza.


Bedri Hamza voton në Mitrovicë, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidat për kryeministër, Bedri Hamza nga ky subjekt politik ka votuar në zgjedhjet e sotme.

Ai votën e ka hedhur në shkollën “Andon Zako Çajupi” në Mitrovicë, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, njofton Klankosova.tv.


Fluks i madh votuesish në “Meto Bajraktari” në Prishtinë

Gazetarja e Klan Kosovës, Gresa Nitaj, raportoi nga qendra e votimit në “Meto Bajraktari” në Prishtinë se është regjistruar fluks i madh votuesish.

Sipas saj, nga rreth 7,200 votues, mbi 400 prej tyre kanë ushtruar të drejtën e votës deri më tani.

Deri në këto momente nuk është raportuar për ndonjë parregullsi, ndërsa i vetmi problem ka qenë orientimi i votuesve, i cili sipas qendrës është i menaxhueshëm.


Veton Berisha e denoncon në polici Elbert Krasniqin: Po ndikon te qytetarët

Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha e ka denoncuar në Policinë e Kosovës kryetarin e IRDK-së, Elbert Krasniqin, njëherësh ministër në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal.

Ai ka thënë se Krasniqi bashkë me sigurimin e tij ka qëndruar në fshatin Brestovik të Pejës, vendbaniom ky i banuar me komunitetin egjiptian.

Berisha pretendon se Krasniqi së bashku me sigurimin e tij janë duke ndikuar në procesin zgjedhor.

“Sot në orën 08:15 kam marrë telefonata nga fshati Brestovik në Komunën e Pejës, është vendbanim I banuar me komunitetin egjiptian. Në atë kohë është gjetur ministri në detyrë me veturtë zyrtare dhe me sigurimin personal. Për këtë rast kam siguruar pamje. Ky veprim është i papranueshëm. Prezenca e tij ka të bëjë me pengimin e daljes së njerëzve për të votuar. Konsideroj se është bërë shkelje e procesit zgjedhor dhe kodit të sjelljes në ditën e votimit.”, ka thënë Berisha.


Gjini: Ftoj qytetarëve të Kosovës me dal me votu me marrë Kosovën në duart e veta

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini ka shfrytëzuar të drejtën e tij të votës.

Gjini i është drejtuar kutive të votimit në qendrën e votimit “Fehmi Agani” në Gjakovë, raporton klankosova.tv.

Pas përfundimit të këtij procesi Gjini i është drejtuar mediave.

“Sot është ditë e mirë, mot i mirë, i ftoj qytetarëve të Kosovës me dal me votu me marrë Kosovën në duart e veta. Kosova i përket qytetarëve dhe ata duhet ta thonë fjalën e vet sot”, tha ai.


Gjini voton në Gjakovë

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini ka shfrytëzuar të drejtën e tij të votës.

Gjini i është drejtuar kutive të votimit në qendrën e votimit “Fehmi Agani” në Gjakovë, raporton klankosova.tv.

Kujtojmë se më herët të drejtën e votës e shfrytëzoi edhe ish-kreu i kësaj partie në Gllogjan.


Osmani: Shpresoj shumë që sa më shumë qytetarë të shfrytëzojnë të drejtën e votes

Ish presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shfrytëzuar të drejtën e saj të votës.

Osmani e shoqëruar nga bashkëshorti i saj i është drejtuar vendvotimit në shkonllën “Shkëndija” në Hajvali, raporton klankosova.tv.

Pas përfundimit të procesit të votimit, Osmani i është adresuar mediave.

“Dua të uroj për të gjithë qytetarët një proces zgjedhor të rregullt, që i kontribuon demokracisë në vendin tonë, krijimit të institucioneve që Kosova të dal nga krizat e njëpasnjëshme. Shpresoj shumë që sa më shumë qytetarë të shfrytëzojnë të drejtën e votës”, tha ajo.


Osmani vlerëson pjesëmarrjen e qytetarëve: Pa ta s’ka demokraci

Kandidatja për presidente nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur para se të votojë në shkollën “Shkëndija” në Hajvali.

Në një prononcim për gazetaren e Klan Kosovës, Blerta Ahmeti, Osmani ka vlerësuar pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin zgjedhor.

“Jemi në heshtje zgjedhore, por normalisht jam shumë e lumtur me mënyrën se si qytetarët e Kosovës e marrin si detyrim kombëtar mundësinë për të kontribuar në çdo proces zgjedhor, sepse kjo është shumë me rëndësi, sepse pa ta s’ka demokraci, dhe jam tepër mirënjohëse për gjithçka që bëjnë për këtë vend dhe nuk e ndalin kurrë kontributin”, ka deklaruar Osmani.


Vjosa Osmani voton në Hajvali

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shfrytëzuar të drejtën e saj të votës.

Osmani e shoqëruar nga bashkëshorti i saj i është drejtuar vendvotimit në shkonllën “Shkëndija” në Hajvali.


Kurti pas votimit bën thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ushtruar të drejtën e tij të votës në Fakultetin Juridik në Prishtinë.

Pas votimit, Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke theksuar rëndësinë e verifikimit paraprak të vendvotimeve para se të nisen drejt qendrave të votimit.

“Mirëmëngjesi të gjithëve, sot është një ditë e bukur dhe e rëndësishme, e diel me diell. Bëj thirrje që qytetarët paraprakisht ta verifikojnë vendvotimin dhe pastaj të nisen,” ka thënë ai.


Mërgimtari: Votën e ushtroj atje ku jetoj, në Kosovë vij vetëm për pushime

Një mërgimtar i cili është nisur drejt Kosovës për pushime ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në votimet që po mbahen sot në vend.

Në një prononcim për gazetaren e Klan Kosovës, Artina Breznica, ai ka thënë se nuk e sheh të arsyeshme të votojë në Kosovë, pasi sipas tij jeton dhe ushtron të drejtën e votës në shtetin ku banon.

“Ne ushtrojmë të drejtën e votës atje ku jetojmë. Ne vijmë këtu vetëm për pushime, për atë arsye nuk e shoh të vlefshme me votu në Kosovë”, tha ai.


Albin Kurti voton në Fakultetin Juridik

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ushtruar të drejtën e tij të votës në Fakultetin Juridik në Prishtinë.

Ai ka votuar në orën 09:35.


Votimi në Vushtrri: Atmosferë e mirë në votime

Në komunën e Vushtrrisë procesi zgjedhor po zhvillohet në një atmosferë të mirë.

Gazetarja Bleona Thaçi ka njoftuar se dalja e qytetarëve në votime vlerësohet si e mirë, ndërsa deri në këto momente procesi po karakterizohet me rregull dhe qetësi, duke e renditur Vushtrrinë ndër komunat më të qeta gjatë ditës së zgjedhjeve.

Sipas të dhënave të përcjella nga terreni, vërehet edhe një rënie e numrit të votuesve krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Derisa më parë kanë qenë rreth 78 mijë votues, këtë herë numri është rreth 72 mijë, njofton Klankosova.tv.

Kosova po voton në zgjedhjet e parakohshme parlamentare ku të drejtë vote kanë mbi 2 milionë qytetarë.


KQZ: 58,262 votues deri në orën 09:30

Deri në orën 09:30, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në Listën e Votuesve janë 2.092.174 qytetarë, ndërsa kanë votuar 58,262 qytetarë.

Këto të dhëna janë publikuar përmes platformës elektronike të KQZ-së për rezultatet preliminare dhe pjesëmarrjen në zgjedhje.


268 qytetarë votojnë deri në ora 09:00 në qendrën “Ibrahim Rugova” në Obiliq

Qendra më e madhe e votimit në Obiliq “Ibrahim Rugova” po kalon orë të qeta të mëngjesit në procesin e zgjedhjeve parlamentare.

Gazetarja e Klan Kosovës, Blerina Doshlaku tha se deri në orën 09:00 në këtë qendër kanë votuar 268 qytetarë, raporton klankosova.tv.

“Obiliqi është shumë i qetë në mëngjes. Aktualisht siç na u tha nga menaxherja e kësaj qendre Fatmire Mjekiqi, nga 8 mijë qytetarë që numëron kjo qendër e votimit, në zgjedhjet e kaluara kishin votuar rreth 5 mijë qytetarë, por që sipas asaj që u tha deri tani rreth orës 09:00 kanë votuar 268 qytetarë me të drejtë vote”.


Votimi në Prizren vijon pa probleme, Hyseni: Proces i qetë dhe i organizuar

Nga Qendra Komunale e Numërimit në Prizren ka folur Nexhmedin Hyseni, i cili mban edhe një pozitë brenda KQZ-së.

Nga aty, gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, ka realizuar një intervistë me Hysenin, ku ai ka folur për procesin e deritanishëm të numërimit të votave.

Hyseni ka deklaruar se procesi po zhvillohet pa probleme dhe sipas planit të aktiviteteve të KQZ-së.

“Te gjitha planet e bëra nga KQZ, sipas planit të aktiviteteve, kanë shkuar me rregull dhe në mënyrë të qetë, edhe falë bashkëpunimit institucional me Policinë, partitë politike dhe stafin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, kemi bërë një punë të mirë deri tani”, tha ai.


Prishtinë: Pjesëmarrje e ulët në shkollën fillore “Faik Konica”

Nga shkolla fillore “Faik Konica” në Prishtinë raportohet për pjesëmarrje të ulët e votuesve në orët e para të procesit zgjedhor.

Sipas të dhënave nga gazetari Liridon Zeqiri për dy orë kanë votuar vetëm 165 persona, apo rreth 3.15 për qind, një dalje më e ulët krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

Sipas raportimeve, pritej pjesëmarrje më e lartë, edhe për shkak të kushteve të motit.


Përditësohen të dhënat në platformën e KQZ: 2.67% pjesëmarrja e votuesve deri në ora 09:00

Sipas të dhënave nga platforma e KQZ-së, deri në ora 09:00 në nivel vendi kanë votuar 2.67% të qytetarëve me të drejtë vote, raporton Klankosova.tv.


Kjo është platforma e KQZ-së për rezultatet preliminare dhe daljen në zgjedhje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar linkun e platformës elektronike për publikimin e rezultateve preliminare dhe statistikave për pjesëmarrjen në votime për çdo komunë, qendër votimi dhe vendvotim në zgjedhjet e parakohshme.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka dhënë detaje përmes një postimi në Facebook.

“ Në këtë platformë do të publikohen të dhëna për pjesëmarrjen e votuesve në votime në gjashtë orare (09:00; 11:00; 13:00; 15:00; 17:00 dhe 19:00) nga Qendrat e Votimit dhe rezultatet preliminare të subjekteve politike pas numërimit të fletëvotimeve në vendvotime.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve të subjekteve politike të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës bëhet në vendvotim, pasi të përfundojë procesi i votimit, ndërkaq, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë bëhet në Qendra Komunale të Numërimit”, shkroi ai, njofton Klankoisova.tv.

https://resultsparliamentary2026.kqz-ks.org/


Drenas: Qendrat e votimit u hapën me kohë, fluks para orarit

Nga komuna e Drenasit, në shkollën “Rasim Kiçina”, gazetari Kastriot Tahiri raporton se rreth 5 mijë qytetarë kanë të drejtë vote në këtë qendër.
Në të gjithë komunën e Drenasit, të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë, ndërsa u vërejt se shumë qytetarë kishin ardhur para hapjes së tyre.

Drenasi numëron gjithsej 55 mijë e 711 votues.


Sa është numri i votuesve në të gjitha zgjedhjet në Kosovë?

Kosova sot po voton në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Gazetari i Klan Kosovës, Enis Reçica, ka prezantuar grafikisht statistika të përgjithshme nga 11 procese zgjedhore që nga viti 2000 e deri më sot.

Sipas të dhënave, në Kosovë janë zhvilluar edhe 8 procese për kuvendet komunale, si dhe 6 procese për zgjedhjen e kryetarëve të komunave.

Reçica ka paraqitur gjithashtu të dhëna krahasuese për pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset zgjedhore nga viti 2009 deri në dhjetor 2025, duke treguar ndryshimet në daljen e votuesve ndër vite.


Nusja shkon me “duvak” për të votuar

Në qendrën e votimit “Sveti Sava” në Mitrovicën e Veriut është raportuar një rast i veçantë, ku një votuese me origjinë serbe ka ushtruar të drejtën e saj të votës e veshur me duvak.
Ngjarja është vënë re gjatë procesit zgjedhor në këtë qendër, ku qytetarët po votojnë në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.


Elezi (KQZ): Qendrat e votimit janë hapur me kohë në të gjithë vendin 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se të gjitha qendrat e votimit në Kosovë janë hapur me kohë dhe procesi zgjedhor po zhvillohet në të gjithë vendin.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media tha se votimi brenda Kosovës po organizohet në 949 qendra votimi me gjithsej 2,550 vendvotime.

Sipas tij, prej tyre 911 qendra me 2,498 vendvotime shërbejnë për votimin e rregullt, ndërsa 38 qendra, nga një në secilën komunë me 52 vendvotime, janë të dedikuara për votimin me kusht.

Elezi theksoi gjithashtu se sipas Listës Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në Kosovë është 1,959,962 votues.


Viti: Mbi 47 mijë votues, procesi po zhvillohet normalisht në “Kuvendi i Lezhës”

Nga Vitia raportohet se mbi 47 mijë qytetarë kanë të drejtë vote, rreth 2 mijë më pak se në proceset e kaluara zgjedhore.

Sipas menaxherit të qendrës “Kuvendi i Lezhës”, gjithçka po funksionon normalisht dhe procesi zgjedhor po zhvillohet pa probleme në këtë qendër që konsiderohet më e madhja në komunë.


Gjakovë: Atmosferë e qetë në ditën e votimit, interes i ulët i qytetarëve

Në Gjakovë po mbretëron atmosferë e qetë në ditën e votimit.

Në qendrën më të madhe të votimit, në shkollën “Fehmi Agani”, qytetarët kanë filluar të ushtrojnë të drejtën e votës që nga ora 07:00.

Nga terreni po raporton gazetarja e Klan Kosovës, Diellëza Berisha, e cila thotë se deri në këto momente nuk është vërejtur interes i lartë i qytetarëve.


Qendra e votimit në “Fakultetin Teknik”, Kurtaj: Gjithçka po shkon mirë deri në këto momente 

Qendra e votimit në “Fakultetin Teknik” në Prishtinë është hapur me kohë.
Gazetarja e Klan Kosovës, Gresa Nitaj ka thënë se deri tani në këtë qendër të votimit numri i qytetarëve që po e ushtrojnë të drejtën e tyre të votës është i vogël, raporton Klankosova.tv.

“Që nga hapja është vërejtur një numër jo i madh i votuesve që kanë ardhur për të votuar këtu”.
Menaxheri i qendrës Valon Kurtaj tha se në këtë qendër gjithçka po shkon në rregull.

“Qendra është hapur me kohë, do thotë në ora 07:00, gjithë materiali ka ardhur me kohë dhe gjithçka po shkon mirë deri në këto momente. I gjithë procesi po shkon mirë kemi gjithsej 5 vendvotime në këtë qendër dhe deri tani nuk kemi probleme”, tha ai.


Suharekë: 66 mijë votues në 34 qendra, proces i qetë në “Skender Luarasi”

Nga qyteti i Suharekës nga gazetarja e Klan Kosovës, Sala Gashi është bërë e ditur se gjithsej janë 66 mijë votues të shpërndarë në 34 qendra votimi.
Nga shkolla “Skender Luarasi”, përgjegjësi i kësaj qendre, Hamdi Bytyqi, ka thënë se dita e votimit po zhvillohet e qetë, pasi të gjitha përgatitjet janë bërë me kohë.

Sipas tij, në këtë qendër kanë ardhur me kohë edhe organet e sigurisë, ndërsa në këtë vendvotim janë rreth 8 mijë votues.


Ferizaj: Pensioneri ankohet se bashkëshortja që s’di shkrim e lexim s’mundi të votojë 

Në qendrën e votimit “Tefik Çanga” në Ferizaj ka nisur procesi zgjedhor, ku në terren po raporton gazetarja e Klan Kosovës, Gentiana Gashi.

Gjatë një lidhjeje direkte, një pensionist është shprehur i pakënaqur pasi bashkëshortja e tij, e cila nuk di shkrim e lexim, nuk ka mundur të ushtrojë të drejtën e votës.

“Jam i pakënaqur për arsye se bashkëshortja ime s’mund të shfrytëzojë të drejtën e saj ligjore dhe kushtetuese me votu, për të cilën jemi ardh. Si gjithherë kemi ardh me votu me dokument valid, por…e kemi marrë përgjigje se nuk mundet me votu, me i ndihmu askush, sepse kjo s’din shkrim e lexim, sikur çdo herë, por dikush e ka ndihmu me asistu”, tha mes tjerash ai.


Qendra më e madhe e votimit në Skenderaj hapet me kohë

Qendra më e madhe e votimit në Skenderaj “Anton Gjeta” është hapur me kohë.
Gazetarja e Klan Kosovës, Gremisa Latifi tha se në këtë qendër votimi ka një rritje të numrit të qytetarëve me të drejtë vote nga zgjedhjet e kaluara, raporton klankosova.tv.

“Kjo është qendra më e madhe e votimit, në këtë qendër kanë të drejtë vote mbi 6 mijë persona. Në këtë qendër është shtuar numri i votuesve. Ndërsa në tërësi në Skenderaj mbi 51 mijë persona, që këtë të drejtë mund ta ushtrojnë në 33 qendra të votimit e në 77 vendvotime”, tha Latifi.


Podujevë: Procesi zgjedhor nis normalisht, interes i ulët në orët e para 

Në shkollën “Dr. Ibrahim Rugova” në Podujevë, e cila është edhe qendra më e madhe e vendvotimit në këtë komunë me 80,917 votues me të drejtë vote, procesi zgjedhor ka nisur dhe po zhvillohet normalisht.

Gazetarja e Klan Kosovës, Artina Breznica, raporton nga terreni se deri tani gjithçka po shkon pa probleme.

Por, sipas saj, interesi i qytetarëve në orët e para të mëngjesit mbetet i ulët./Klankosova.tv


Pejë: Pjesëmarrje e ulët në qendrën e votimit “Lidhja e Prizrenit” 

Nga qendra e votimit në “Shkollën Lidhja e Prizrenit” në Pejë raportohet për një numër të vogël qytetarësh në orët e para të procesit zgjedhor.
“Po kemi votuar. Në të gjitha zgjedhjet kam votuar, duhet me votu gjithmonë”, ka thënë një qytetar i intervistuar në vendvotim, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje.

Nga Peja për Klan Kosova po raporton gazetarja Qëndresa Bellagoshi.


“S’kisha dashtë më zgjedhje”, thotë një votues nga Gjilani

Në qendrën më të madhe të votimit në Gjilan, procesi zgjedhor ka nisur me kohë, ndërsa qytetarët kanë filluar të paraqiten edhe para orës 07:00.

Nga aty ka raportuar gazetarja e Klan Kosovës, Endrita Bajrami, e cila ka bërë të ditur se në këtë komunë të drejtë vote kanë 102,225 qytetarë.

Një nga qytetarët e intervistuar, tha se se nuk pret më zgjedhje në vend.

“Për zgjedhje s’kisha thënë më me pas, as nuk kisha dashtë. Sipas mendimit tim mendoj se do të shkojë në rregull gjithçka”, ka deklaruar ai.


Prishtinë: KQZ angazhon staf ndihmës në qendrën me kusht pas ankesave

Nga qendra e votimit me kusht, gazetarja Arbreshë Uka raporton se pas shumë kritikave dhe ankesave të vazhdueshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka angazhuar staf në tavolinën ndihmëse në hyrje të qendrës.

Në Qendrën me Kusht në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë, kutitë e votimit janë hapur në orën 07:00 sipas orarit të paraparë, duke shënuar nisjen e procesit zgjedhor.


Qendra më e madhe e votimit në Prizren hapet në kohë, vonesa në disa vendvotime

Qendra më e madhe e votimit në Prizren është hapur me kohë.
Gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani tha se megjithatë në disa vendvotime kishte vonesa deri në 13 minuta, raporton klankosova.tv.

“Qendra është hapur në kohë, megjithatë disa vendvotime këtu brenda ka pasur vonesa deri 13 minuta”.
Një qytetar që ushtroi të drejtën e tij të votës, u shpreh i pakënaqur me vonesat duke thënë se përgatitjet duhet të bëhen paraprakisht.

“Kish njerëz këtu që pritshin, kishin me shku në punë. Këtu njerëzit po vijnë veç po i zënë vendet e punës dhe me punu po ju vjen vështirë. Këtu së paku gjysmë ore përpara me fillu përgatitja, jo përgatitja kur të vijnë njerëz me votu”, tha ai.


Dy votuesit e parë hedhin votën në qendrën “Tefik Çanga” në Ferizaj

Procesi zgjedhor ka nisur edhe në Ferizaj, ku në qendrën e votimit “Tefik Çanga” kanë votuar dy qytetarët e parë.

Bëhet fjalë për një burrë dhe një grua që kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës në hapje të procesit.

Në terren po raporton gazetarja e Klan Kosovës, Gentiana Gashi.


Qendra më e madhe e votimit në Prishtinë hapet me kohë

Fakulteti Filologjik në Prishtinë, një nga qendrat më të mëdha të votimit në kryeqytet, është hapur me kohë për procesin e sotëm zgjedhor.
Në këtë qendër votimi janë të regjistruar rreth 8 mijë votues, ndërsa janë 8 vendvotime, njofton Klankosova.tv.

Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, këtë herë në qendër janë vendosur edhe tavolina ndihmëse për qytetarët. Vendosja e tyre vjen pas ankesave të shumta të votuesve në procesin e fundit zgjedhor, të cilët kishin hasur vështirësi në gjetjen e vendvotimeve dhe informacionit të nevojshëm.


Hapet qendra e votimit “Faik Konica” në Prishtinë

Kosova sot voton për zgjedhjet parlamentare.

Në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë e cila është një nga qendrat më të mëdha të votimit në kryeqytet procesi ka filluar me rregull, raporton klankosova.tv.

Gazetari i Klan Kosovës, Liridon Zeqiri ka sjellur detaje nga kjo qendër e votimit.

“Procesi i votimit ka nisur siç është paraparë, votuesi i parë ka ardhur 5 minuta para se të hapet vendvotimi dhe pastaj ka votuar pa asnjë pengesë. Të gjitha përgatitjet janë bërë me kohë në këtë qendër të votimit”.

Kujtojmë se Prishtina ka gjithsej 219 mijë e 654 votues.


Nis votimi në Mitrovicën e Jugut, 32 qendra aktive (VIDEO)

Nga shkolla “Migjeni” në Mitrovicën e Jugut është konfirmuar nisja e procesit të votimit në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Gazetari i Klan Kosovës, Flamur Gajtani ka bërë të ditur se votimi ka filluar sipas planit në këtë qendër, e cila i përket komunës më të madhe në rajonin 02 për nga numri i votuesve.

Në këtë komunë janë gjithsej 80 mijë e 271 votues, ndërsa në këto zgjedhje numri është rreth 6 mijë votues më i ulët krahasuar me proceset e kaluara zgjedhore.

Në total, në Mitrovicën e Jugut janë 32 qendra votimi.


Hapet procesi i votimit në qendrën me kusht në Prishtinë, votuesi i parë ushtron të drejtën e tij

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka hedhur i pari votën në zgjedhjet e sotme.

Pas votimit, ai u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.

“Sot fillon dita e zgjedhjeve dhe për këtë ditë KQZ ka qenë e angazhuar që nga shpallja e saj për përgatitjet. Të gjitha përgatitjet deri më sot pothuajse kanë përfunduar, tash fillon procesi zgjedhor dhe më pas fillon numërimi në të gjitha qendrat komunale të numërimit. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar, me zgjedhjen e tyre do të zgjedhin përfaqësuesit për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Radoniqi./Klankosova.tv


Radoniqi voton, bën thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka hedhur i pari votën në zgjedhjet e sotme.

Pas votimit, ai u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.

“Sot fillon dita e zgjedhjeve dhe për këtë ditë KQZ ka qenë e angazhuar që nga shpallja e saj për përgatitjet. Të gjitha përgatitjet deri më sot pothuajse kanë përfunduar, tash fillon procesi zgjedhor dhe më pas fillon numërimi në të gjitha qendrat komunale të numërimit. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar, me zgjedhjen e tyre do të zgjedhin përfaqësuesit për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Radoniqi./Klankosova.tv


Radoniqi i KQZ-së hedh votën e parë në zgjedhjet e sotme

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi është i pari që e hedh votën në zgjedhjet e sotme.

Ai votoi në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit” në Pejë, njofton Klankosova.tv.


Këto janë adresat e 38 qendrave të votimit me kusht

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar listën e përgithshme të qendrave të votimit në të cilat do të zhivllohet procesi i votimit sot në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

KQZ ka caktuar në çdo komunë nga një qendër votimi me kusht. Pra, në të gjithë Republikën e Kosovës, janë vetëm 38 qendra votimi me gjithsej 52 vendvotime në të cilat lejohet votimi me kusht.

Në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, votimi me kusht është i mundur për votuesin në cilëndo komunë, pasi Kosova është një zonë e vetme zgjedhore dhe në çdo komunë shpërndahen fletëvotimet me përmbajtjen e njëjtë.

KQZ mundëson votimin me kusht për votuesit të cilët kanë emrin e tyre në listën votuese, por për arsye objektive nuk mund të votojnë në vendvotimin e caktuar.

Numërimi i votave me kusht bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, disa ditë pas ditës së zgjedhjeve, pas përfundimit të procedurave të parapara.

Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime, prej të cilave 911 qendra me 2,498 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht. /Klankosova.tv


Dita e zgjedhjeve, mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në zgjedhjet e 7 qershorit është 2,092,174 votues.

Kjo listë sipas KQZ-së, përmban 15,884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme për Kuved të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025.

“Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës është 1,959,962 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 132,212 votues, prej të cilëve, 100,970 janë regjistruar për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare jashtë Kosovës, 3,518 për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare në Kosovë dhe 27,724 për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike”, thotë KQZ, transmeton Klankosova.tv.

Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme më 7 qershor, është: 22,685 votues, prej të cilëve:

  • 16,934 votues konsiderohen të rinj që, pas zgjedhjeve për Kuvend (28.12.2025), kanë arritur moshën 18 vjeç dhe do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 7 qershor. Prej tyre 8,752 (51.68 %) janë meshkuj, ndërsa 8,182 (48.31 %) janë femra; dhe
  • 5,751 votues konsiderohen të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjesh, ose votues që kanë rikthyer shtetësinë e Kosovës.

Sipas të dhënave nga ky raport, numri i përgithshëm i votuesve që janë larguar nga LPV pas zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës (28.12.2025) është 6,801. Ky numër përfshin:

  • 6,165 votues të larguar si persona të vdekur, të evidentuar nga Agjencia e Regjistrit Civil (ARC);
  • 419 votues të larguar për shkak të humbjes së shtetësisë së Republikës së Kosovës, të evidentuar nga ARC; dhe
  • 217 votues të larguar nga lista votuese pas pranimit të dhënave nga KGjK.

Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime, prej të cilave 911 qendra me 2,498 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.

“Ndërkaq, procesi zgjedhor jashtë vendit, përveç votimit me postë, do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata, me gjithsej 47 vendvotime. Votimi fizik në këto përfaqësi do të zhvillohet më 6 qershor 2026”, thotë KQZ./Klankosova.tv


Mbi 100 prokurorë në terren për mbrojtjen e votës

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor dhe mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve.

Në zgjedhjet e sotme janë angazhuar mbi 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Kosovës deri në përfundimin e procesit zgjedhor.

Sipas njoftimit, angazhimi i tyre ka për qëllim trajtimin dhe procedimin e çdo parregullsie që mund të paraqitet gjatë zgjedhjeve.

 “Në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku mbi 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje. Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”./Klankosova.tv

lajme të ngjashme