Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Historia dhe kujtimi, Sllobodani ose Ramushi

123
string(17) "Liljana Smajlovic" NULL
nga Liljana Smajlovic 16.04.2017 20:09

 

A po më duket vetëm mua apo Batoni në letrën e fundit më shpalli rob të vetëdijes së Millosheviqit të pavdekur, bashkë me bashkëkombësit e tjerë?

Më pëlqejnë metaforat letrare kur shërbejnë për t’ia tërhequr vëmendjen bashkëbiseduesit se çdo gjë është më e ndërlikuar dhe e shtresuar sesa në shikim të parë.

Por, Kaligula në vend të Hitlerit?

Dekaligulizimi në vend të denacionalizimit?

Lehtë e kuptueshme dhe banale.

Ndoshta do të ishte më e sinqertë të thuhej: Pra, të gjithë ju jeni fashistë dhe për mua lufta kundër Millosheviqit nuk do të ndalet kurrë.

Por, me heqjen e dorëzave letrare Batoni do t’ia mohonte vetvetes atë të cilën në letër vet e quajti “pozë për t’i aktruar të civilizuarit”.

A të vazhdojmë me dialogun, pra?

Sepse bukuria e dialogut është në atë se njerëzit me renditjen dhe përzgjedhjen e fjalëve shpalosin më shumë se sa ndoshta kanë menduar të bëjnë.

Ndoshta, për shembull, me sintagmën për Kosovën si qershi mbi tortë në bisedimet e Serbisë me Bashkimin Evropian, pa dashje te Batoni kam shkaktuar një keqkuptim të sinqertë. Ai acarohet dhe pyetet nëse këtë ma kanë thënë Vuçiqi dhe Nikolliqi, ndoshta mendon se po bëj insinuata se Kosova është një fëmijë i llastuar dhe i lazdruar i Brukselit. Përkundrazi, thotë se Evropa po i dikton Prishtinës kushte shumë të vështira.

Ja edhe një herë kjo fjali e padëmshme: “Në bisedimet me Serbinë, Brukseli e trajton Kosovën si qershi mbi tortë, duke e lënë çështjen kryesore për fund”.

Ndoshta vetëkuptohet se Brukseli kushtin më të vështirë për serbët – atë kosovar – po e ruan për fund të bisedimeve, kur Bashkimi mitologjik të jetë më në fund gati në zgrip të dorës. Ndoshta atëherë [serbët] do të jenë më të hapur ndaj shantazheve.

Prishtina dhe Beogradi zhvillojnë bisedime të ndara me Brukselin, pra qershitë mbi tortë dallojnë. E pasi çdo dialog është i mirë, edhe ky keqkuptim i vogël i paqëllimtë pahiri më ndihmoi në një kuptim të rëndësishëm. Batoni ma shpalos se ata pesë ose gjashtë për qind serbë në Kosovë në duart e veta në të vërtetë kanë koncentruar tepër pushtet. Thotë se kjo është arsyeja e vërtetë e “vetëbllokimit politik dhe demokratik” të Kosovës.

Pra, një grusht serbësh në Kosovë paska më shumë pushtet se sa një e treta shqiptare e Maqedonisë?

Janë më mirë sesa hungarezët, kroatët, rusinët dhe shqiptarët në Serbi?

Shikuar nga këndvështrimi im, ky është një shikim i pashpirt dhe cinik i gjendjes shumë të vështirë të serbëve në Kosovë, me të cilët me siguri nuk do t’i ndërronte vendet asnjë pakicë në kontinentin tonë. Për të tjerët nuk e di: ndoshta, sa për ilustrim, rohinxha myslimanët e përndjekur në Mianmar do të ndërronin me qejf Hashim Thaçin për atë heroinën dyfytyrëshe të perëndimit, Aung San Su Ki. Atë as Çmimi Nobel, e lerë më “noblesse oblige”, nuk mund ta shtyjë që së paku me fjalë ta mbrojë nga spastrimi etnik këtë pakicë etnike të rrezikuar.

E nëse edhe Baton Haxhiu mendon që Marrëveshja e Brukselit serbëve iu ka dhënë privilegje të tepërta, çfarë janë atëherë mundësitë që pushteti shqiptar ndonjëherë të ofrojë së paku garanci minimale serbëve në kuptim të Asociacionit të Komunave Serbe nga Marrëveshja e Brukselit? Kush do ta shtyjë Thaçin për këtë, t’i tregojë se serbët janë më të rëndësishëm sesa ushtria e re? A ka Natasha Kandiq shqiptare? Po Sonja Biserko, Teofil Pançiq, ose së paku Nedim Sejdinoviq?

Batoni ankohet në gjithë atë “njëdimensionalitet” në Serbi. Nëse nacionalistët serbë ia kanë zili ndonjë kombi tjetër për çfarëdo, janë shqiptarët të cilëve ua kanë zili për njëmendësi ndaj serbëve.

Kur në Kosovë ishin 12 për qind serbë, ishin tepër: tash, pasi janë të përndjekur, paskan më shumë të drejta? Ndërsa, duket se Millosheviqi kurrë nuk do të jetë i vdekur sa duhet.

Prandaj, në timonin e Kosovës ndërrohen Gjarpri dhe Ramboja.

Kam lexuar se këto janë nofkat ushtarake të komandantëve mizorë të Ushtrisë gjakatare Çlirimtare të Kosovës, të Hashim Thaçit dhe të Ramush Haradinajt.

Por, nëse unë e kam zënë Batonin, edhe ai më ka zënë mua.

Po, jam e gatshme të mendoj se Brukseli nuk është gjithnjë i drejtë ndaj shqiptarëve të Kosovës: ndaj kujt është? Megjithatë, instinkti nuk e ka mashtruar Batonin: kur e mendoj më mirë, Kosovën me të vërtetë e shoh si një fëmijë të llastuar dhe të lazdruar të Uashingtonit dhe të Brukselit, si territor i cili as nuk i ndërtoi standardet, as nuk e meritoi statusin. Pas përndjekjes së serbëve në mars të vitit 2004, shqiptarët shumicë u shpërblyen me heqje dorë nga politika e “Standardeve para statusit” nga ana e Perëndimit dhe me zgjidhje të përshpejtuar të statusit para standardeve.

Serbët janë ata që u ndëshkuan.

Uashingtoni, Parisi dhe Londra u dërguan porosi serbëve: kjo nuk ka kurrfarë lidhje me demokracinë dhe sundimin e ligjit. Keni humbur luftën kundër NATO-s dhe jeni ndëshkuar me humbjen e tokës së shenjtë për juve, në të cilën civilizimi i juaj mesjetar arriti majat e tij.

Pse atëherë më befason kur Batoni lavdëron durimin e shqiptarëve të Kosovës ndaj privilegjeve të shumta të cilat kinse serbët po i gëzuakan atje: “Ndodh ndonjë luftë në Kosovë për shkak të kësaj? Jo”. Pesë ose gjashtë për qind janë ende aty, për më tej mbajnë kokën e gjallë mbi supe. A pak a?

Ashtu si popujt tjerë, serbët janë të prirë ndaj miteve nacionale. Mirë, të themi se janë më të prirë se të tjerët. Nuk i takoj grupit të atyre që tallen me mungesën e toponimeve shqiptare në Kosovë dhe i nënçmojnë shqiptarët si ardhacakë, por me të vërtetë, a ka vend për fjalë të tilla nënçmuese për “mendësinë e manastireve mesjetare”, si të ishte trashëgimia serbe nga ajo kohë mbeturinë e një epoke të errët nga varrezat e së cilës “marrim urdhra”.

Nuk e them këtë vetëm sepse besoj që Batonit nuk do t’i shkonte mendja që në këtë mënyrë të flasë për Katedralet në Shartrë dhe Amienë, Kishën e Virgjëreshës Mari në Paris. Nacionalistët serbë gabojnë kur ngazëllehen mbi mungesën e historisë shqiptare në Kosovë, megjithatë gjithsesi nuk duhet nënçmuar mesjetën serbe, kohën kur janë zhvilluar ngjarje dhe procese tepër të rëndësishme për historinë e tyre. Në këtë periudhë serbët u bënë të krishterë, u krijua kisha autoqefale dhe udhëhiqej lufta kundër herezisë. Dinastia e Nemanjiqëve e zgjeronte territorin dhe ndërtonte kisha madhështore dhe manastire, u zhvillua xehetaria, rriteshin qytetet, u krijuan lidhjet politike me Perëndimin dhe ato tregtare me Italinë. Sunduesit vendosen ligje të avancuara me përzierjen e së drejtës bizantine dhe traditës serbe. Po të mos ishin turqit, së shpejti [serbët] do të hynin në Rilindje.

Jam pjesë e kundërshtarëve të ashpër të teorisë së “urrejtjeve antike” si shkaktare të luftërave civile në ish Jugosllavi, edhe pse konfliktet tona etnike ishin të shumta dhe të përgjakshme. Serbët me luftë të vështirë kanë fituar një nivel të vetëqeverisjes në Perandorinë Osmane turke, e cila shkatërrohej. Shteti modern serb u ngrit mbi kryengritjet në të cilët kryengritësit goxha të vrazhdë serbë luftonin kundër sunduesve goxha të vrazhdë feudalë myslimanë. Sulltani në përgjithësi shfrytëzonte ushtrinë shqiptare dhe atë boshnjake për ta shtypur popullatën serbe e cila u masakrua ose u dëbua, meshkujt nguleshin në hunj ndërsa femrat dhe fëmijët bëheshin skllevër.

E di se ky nuk është lloji i kujtimit të cilin Batoni e kërkoi nga unë. E di saktë për çka flet kur butësisht i përqesh serbet se janë “duke qortuar botën pse sillen mirë me të tjerët ngase e përjetojnë si diskriminim ndaj tyre”. Serbia gjithnjë ka luftuar për ta fituar simpatinë e fuqive të mëdha, ka kërkuar ndihmën e tyre diplomatike, mbrojtjen ushtarake dhe mbështetjen ekonomike. Fatkeqësisht, mbështetja e tillë gjithnjë në vete bart çmimin e lartë dhe Serbia gjatë historisë vetëm pjesërisht ia dilte të shmangte të bëhej satelit i fuqive të mëdha. Kjo është një luftë e përhershme, në cilën secili triumf në vete bart farën e shkatërrimit të ardhshëm. Për këtë me siguri mendojmë edhe unë dhe Batoni derisa nga anash shikojmë se si Aleksandar Vuçiq dhe Edi Rama luftojnë për të fituar simpatinë e fuqive të mëdha.

Pjesën më të madhe të karrierës e kam harxhuar mu në përcjelljen e proceseve të ngjashme. Prejardhjen e kam nga Sarajeva dhe shumë mirë e njoh eksperiencën e popujve të vegjël të cilëve në një moment të caktuar iu duket se fati i tyre përputhet me fatin e Botës dhe rrjedhën e përgjithshme të historisë së njerëzimit. Kështu filluan të nëntëdhjetat në Bosnje. Ndër të tjera, po i njëjti historian britanik, Noel Malkolm, i ka shkruar historitë e popullarizuara të Bosnjës dhe të Kosovës. Jam më mirë e njoftuar me atë të Bosnjës: nga ajo disi dilte që historia gjatë gjithë kohës rridhte drejt shtetit për të cilin Alija Izetbegoviq do ta fitonte pavarësinë.

Por, nëse e lëmë Bosnjën mënjanë dhe nëse vetëm për një moment e harrojmë arrogancën serbe, a nuk ia vlen pyetja: Çfarë janë gjasat, në mënyrë objektive, që historia gjatë gjithë kohës të këtë rrjedh në drejtim të Ramush Haradinajt?

 

(Nga gjuha serbe tekstin e përktheu Bruno Neziraj)

 

 

Platforma KoSSev ka nisur rubrikën e re “Bisedë pa shkas”, me përkrahje nga Ambasada Amerikane, në kuadër të faqes së re “Dialogu”.

Në “Bisedë pa shkas” kolumne javore gjatë muajve të ardhshëm do të publikojnë Liljana Smajlovic, kryeredaktorja e deritashme e gazetës Politika nga Beogradi, dhe Baton Haxhiu, drejtor i Klan Kosovës.

Këto kolumne do të publikohen edhe në gjuhën shqipe, në portalin e Klan Kosovës.

Versioni i kësaj kolumne në gjuhën serbe mund të lexohet KETU.

Kolumnja 4 nga Baton Haxhiu: “Jeta jonë në dëshirat e politikanëve” në shqip  dhe serbisht.

Kolumnja 3 nga Liljana Smajlovic:  “Me pyetje ndaj përgjigjeve” në shqip dhe serbisht.

Kolumnja 3 nga Baton Haxhiu: “Melania” në shqip dhe serbisht.

Kolumnja 2 nga Liljana Smajlovic: “Kur serbët ngazëllohen e shqiptarët vajtojnë”, në shqip dhe serbisht.

Kolumnja 2 nga Baton Haxhiu: “Katarsis”, në shqip dhe serbisht

Kolumnja 1 nga Liljana Smajlovic: “Kur them ‘Politika’, mendoj Serbia”, në shqip dhe serbisht

Kolumnja 1 nga Baton Haxhiu: “Ndryshimi i komunikimit për ridefinim konstruktiv të realitetit”, në shqip dhe serbisht

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme