Gishti robotik një ditë mund t’jua masë pulsin dhe t’ju kontrollojë për tumore NULL NULL 11.10.2024 10:57 11.10.2024 10:57 Një gisht robotik i zhvilluar rishtazi, me ndjeshmëri të lartë ndaj prekjes, mund të ndihmojë mjekët në ekzaminime rutinë, sugjeron një studim i ri. Ky gisht robotik është i aftë të masë pulsin dhe të zbulojë gunga anormale, sipas hulumtuesve në revistën Cell Reports Physical Science, transmeton Klan Kosova. Teknologjia mund të ndihmojë në diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve, si kanceri i gjirit, duke e bërë trajtimin më efektiv dhe duke u ofruar lehtësim pacientëve që ndihen në siklet gjatë ekzaminimeve. Hulumtuesi Hongbo Wang nga Universiteti i Shkencës dhe Teknologjisë në Kinë, tha se një dorë robotike e pajisur me gishta të tillë mund të veprojë si “Robomjeku” në spitalet e së ardhmes. Kjo do të ishte e dobishme veçanërisht në zonat me mungesë të theksuar të personelit mjekësor. Për të imituar ndjeshmërinë e gishtit njerëzor, hulumtuesit vendosën fibra përçuese brenda gishtit të butë, duke e pajisur atë të matë forcën e kontaktit dhe përkuljen. Testet treguan se gishti robotik detektonte me saktësi gungat në një sipërfaqe silikoni dhe regjistronte pulsin. Ekipi planifikon të shtojë sensorë të tjerë për të rritur fleksibilitetin e gishtit dhe për të krijuar një dorë robotike të aftë për ekzaminime mjekësore delikate.