Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Ish-opozita kërkon zgjedhje, presidentja evitimin e tyre – Kurti, qeverinë

NULL NULL
31.10.2025 17:00

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani mblodhi sot në takim liderët e partive politike, një javë pasi Kuvendi s’e votoi qeverinë e propozuar nga Albin Kurti.

Diskutimet, që u zhvilluan në Presidencë për mbi një orë, kishin për qëllim konsultimet për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e krijuar.

Subjektet ish-opozitare kërkuan zgjedhje të reja, Osmani tha se e ka detyrim që një proces i tillë të evitohet e në anën tjetër mandatari që dështoi, u largua pa folur, transmeton Klankosova.tv

E para e shtetit tha se në takim kishte qëndrime të ndryshme, ku disa prej partive e bënë të qartë se s’ka shumicë parlamentare, ndërsa ai që doli i pari në zgjedhje ia kërkoi presidentes edhe një takim para 5 nëntorit, që është edhe afati kushtetues për vendimmarrje.

Kështu u deklarua Osmani, e cila tha se do të mbetet në kontakt me partitë politike në ditët në vijim, për të parë nëse ekziston mundësia për një marrëveshje, duke e përsëritur disa herë se do të bëjë çmos për të shmangur zgjedhjet.

“Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë të qarta: presidentja duhet të bëjë çmos për t’i evituar zgjedhjet. Do t’ju lusim për pak durim, derisa të sqarohen të gjitha rrethanat për mandatarin e dytë”.

“Kurti ka kërkuar që të më takojë edhe njëherë para se të skadojë afati dhjetëditor. Nëse do të vijnë me propozim apo jo, është çështje e tyre,” shtoi Osmani.

Në rast se kjo bllokadë vazhdon, presidentja tha se vendi mund të kalojë në një krizë të mundshme dhe vendi të mbetet pa buxhet, raporton Klankosova.tv

Osmani: Kurti ka kërkuar sërish takim, detyrimi im është të bëj çmos të evitohen zgjedhjet

Kërkesa e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së për zgjedhje

Liderët e ish opozitës janë të bindur se askush nuk ka shumicë për krijimin e ekzekutivit të ri.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se një gjë e tillë u bë e qartë në këtë takim dhe se sipas tij, “rruga përpara është vetëm shpallja e zgjedhjeve,” duke kërkuar që ato të organizohen sa më shpejt.

Ai u shpreh i bindur partia e tij synon të fitojë dhe të udhëheqë institucionet me shumicë stabile në Kuvend.

“Do ta krijojmë qeverinë e re pa Albin Kurtin dhe pa Vetëvendosjen. Pritshmëritë tona janë që t’i fitojmë zgjedhjet e ardhshme dhe ta udhëheqim qeverinë e Kosovës, me pasë një Kuvend funksional, shumicë të mjaftueshme dhe po ashtu me bë të qartë atë tentim-kërcënimin që Kurti po ia bën sidomos partnerëve minoritarë, nuk do të ketë zgjedhje në prill.”

Krasniqi: Qeverinë e re do ta krijojmë pa Kurtin dhe pa Vetëvendosjen

Edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Presidentja kërkoi nga ne që të sqarojmë a e kemi shumicën parlamentare për qeverinë. Në realitetin e tashëm, po shkojmë drejt zgjedhjeve parlamentare,” tha ai, duke shtuar se Osmani ka afat “deri më 5 nëntor për të shpërbërë parlamentin.”

Haradinaj madje propozoi një datë të mundshme për zgjedhjet e reja.

“7 dhjetori do të ishte opsion”, e preu shkurt ai.

Haradinaj: Më 5 nëntor besoj do të marrim lajmin nga Presidentja për shpërbërjen e Parlamentit

Nga ana tjetër, i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bëri të ditur se Kurti ka shprehur gatishmëri “të provohet edhe një herë formimi i qeverisë.”

Megjithatë, sipas Abdixhikut, “partitë tjera mbeten në pritje që presidentja të përcaktojë se nuk ka shumicë parlamentare.”, transmeton Klankosova.tv

Abdixhiku pas takimit me Osmanin: Nuk ka shumicë parlamentare

Presidentja Osmani ka paralajmëruar se do të mbajë kontakte shtesë me liderët partiakë deri më 5 nëntor, kur përfundon afati kushtetues për caktimin e mandatarit apo për shpërbërjen e Kuvendit.

Nëse deri atëherë nuk formohet qeveria, pritet që presidentja të shpallë zgjedhje të reja, të cilat mund të mbahen në fillim të dhjetorit./Klankosova.tv

 

lajme të ngjashme