Gjumi ideal nuk është 8 orë, studimi përmbys këshillën klasike NULL NULL 16.06.2026 12:59 16.06.2026 12:59 Për vite me radhë, këshilla më e zakonshme për një jetë të shëndetshme ka qenë që të flemë tetë orë çdo natë. Megjithatë, një studim i ri sugjeron se numri ideal i orëve të gjumit mund të jetë ndryshe. Studiuesit analizuan të dhënat e rreth 500 mijë pjesëmarrësve në projektin britanik UK Biobank, duke krahasuar zakonet e tyre të gjumit me treguesit e plakjes biologjike në organizëm, shkruan Metro, transmeton Klankosova.tv. Sipas rezultateve të publikuara në revistën shkencore Nature, personat që flinin mesatarisht nga 6.4 deri në 7.8 orë në natë shfaqnin shenja më të ngadalta të plakjes krahasuar me ata që flinin dukshëm më pak ose më shumë. Lidhja u vu re në disa pjesë të trupit, përfshirë trurin, mushkëritë, mëlçinë, sistemin imunitar dhe lëkurën. Studimi zbuloi se gjumi më pak se gjashtë orë në natë lidhet me një rrezik më të lartë për probleme shëndetësore si dështimi i zemrës, diabeti i tipit 2, ankthi dhe depresioni. Nga ana tjetër, as gjumi i tepërt nuk rezultoi i dobishëm. Personat që flinin më shumë se tetë orë kishin më shumë gjasa të lidhen me çrregullime si depresioni i rëndë, çrregullimi bipolar, skizofrenia, ADHD-ja dhe varësia nga alkooli. Studiuesit vunë re edhe një dallim të vogël mes grave dhe burrave. Sipas analizës, gratë përfitonin më shumë nga rreth 6.48 orë gjumë në natë, ndërsa për burrat shifra optimale ishte 6.42 orë. Megjithatë, autorët e studimit theksojnë se rezultatet duhet të interpretohen me kujdes, pasi të dhënat mbi gjumin u bazuan në deklarimet e vetë pjesëmarrësve dhe jo në matje të drejtpërdrejta shkencore. Pavarësisht kësaj, studimi sugjeron se cilësia dhe balanca e gjumit mund të jenë më të rëndësishme sesa synimi për të fjetur saktësisht tetë orë çdo natë, transmeton Klankosova.tv.