Meta në Romë, takohet me kryeparlamentaren NULL NULL 12.09.2017 12:38 12.09.2017 12:38 Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Itali, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta është takuar me kryetaren e Dhomës së Deputetëve në Parlamentin italian, Laura Boldrini. Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen për mbështetjen më të fundit që zonja Boldrini dha personalisht në zgjidhjen e çështjes së eleminimit të taksës për mjetet shqiptare të transportit që tranzitojnë territorin italian. Nga Presidenti Meta u vlerësua kontributi i jashtëzakonshëm i zonjës Boldrini si përfaqësuese e UNHCR-së në zonat verilindore të Shqipërisë, në përballimin e pasojave humanitare të konfliktit të vitit 1999 në Kosovë, shkruan Top Channel. Intensifikimi i bashkëpunimit ndërparlamentar, në mënyrë të veçantë ai mes grupeve parlamentare të miqësisë, u konsiderua jashtëzakonisht i rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe për mbështetjen e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Ata ranë dakord për nevojën e nxitjes së iniciativave ligjore, që u hapin rrugën projekteve konkrete për njohjen e kontributit të shqiptarëve që jetojnë në Itali me qëllim garantimin e një gjithëpërfshirjeje të drejtë për ta dhe familjet e tyre. Një vëmendje të veçantë Presidenti Meta dhe zonja Boldrini ia kushtuan edhe bashkëpunimit rajonal dhe progresit të deritanishëm të këtij bashkëpunimi.