Kujtesa po e transmeton ilegalisht Klan Kosovën (VIDEO) NULL NULL nga Qendresa Tershana 19.11.2020 23:34 nga Qendresa Tershana 19.11.2020 23:34 Kujtesa ka vazhduar, edhe të enjten, ta transmetojë, pa patur të drejtë, kanalin e Klan Kosovës. Kjo platformë kabllore po e bënë këtë përmes rrugëve ilegale të transmetimit, duke vjedhur sinjalin e televizionit nga operatorë tjerë që kanë marrëveshje për ta dhënë programin e Klanit. Pavarësisht njoftimit se po e bënë këtë kundërligjshëm, dhe ndërprerjes së sinjalit më pas, Kujtesa ka vazhduar ta shfaqë programin e kanalit, duke e rikthyer në transmetim, jashtëligjshëm. Televizionin kontaktoi numrin që Kujtesa e ka në webfaqen e vetë, për të pyetur në lidhje me transmetimin ilegal. Përgjigja që mori ishte se pyetjet do të dërgohen te menaxherët dhe ata do të japin përgjigje kur të kenë mundësi. Sidoqoftë, mësohet se ky operator, është duke i vënë në lajthitje klientët e vetë që po ankohen në lidhje me telashet që po kanë me Klan Kosovën në Kujtesa, duke iu thënë që “televizioni ka probleme teknike”, se “Klan Kosova ka ndërprerë sinjalin ilegalisht dhe shumë shpejtë do të kthehet” ose edhe duke ua dhënë përgjigjen se “për momentin kemi probleme teknike dhe shumë shpejt rregullohet”. Klani konfirmon se nuk ka asnjë telash teknik dhe është duke u transmetuar pa asnjë problem në operatorët që kanë të drejtë ta bëjnë këtë. Ka disa ditë që televizioni u ka kërkuar të gjithë operatorëve, përfshirë Kujtesën, të arrijnë marrëveshje për transmetim, në mënyrë që të mos u këputet sinjali dhe gjithçka të jetë në rregull. Disa nga ta kanë pranuar ta bëjnë këtë. E papërgjegjshme në këtë aspekt po vazhdon të jetë Kujtesa, që ende nuk ka shfaqur gatishmëri për të arritur ndonjë marrëveshje. Për këtë gjë, ndaj këtij operatori është paraqitur ankesë në Komisionin e Pavarur për Media, që pritet të dalë me ndonjë përgjigje. KPM ka miratuar rregulloren e re 2020/01, me anë të së cilës u mundësohet televizioneve të bëjnë marrëveshje komerciale me operatorët kabllorë. Klan Kosova do të bëjë padi në Prokurorinë e Shtetit, në mënyrë që sa më shpejt, të detyrohet Kujtesa të ndërpresë vjedhjen e sinjalit. Televizioni pret që edhe organet e rendit të reagojnë sa më parë dhe ta ndalojnë këtë dukuri.