Rama, Serbisë: Nuk ekziston më diçka që quhet Kosova dhe Metohia, ekziston Republika e Kosovës NULL NULL 14.07.2026 23:56 14.07.2026 23:56 Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi sot në një intervistë për “Euronews Serbia” se Serbia mban përgjegjësinë kryesore për situatën e krijuar në dialogun me Kosovën, pasi, sipas tij, nuk është e gatshme ta pranojë realitetin se “nuk ekziston më diçka që quhet Kosova dhe Metohia, por vetëm Republika e Kosovës”. “Serbia është më përgjegjësja për situatën që kemi në dialog, sepse nuk është e gatshme ta pranojë realitetin, ndërsa realiteti ka ndryshuar. Nuk ekziston më diçka që quhet Kosova dhe Metohia, ekziston Republika e Kosovës”, tha Rama. I pyetur për faktin se pesë vende të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, kryeministri shqiptar u përgjigj se pesë nga 27 shtete përbëjnë një numër të vogël dhe tregojnë se shumica dërrmuese e ka pranuar realitetin. “Këtu nuk bëhet fjalë për dobësi, por për pranimin e faktit se realiteti ka ndryshuar. Ashtu si të gjithë popujt e tjerë të ish-Jugosllavisë gjetën rrugën e tyre dhe u bënë të pavarur, edhe shqiptarët kishin të drejtën për vetëvendosje. Natyrisht, kjo duhet të shoqërohet me bashkëpunim të mirë dhe marrëdhënie harmonike me pakicat. Sot shqiptarët nuk janë më pakicë në Serbi, ndërsa serbët janë pakicë në Kosovë”, tha Rama në këtë intervistë, shkruan “KosovoOnllajn”, transmeton Klankosova.tv. I pyetur të komentojë refuzimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për ta zbatuar Marrëveshjen e Brukselit, veçanërisht themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Rama tha se nuk dëshiron të hyjë në atë debat. “Nga njëra anë mund të thuhet se ka pasur veprime të caktuara, por gjithashtu mund të thuhet se ka pasur terror nga grupe terroriste që vinin nga Serbia. Megjithatë, unë kam një rregull që e respektoj gjithmonë. Asnjëherë nuk flas në gjuhë të huaj për opozitën. Mos kërkoni që në një gjuhë të huaj të flas për çështje që lidhen me Albin Kurtin dhe me vëllezërit e motrat e mia në Kosovë”, theksoi Rama. Ai shtoi se thelbi i çështjes është se Serbia është shteti më i madh në rajon dhe ka rolin e saj, si edhe historinë me të cilën duhet të përballet. “Sipas mendimit tim, dhe këtë e kam thënë edhe në Beograd, sa më shpejt që Serbia të përballet me realitetin se ekziston një realitet i ri, aq më mirë do të jetë për të”, deklaroi kryeministri Edi Rama. /Klankosova.tv