Jakup Nura: Pa Sahitin, mozaiku i familjes Jashari mbetet i paplotë (VIDEO) NULL NULL 12.06.2026 23:31 12.06.2026 23:31 Ish-ushtari i UÇK-së, Jakup Nura, në “Edicionin Special” ka folur për figurën e komandantit Sahit Jashari, të cilit iu dha lamtumira e fundit të premten. Nura tha se Sahit Jashari zë një vend të veçantë në historinë e familjes Jashari dhe të luftës çlirimtare, duke theksuar se roli i tij nuk mund të anashkalohet kur flitet për sakrificën dhe kontributin e kësaj familjeje. “Sahit Jashari është djali i dytë, nga tre që i kishte familja Hamiti dhe Sala. Rrjedh nga një familje e urtë, nga një familje punëtore, që me mund i rriti fëmijet, ka punuar me blegtori dhe bujqësi. Ishte një figurë, që po u fol për Adem Jasharin dhe s’fole për Sahitin mbetet një mozaik i paplotësuar”. Ai theksoi se gjatë luftës, Sahit Jashari ishte komandant i policisë në Zonën e Drenicës dhe se respektohej nga bashkëluftëtarët për afërsinë, qetësinë dhe përkushtimin ndaj tyre. “Gjatë luftës ishte komandant i policisë në zonën e Drenicës, dhe të gjithë ata bashkëluftëtar, e çmojnë dhe e njohin për dashurinë që u jepte. Sahit Jashari është një figurë që e unifikoi rrethin e njerëzve tanë, kontribuoi me qetësinë dhe ndjesinë e tij te shokët, dhe te gjithë ai rreth që e njihte. Kontributi i tij është jashtëzakonisht i madh për unifikimin e Kosovës”. Ish-komandanti i UÇK-së, Sahit Jashari vdiq mbrëmjen e së enjtes në moshën 61-vjeçare, ndërsa u varros gjatë ditës së sotme, njofton Klankosova.tv