Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Arresohet zyrtari, dyshohet për import të pesticideve të ndaluara

NULL NULL
21.07.2026 15:18

Një person është arrestuar të martën në Prishtinë nën dyshimin se, duke keqpërdorur pozitën zyrtare, ka mundësuar lëshimin e lejeve për importin e produkteve biocide dhe pesticide që janë të ndaluara për përdorim në Kosovë.

Rasti po hetohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, arrestimi është rezultat i veprimeve hetimore të zhvilluara në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion.

“Pas zhvillimit të veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar – tejkalimin e kompetencave dhe falsifikimin e dokumentit zyrtar, sot është arrestuar një (1) person”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas të dhënave fillestare, hetimet lidhen me dyshimet për lëshimin e lejeve për disa operatorë ekonomikë për importin e produkteve biocide dhe pesticide, të cilat janë të ndaluara për përdorim në Republikën e Kosovës sipas listës së Agjencisë Evropiane të Kimikateve (ECHA) të Bashkimit Evropian.

I dyshuari, me inicialet N.M., po hetohet për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, sipas nenit 427 të KPRK-së.

Prokuroria bëri të ditur se arrestimi është realizuar nga Policia e Kosovës, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në fund të njoftimit.

lajme të ngjashme