22:00, 27 Prill 2017 Autor: Baton Haxhiu

 

Përgjigje ndaj shkrimit të Liljana Smajlovic, “Historia dhe kujtimi, Sllobodani ose Ramushi”, të cilin mund ta lexoni KËTU.

 

 

Rrëfimi zero: Takimi me Stanishiqin 1997

 

As ëndërr nuk e kisha parë se do ta takoja njeriun i cili me syze dielli po e lironte pilotin e forcave ndërkombëtare në Bosnje. Piloti gjendej i poshtëruar, i lidhur për një shtyllë elektrike.

Atëherë e kisha mësuar fuqinë e tij. Atëbotë kuptova se në Ballkan kishte një “Zot Lufte” (War Lord). Ai ishte Slobodan Millosheviqi. Në një moment të takimit u hutova aq shumë ngase po kuptoja se po kaloja nga jeta në vdekje. Ishte rrjedha e shpejtë, marramendëse, e ngjarjeve për të cilën po vetëdijesohesha.

Njeriu i parë i Millosheviqit, ai që kisha e parë në TV me syze dielli në Bosnje, duke e zgjidhur pilotin, ishte përballë meje në dhjetor të 1997-ës.

Ishte shfaqur aty të na kumtonte lajmin se po shkonim në luftë. Dhe se të gjithë do të dëboheshim. Pyete – është ende gjallë.

Quhet Jovica Stanishiq.

Kurrë në jetë nuk kisha dashur ta takoja këtë njeri.

As për një orë.

Por, frika nga krimet, tmerri nga parafytyrimi ku shqiptarë dhe serbë vriten, digjen dhe masakrohen, të detyron ta lusësh jo vetëm atë, por edhe vetë demonin e krimit më brutal të ferrit. Njeriu edhe djallin e lutë kur është në pyetje liria dhe shpëtimi i popullit tënd.

Po kërkonim një shpresë që mos të futeshim në luftë. I luteshim që mos ta bënte Kosovën si Bosnjën dhe Kroacinë. E paralajmëronim: “Mos e bëni edhe herën e tretë luftën se do ndodh –  (pikërisht ajo që ndodhi më vonë) – Bombardimi!”.

Ishte përpjekja ime intelektuale dhe njerëzore për të ndikuar në evitimin e masakrave që i kanoseshin popullit tim. Isha i ndërgjegjshëm se po e bëja gjënë e duhur.

“Unë”, tha, “s’kam më fuqi sepse afër Millosheviqit ka shumë nacionalistë dhe dashamirës të luftës”.

Na thanë se ekzistonte projekti “Patkoi” dhe se do të na dëbonin të gjithëve për 24 orë.

Nuk ia dolëm ta bindnim se krimi i paralajmëruar ishte hata e madhe. Në takim i thamë se do bombardoheshin, sepse “e keni tepruar në Bosnje dhe Kroaci”. I thamë se ka “Zot mbi Zot” (“Ima Boga nad Bogom”).

Nuk bëri punë asnjë lutje e jona.

E dinim sa të fortë ishit ushtarakisht.

Kishit trashëguar një armatë të tërë nga perandoria jugosllave.

E kuptova i pari kumtin e luftës.

E kuptova pamëshirësinë që po vinte.

Kanxhat ishin të ngulitura tashmë dhe armët ishin të mbushura me fishekë për vrasje..

Të gjitha këto tregonin se vrasja ishte bluar prej kohësh në kokë.

U ndamë me fjalinë: “Shihemi në luftë..!”.

E në Kosovë nuk pati luftë tipike. Vetëm masakra pati.

Pas dhjetë vitesh, dëgjova zërin e tij.

E dëgjova nga dhoma e burgut në Hagë, po pëshpëriste një fjali: “Zotëri Baton, na falni për atë që ju ka ndodhur. Aq kisha fuqi për të bërë. Nuk arrita ta bind askënd”.

Aty e pashë të pafuqishëm “Njeriun Stanishiq” dhe m’u kujtua ajo fjalia “Ka Zot mbi Zot”.

Në Hagë e dëgjova vetëm një fjali të tij. Atë s’e pashë fare.

E kisha të ndaluar të takoja të burgosur tjerë.

Pëshpëriti nga dritareza e vogël e derës së burgut.

Nuk e di nëse e dinte krejt atë çfarë nuk kishim mundur ta parandalonim më 1997.

 

Rrëfimi i parë:  Qershor i vitit 1999

 

Kisha ikur më 28 prill 1999.

U ktheva në Prishtinë më 13 qershor 1999.

Kosova ishte vend ku zërat e të vdekurve flisnin po aq zëshëm sikur ata të të gjallëve. Ndoshta edhe më zëshëm.

Të vdekurit ishin askund dhe gjithkund.

Ishte e qartë se disa kurrë nuk do të gjendeshin, të tjerët ishin të shpërndarë nëpër varre të paemërtuara. Eshtrat e tyre – të grumbulluara në gërmadhat e shtëpive të dikurshme të bukura fshatare. Aty kishin ndodhur momentet e tyre të fundit, të shënuara në memorie dhe në fytyrat e atyre që i mbijetuan ato që ndodhën në Kosovë. Liria për disa ishte klithje, për disa ferr.

Çdokush ishte në marrëdhënie të ngushta me këta të vdekur. Gati çdo fshat, çdo mëhallë, çdo familje – në një mënyrë ishte prekur nga sulmi i egër i vrasjeve, dimensioni i të cilave po bëhej plotësisht i qartë kur paqeruajtësit e NATO-s nisën të shtriheshin në tërë Kosovën dhe shqiptarët e dëbuar po ktheheshin prapa.

Ajo që shqiptarët gjetën kur u kthyen ishte Kosova si një shtëpi gjigante e shkatërruar.

Ndonjëherë nuk dinin se po bashkëjetonin me tmerret në pragjet e shtëpive të tyre. Pjesë të kufomave mbushnin bunarët familjarë, kufomat ende qëndronin aty ku ishin therur – përderisa të rikthyerit po i kryenin punët e rëndomta – zierje dreke, ose shikim të TV-së.

Në Krushë ishte tmerr.

Një fshatar i Krushës së Madhe më thoshte se sytë e tij gjithnjë do të drejtoheshin drejt vendit të krimit. “Është aq vështirë këto ditë”, fliste ai, “vetëm të jesh këtu”.

“Edhe ata që janë lënë të gjallë, në një mënyrë, janë të vdekur”.

Kishte fëmijë që ishin sikur zombi të vegjël – nuk ishin as të pikëlluar, ishin të zbrazët nga emocionet. Njerëz të moshuar në Mejë dhe Krushë vetëm qanin.

Vashat e reja (20 mijë prej tyre) që ishin dhunuar – mendonin se kurrë nuk do të flisnin për atë gjë, por jeta e tyre ishte shkatërruar. Dhe për meshkujt ishte ndjenjë e tmerrshme, sepse ata kanë dashur t’i mbronin familjet e tyre nga tërë kjo, por nuk kanë mundur. Gati në çdo mur kishte grafite në serbisht: “Umri!” (Vdis).

Një pjesë jo e vogël e njerëzve në Kosovë, të cilët tashmë nga dhuna kishin humbur më të dashurit dhe më të afërmit e tyre, thirrjet dhe lutjet “për bashkëjetesë me fqinjët e tyre“ në radhë të parë i kuptonin si një reprizë nga e kaluara, kur bëheshin apele lapidare për “Vëllazërim-Bashkim“.

Kuptohej, bashkësia ndërkombëtare mendonte ndryshe. Por, si ta kuptonin këtë mesazh njerëzit e thjeshtë, të cilët kur kthehen nga ekzili i detyrueshëm në vend të pronave të pasura gjejnë gropa të zeza? Ishte gati e natyrshme që ndjenja e hakmarrjes vlonte në gjoksin e çdokujt. Prandaj, aktet e aty-këtushme të hakmarrjes ndaj fqinjëve ishin te shëmtuara, por nuk ishin aspak befasuese. Prandaj, ato ditë e shtronim pyetjen aq shumë të diskutueshme se a ka faj kolektiv dhe a mund të ekzistojë faji kolektiv? Të gjithë pohonin se në këtë rast megjithatë ekziston përgjegjësia kolektive.

Shteti serb kishte shumë mëkate në shpirt lidhur me ngjarjet e gjithëmbarshme të luftës në territorin e ish-Jugosllavisë, e tashti kishin filluar të shpërlaheshin dhe të gjithë fajin po ia hidhnin Milosheviqit.

Sllobodan Milosheviqi nuk ia futi flakën secilës prej shtëpive në Kosovë.

Individët serbë – po.

Ata e bënë këtë me vullnet dhe shpesh me kënaqësi vrasëse, sipas dëshmive të të mbijetuarve që janë mbledhur nga gazetarët, hulumtuesit e krimeve të luftës dhe paqeruajtësit e NATO-s.

Ishte e qartë se fushata e terrorit serb nuk kishte filluar më 24 mars 1999, ditën kur NATO marshoi për të bombarduar Serbinë, as më 28 shkurt 1998, kur u kryen masakrat serbe në Drenicë, madje as më 1989.

Është një periudhë e urrejtjes, një kohë e kultivimit të racizmit, e stimulimit të idesë së rreme se serbët na qenkan racë sipërore ndaj shqiptarëve, që zgjat së paku nga viti 1912 e këtej.

Natyrisht, përballë kësaj stuhie terrori fizik dhe psikik pothuaj njëshekullor, edhe shqiptarët kishin konservuar në vetvete një urrejtje të madhe ndaj serbëve. Por, kjo ishte urrejtja e të nënshtruarit, ishte përbuzja e viktimës ndaj bartësit të arbitraritetit, që ishte shteti serb.

Këtu qëndron dallimi, mbase qenësor, mes urrejtjes serbe ndaj shqiptarëve – dhe anasjelltas.

Urrejtja e viktimës ndaj pushtuesit kurrë nuk është e njëjtë me urrejtjen e pushtuesit ndaj viktimës.

Këtu qëndron dallimi në mes Ramushit dhe Millosheviqit.

 

 

Rrëfimi i dytë: Polemika

 

A më duket mua apo ti, Liljana, u gjende së paku për një moment të vetëm që kur debatojmë në pozitën e atij shefit të delegacionit gjerman i cili takoi mareshalin legjendar francez Foch për ta definuar armëpushimin në fund të Luftës së Parë Botërore.

Sapo ishin ulur të deleguarit e armatës gjermane, Mareshali Ferdinand Foch e nxjerr një letër nga sirtari dhe ua lexon me zë atyre kushtet e armëpushimit.

Shefi i delegacionit gjerman brof në këmbë, i çoroditur, i skuqur i tëri nga ato që dëgjoi, bërtet:

“Këto janë kushte që asnjë komb i qytetëruar nuk guxon t’ia bëjë tjetrit!”.

Foch me një elegancë i përgjigjet kolegut të tij:

“Më vjen mirë t’i dëgjoj këto fjalë, të nderuar zotërinj. Këto kushte nuk janë franceze, por janë kushte të komandantit gjerman kur kapitulloi qyteti ynë Lille”.

Nuk e dinte gjenerali gjerman se ato kushte ishin mostër që Gjermania i praktikonte gjithandej, dhe siç dokumentohet më vonë, edhe nga vetë gjenerali në fjalë?

Me siguri e ka ditur, por në atë moment ai është pranuesi i mesazhit e jo dhënësi.

Nuk është kushtevënësi më, por i thyeri, korrieri i lajmit të keq të kapitullimit që duhet t’ia sjell të vetëve.

Veç në ato momente gjenerali gjerman zbulon njeriun, veten, zbulon portretin e vet nëpërmjet zërit të tjetrit dhe e refuzon atë, se i duken të rrepta, të ashpra, të padrejta. Atëherë, pra, kur i ndjen nën lëkurë.

U ndje edhe bashkëbiseduesja ime ashtu kur i shkrova të funksionojë me mendësinë e Millosheviqit dhe u acarua?

Ndoshta për disa sekonda, por fatkeqësisht jo më tepër, ngase pas shokimit të presupozuar nis këngën nga e para duke vënë krah për krah, duke i bërë baras Haradinajn me Millosheviqin dhe madje duke kërkuar objektivitet.

Për çka fola unë në tekstin tim paraprak që të detyron t’ua bëjë atë ekskursion të mërzitshëm perandorisë osmane, dinastive e orgjive mitike nacionaliste, për të ardhur deri tek apeli të jemi objektivë?

 

Rrëfimi i tretë: Absurdi i krahasimit – Ramushi dhe Millosheviqi

 

Para se ta bastisi esencën e atij krahasimi dhe barazimi absurd ndërmjet Sllobodan Millosheviqit dhe Ramush Haradinajt, ia bëj ca pyetje vetes për të rikontrolluar veten se çka paskam thënë e menduar që s’qenka faktike, që nuk u argumentuaka me referenca përtej kosovare dhe joserbe.

Thash se pakica serbe është me e privilegjuara në rajon ngase ka vende të rezervuara në Parlament. Mund të bllokojë çdo ndryshim me veton e saj. Qëndron kjo?

Thash se pakica serbe në krahasim me tjerat e rajonit është më e privilegjuara se edhe po të ishte 10% ka gjuhën zyrtare brenda vendit, çka në vendet tjera nuk është. Në mos shqipja e 30% shqiptarëve në Maqedoni është zyrtare?

Atje gati plas lufta për atë që ne as që e kemi diskutuar.

Në mos shqipja e shqiptarëve të Serbisë Jugore është zyrtare? Edhe librat duhet t’ua sigurojnë me marrëveshje ndërshtetërore.

Tek ne nuk ka as media, as parti, as njeri serioz që fyen serbët për çdo ditë me epitetet më monstruoze siç bëjnë mediat serbe me shqiptarët.

Ishim ne dora vetë që pranuam Gjykatën Speciale.

Jemi ne që lejojmë që gjysma e ushtarakëve të UÇK-së të gjendet burgjeve.

Serbia nuk i dorëzon as sot e kësaj dite të vetët dhe nga gjithë ajo makineri krimi paramilitar ka dënuar një a dy sa për sy e faqe.

As kufomat nuk i kthen.

Natyrisht, Liljana, në bazë të kësaj gjendjeje denacionalizmi të thellë kosovar, së paku të sferave publike e shtetërore, nuk e veçoj në gishta ndonjë Natasha Kandiq shqiptare apo Sonja Biserko, Teofil Pançiq ose Nedim Sejdinoviq.

Shumica jonë kemi dëshmuar se jemi si ta, me ta, dhe shumë serbë tjerë që vijnë e shkojnë në Prishtinë dhe me të cilët përpiqemi të krijojmë ura të reja me shpresën se do t’i mundim ata të kafazuarit brenda vetëdijes së Millosheviqit.

Kur them se jeni robër të mendësisë millosheviqiane – edhe po nuk e thash hiç, duket në çdo tekst tëndin – mendoj në mediat proqeveritare, shtetin, qeverinë, kryeministrin, presidentin, ministrat – ngase këta nuk kërkojnë falje për viktimat, për luftërat e shkaktuara ndaj të gjithëve, por vazhdojnë të sabotojnë kah munden lirinë e tjerëve në emër të ndonjë “nacionalizmi hyjnor imagjinar me rrënjë mesjetare”. Kjo do të thotë se vazhdohet rruga e pamundshme, tashmë iluzore, e Millosheviqit për Serbinë e Madhe.

Pyetni edhe joshqiptarët, objektivët tjerë, nëse nuk më besoni mua.

BE sillet rigoroze ndaj kosovarëve më shumë nga fakti se i detyron shqiptarët, viktimat, në Gjykatë Speciale edhe pse ata nuk shkuan ta djegin Beogradin, siç ndodhi me anën tjetër, por mbrojtën shtëpitë e tyre, ashtu siç mbrohen në kohë luftë.

Kanë vrarë civilë? Do të dënohen.

Po çka vranë serbët me mijëra? Bylbyla?

Këto janë fakte objektive, të qena, e nderuara kolege. Dhe në thelb këtu është pabarazia ndërmjet nesh në këtë debat.

Unë jam mediabërës, subjekt në vete, nuk i jap llogari askujt.

 

Rrëfimi për Kosovën dhe Serbinë

 

Edhe mua – sa herë që flas për luftën, paqen, të tashmen, Kosovën dhe Serbinë, për ndonjë të ardhme tonën të përbashkët si fqinj të pajtuar – më sulmon kujtesa, përvoja ime objektive si njeri dhe gazetar, më ngushtojnë zemrën dhe duhet ta mundi kujtesën për të mos u egërsuar.

Për çka e kam fjalën?

Flas për një realitet objektiv, të përjetuar vetë dhe ndoshta më lehtë se qindra mijë të tjerë kosovarë, para, gjatë dhe pas luftës.

Para se të ikte Serbia nga ky nënqiell ne ndiqeshim rrugëve dhe gjithandej si shenja potenciale për ushtrime me armë të paramilitarëve, policëve, ushtarëve të shtetit serb. Ne ishim ata që nga i pari deri te i fundit u dëbuam drejt gjitha drejtimeve të mundshme të botës; me trena, me automobila, me traktorë, në këmbë, nëpër lloç, shpesh duke na rrëshqitur këmbët edhe në ndonjë gllofkë gjaku. Iknim sa më shpejt, të vetëdijshëm për mundësinë që në çdo moment plumbi i ndonjë paramilitari të dehur do të hyjë nga shtylla kurrizore drejt trurit.

Gra, fëmijë, pleq. Të gjithë.

Atëherë ndërkombëtarët i përzunë këta, por edhe shumicën e këtyre që ende janë në pushtet dhe sillen të lirë, kanë poste – në krahasim me Haradinajt tanë që arrestohen gjithandej.
Të thash më lartë se çfarë gjetëm kur u kthyem.

Kufoma familjesh të tëra, me fëmijë, gra, pleq, kufoma të karbonizuara apo gjysmë të skeletuara pranë kadavrave po aq të deformuara të qenve, lopëve, kuajve të tyre; me sytë e mi i kam parë të gjitha objektivisht.

E quaj fatlume ndonjë ditë kur nuk më kujtohet ndonjë foshnjë që ma lexonin sytë atëherë mu në mes të gërmadhave me kufoma, ndonjë vajzë të vrarë bashkë me macen e saj që shpirtin e kishte dhënë, por jo edhe macen e saj.

Me këto kujtime edhe sot çohen nga gjumi, nisin ditën, me mijëra e mijëra kosovarë, kolege e nderuar. Çka bëjnë gjithë këta? Ndërsejnë vendet e punës dhe shkruajnë për “opingat serbe”, “njerëzit e tmerrshëm” që u vranë njerëzit e tyre të dashur, u dogjën gjithçka dhe i masakruan?

Sulmojnë gjithandej serbët kosovarë?

Jo.

Sulmet i imagjinoni ju dhe nuk u dalin pasi nuk janë objektive, por vetëm incidente të të dyja palëve. Ata për çdo ditë mbledhin veten, mundin veten, mbijetojnë kujtesën aq prezente dhe kërkojnë paqe, pa urrejtje, pa nacionalizëm, pa shovinizëm. Ky është realiteti objektiv tek ne.

 

Rrëfimi për “Gjarprin” dhe “Rambon”

 

Si është ai realiteti i juaj objektiv atje? Gjithmonë vetëm ashtu siç flet politika zyrtare?

Për kohën para, gjatë dhe pas luftës nuk ju pyes, sepse keni qenë në Beograd e jo në Kosovë. E atje nuk erdhën as “Gjarpri”, as “Rambo”, e as “Komandant Dreqi” t’ua rrezikojnë lirinë. Përkundrazi, ata që vranë u kthyen për të bërë festa dhe për t’i marrin honorarët dhe postet pas krimeve të bëra gjithandej tokave ballkanike.

Askush nuk i prek reliktet dhe objektet e juaja të shenjta këtu. Ua kemi falë qëmoti. Ua ruajmë më shumë se shtëpitë tona. Ky është karakteri i njerëzve këndej.

Historia jonë rrodhi dhe na solli këtë liri dhe këta njerëz që i kemi. Nuk i kemi shpallur hyjnorë as kishave e as xhamive. Nëse kanë gabuar, do të paguajnë.

Nëse ndiqen vetëm pse kanë mbrojtur pragun e tyre, do të lirohen.

Një gjë është më se e qartë: pushtues nuk ishin dhe ky fakt është argumenti bazë i çdo debati tonë. Nuk erdhën andej. Mbrojtën shtëpitë e tyre.

Ne, madje, me Serbinë nuk sillemi as si mareshali Foch. Nuk ua lexojmë serbëve apo atyre të akomoduarve atje të njëjtat kushte siç na i lexonte neve Millosheviqi dhe pasardhësit e tij sot, duke mohuar ekzistencën e lirisë sonë. Përkundrazi, ne pareshtur përpiqemi t’ju dëshmojmë se duam fqinjësi të mirë.

Liria, shteti, Republika e Kosovës – janë fakte objektive, reale.

Pranojeni këtë dhe pastaj s’kemi as pse flasim për histori perandorish, masakrash, pushtimesh, se kush erdhi e kush ishte këtu, e gjëra të këtij lloji.

Asgjë më shumë se objektivitet, dalje nga kafazi imagjinar nacionalist, nuk i dëshiroj fqinjit tim serb.

Qoftë edhe me kujtesën e rëndë, post-traumatike, ne vërtet ia kemi dalë.

Ejani në Prishtinë dhe do të bindeni vetë.

 

*  *  *

 

Platforma KoSSev ka nisur rubrikën e re “Bisedë pa shkas”, me përkrahje nga Ambasada Amerikane, në kuadër të faqes së re “Dialogu”.

Në “Bisedë pa shkas” kolumne javore gjatë muajve të ardhshëm do të publikojnë Liljana Smajlovic, kryeredaktorja e deritashme e gazetës Politika nga Beogradi, dhe Baton Haxhiu, drejtor i Klan Kosovës.

Këto kolumne do të publikohen edhe në gjuhën shqipe, në portalin e Klan Kosovës.

 

Versioni i kësaj kolumne në gjuhën serbe mund të lexohet KETU.

Kolumnja 4 nga Liljana Smajlovic: “Historia dhe kujtimi, Sllobodani ose Ramushi” në shqip dhe serbisht.

Kolumnja 4 nga Baton Haxhiu: “Jeta jonë në dëshirat e politikanëve” në shqip  dhe serbisht.

Kolumnja 3 nga Liljana Smajlovic:  “Me pyetje ndaj përgjigjeve” në shqip  dhe  serbisht.

Kolumnja 3 nga Baton Haxhiu: “Melania” në shqip  dhe  serbisht

Kolumnja 2 nga Liljana Smajlovic: “Kur serbët ngazëllohen e shqiptarët vajtojnë”, në shqip dhe serbisht.

Kolumnja 2 nga Baton Haxhiu: “Katarsis”, në shqip  dhe serbisht.

Kolumnja 1 nga Liljana Smajlovic: “Kur them ‘Politika’, mendoj Serbia”, në shqip  dhe serbisht.

Kolumnja 1 nga Baton Haxhiu: “Ndryshimi i komunikimit për ridefinim konstruktiv të realitetit”, në shqip  dhe serbisht.

 

Lajme të tjera