Nis gjykimi në mungesë për Endrit Llapashticën dhe Dardan Marevcin në rastin “Capat-Sekiraqët” NULL NULL 21.07.2026 09:43 21.07.2026 09:43 Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të martën u mbajt seanca fillestare ndaj të akuzuarve Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci, të akuzuar në rastin e vrasjes në Aktash. Meqenëse dy të akuzuarit deri tani janë të paarritshëm për drejtësinë, gjykimi ndaj tyre po zhvillohet më mungesë. Në këtë rast, Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi, Erd Marevci, Endrit Llapashtica, Dardan Marevci dhe Vesel Bunjaku, akuzohen lidhur me rastin e vrasjes së Premtim Gashit, më 1 shtator 2024 në lagjen Aktash në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”. Më 6 maj 2026 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Korab Gashi, Valdrin Ademi dhe Erd Marevci u deklaruan të pafajshëm për “Vrasje në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, Vesel Bunjaku u deklarua i pafajshëm për “Armëmbajtje pa leje” dhe për “Manipulim me prova”. Kurse Robert Llumnica, Salih Sekiraqa dhe Fatos Abazi u deklaruan të pafajshëm për “Vrasje të rëndë”, ndërkaq e pranuan fajësinë për “Armëmbajtje pa leje”. Në atë seancë u bë veçimi i procedurës për të akuzuarit Dardan Marevci dhe Endrit Llapashtica pasi që të njëjtit gjendeshin në arrati. Gjykata vlerësoi se nuk janë plotësuar kushtet që për ta të zhvillohet gjykimi në mungesë. Llapashtica akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, kurse bashkë me Dardan Marevcin akuzohen edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Fillimisht, prokurori Bashkim Zeqa tha se Prokuroria ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për sigurimin e të pandehurve, por që ata nga koha e kryerjes së veprës penale gjenden në arrati. Andaj, sipas dispozitave, tha se Prokuroria ka ngritur aktakuzën në mungesë, pasi janë shterur të gjitha mungësitë ligjore për sigurimin e prezencës dhe arrestimin e tyre. Prokurori Zeqaj tha se janë ndërmarrë të gjitha masat për sigurimin e prezencës së të pandehurve, duke filluar nga fletarresti, fletërreshtimi vendor e ndërkombëtar, por ata ndodhen në arrati edhe pse janë të vetëdijshëm se ndaj tyre po zhvillohet një procedurë penale. Prokurori shtoi se këtë gjë, të pandehurit e bëjnë me qëllim të shmangies së thirrjes së Prokurorisë dhe organeve të drejtësisë, andaj propozoi që të vazhdohet me gjykim në mungesë ndaj tyre.. Avokati me autorizim i të akuzuarit Dardan Marevci, Yll Hasani tha se nuk e kundërshton propozimin e Prokurorisë. Edhe avokati me autorizim i Endrit Llapashticës, Muhamet Mehmeti tha se ia lë Gjykatës në diskrecion. Më pas, kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku vendosi që të vazhdohet me shqyrtim fillestar, me këtë rast palët u pajtuan që aktakuza të konsiderohet e lexuar. Gjyqtarja Dermaku njoftoi mbrojtjen se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave. Prokuroria Themelore në Prishtinë më 12 shkurt 2026 kishte ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave: Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi, Erd Marevci, Endrit Llapashtica, Dardan Marevci dhe Vesel Bunjaku, lidhur me rastin e vrasjes së Premtim Gashit, më 1 shtator 2024 në lagjen Aktash në Prishtinë. Sipas aktakuzës, rasti ndërlidhet me një përplasje të armatosur mes dy grupeve në lokalin “From”, ku si pasojë mbeti i vrarë Premtim Gashi, dhe disa persona të tjerë u plagosën. Të akuzuarit ngarkohen për disa vepra penale, përfshirë “Vrasje të rëndë”, “Vrasje të rëndë në tentativë”, “Manipulim me prova”, si dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Motivi i sulmit, sipas aktakuzës, lidhet me konfliktin e mëhershëm të datës 4 mars 2024, të ndodhur mes Shkumbin Sekiraqës (djali i Salih Sekiraqës) dhe Pajtim Gashit (vëllai i tani të ndjerit Premtim), i cili e kishte përshkallëzuar konfliktin mes dy grupeve.