Katarsis 123 string(12) "Baton Haxhiu" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2018/11/baton-haxhiu.jpg" nga Baton Haxhiu 10.11.2016 22:20 10.11.2016 22:20 Jam i vetëdijshëm se do të vjen momenti kur në dialogun tonë do të duhet të ballafaqohemi me çështje të rënda. Si për shembull: Ku është gabuar? Ju shkruani se “Politika dhe shteti serb janë rritur bashkë”. Vetë teza e parashtruar, mënyra e këtillë e formulimit, e ka zanafillën e vet para së gjithash tek krahasimi realist i ndikimit reciprok të “Politikës” me Serbinë. Dallimi mes ngjarjeve të ndodhura në periudhën më të vështirë – atë të viteve të nëntëdhjeta – dhe mënyrës se si ato janë paraqitur në “Politika” i bën popujt e rajonit tonë ta kuptojnë njëjtësimin e politikës zyrtare së shtetit me gazetën. Për këtë arsye, “Politika” duhet gjithsesi të ballafaqohet me të kaluarën. Për dekada me radhë “Politika” ishte në ballë të përparimit serb, por gjithashtu ishte në ballë edhe të të ngritjes së vetëdijes për shkatërrimin e tjetrit. Jo në pak raste. Por, pavarësisht se si është parashtruar pyetja nga Ljiljana, apo nga përgjigjja që merr, është fakt se kjo pyetje dhe përgjigje shpreh një shqetësim që sa vjen e rritet. Puna me shkronjat dhe katarsisin shoqëror s’pret. Jemi shumë vonë. Dhe po kthehem te pyetja; E lexova edhe njëherë tekstin për të detektuar shkakun se nga ku kolegia ime Liljana nxori sugjerimin tim se në demokracinë e re nuk paska vend për gazetën e saj «Politika». Askund. Jo. Njëra nga mundësitë që unë në këtë kohe postmoderne e çmoj më së tepërmi është liria ime të bëj media pa i pasur borxh askujt, as kombit, as pushteteve e as ndonjë kolektivi tjetër që do më kërkonin apo detyronin të bëhem instanca morale e tyre. Sipas perceptimit tim të rolit të mediave së sotme, një relacion i tillë as që është i mundshëm. Dhe më mirë kështu. E di se gazeta «Politika» tash e më tepër se një shekull është ndër sferat kryesore të mendimit politik serb. Aq sa e njoh edhe konstatimin jo të padrejtë të atyre që thonë se «veç me «Politikën» Serbia u bë kombi i vërtetë politik». Konkluzë kjo që vetvetiu manifeston si kontributin ashtu edhe përgjegjësinë e «Politikës» gjatë rrugës së bërjes së Serbisë, kjo e kështu siç është sot. Dikush e percepton rolin e saj siç sugjeronte Alexander Pope në “Mbi Njeriun” – se çdo e keqe kalimtare është e mirë universale. Për mua si shqiptar i Kosovës kujtesa më dikton një realitet tjetër. Kjo është edhe arsyeja se pse veçova rubrikën «Odjeci i Reagovanja», ngase vetëm aty, jo vetëm unë por edhe plotë miq serbë, kroatë, sllovenë, boshnjakë, prisnim me shpresë depërtimin e ndonjë mendimi ndryshe, ndonjë kumti të arsyes kundër urrejtjes që e fabrikonin rubrikat tjera të «Politikës» nën diktatin e pushtetit të atëhershëm. Vetëm atë rubrikë e shihnim të vetmen tokë e territor nga ku – mbase – mund të na shpallej edhe njerëzorja kundër politikës. Kjo ishte «Politika» dje. Ishim ne që u ndamë në mënyrën më të tmerrshme të mundshme: duke vrarë njëri tjetrin! Duke ikur nga njeri tjetri. Duke urryer për vdekje njëri tjetrin. Prandaj e konsiderova fisnike dhe të duhur këtë ide dialogimi ndërmjet nesh, e nderuara Liljana, ngase nuk kërkon përgjegjësi nga ne për historinë, por pyesim se si mund të kontribuojmë ne si media që shoqëritë tona të dalin nga depresioni i humbësve, traumave, vajit dhe mosdurimit e bllokimit reciprok. E nderuara kolege; Të zgjuarit dhe të mirët besojnë se njerëzimi i ka dy alternativa: ose e çon historinë përpara, në formë progresive, i ndryshon mostrat historike ndaj njëri tjetrit për të mirë nëpërmjet ligjeve të forta, ose e bllokon atë duke ndenjur përjetësisht në të. Ligjet i përcaktojnë gjeneratat reale, të sotme, ekzistente. Cilat mund të ishin ato ligje e norma që mund t’ia vinim vetes? Unë besoj – prandaj edhe nisa bisedën time me ju nga ato dy perspektiva – se dy problemet qendrore që pamundësojnë ikjen e shoqërive tona nga depresioni reciprok janë forma e komunikimit tonë (sidomos në rrafshin masmedial) dhe raporti me kujtesën kolektive. Ne, për të përfituar lexueshmëri, popullaritet dhe për të qenë komod me pushtetet tona, më lehtë na bie të ushqejmë masat me psikozën e “kauzave të humbura”, siç vuanin amerikanët e shekullit 19. Se fabrikimi i psikozave të tilla siguron më së miri fushëveprim në Ballkanin tonë të përdhosur nga liderët pushteto-maniak dhe histeritë nacional-shoveniste? Po kështu do ta bënim të njëjtin gabim të shekullit që shkoi që u kushtojë shumëve me humbje qindra mijë njerëzish. Me përpjekjen tonë për ta justifikuar të keqen e shkuar si të drejtë e të domosdoshme mbajmë peng historinë, e cila e pamundëson ardhmërinë ndryshe dhe me perspektive të popujve tanë. Nuk është detyrë e ne, mediabërësve, ta krijojmë ndonjë mbinjeri siç e kërkonte Nietzsche apo Leo Trotzki. Ne nuk na kërkon kush ta bëjmë «njeriun që ndërton pallate popullore në majën e Montblankut dhe në fundin e oqeanit atlantik». Ne mund të bëjmë shumë që duke u nisur nga arkitektura bazë e këtij realiteti objektiv, që të orientojmë njeriun tonë të shekullit 21 drejt një komunikimi të njohjes dhe pranimit reciprok. Kush më mirë e më me përvojë mund ta bëjë këtë se sa «Politika», e cila siç shkruani edhe ju është pjesë e historisë njëshekullore, sido që ta gjykojmë atë? Prandaj sugjerimi im kundër ekzistencës së gazetës në «demokracinë e re» do të ishte absurd. Ajo që unë i dëshiroj – dhe jo vetëm gazetës suaj por edhe gjitha mediave shqiptare e serbe – është gjykimi objektiv, interpretimi pa synime ripushtimesh i kujtesave tona të përbashkëta dhe atyre veç e veç. Nëse ftesa ime që t’ia nisim nga komunikimi me respekt dhe racionalizim te historisë, pa kujtesën e se keqes – se u vutë në pozitën e justifikueses së vetes dhe gazetës – si kushte për një dialog të mirëfilltë ndërmjet nesh, atëherë më tregoni se mbi cilat pista preferoni ju të flasim për temën e ngritur këtu. Po e kujtuam gjuhën e politikës, atëherë si kujtesë që duhet harruar, po jap një pasazh mëkati. Dhe këtu e përfundoj me mëkatin e shkronjave të politikës dhe për të diskutuar për të kaluarën e saj. Politika (edhe si gazetë, por edhe politika vet) kishte shumë mëkate në shpirt lidhur me ngjarjet e gjithmbarshme të luftës në territorin e ish-Jugosllavisë. Pas luftës filloi tentimi për shpëlarje dhe të gjithë fajin po ia hidhnin Millosheviqit. Millosheviqi, natyrisht, kishte faj shumë, por i tillë është rrëfimi për kurbanin. Nuk duhej dyshuar që Millosheviqi tashmë bëhej kurban, nuk duhet dyshuar as që është fajtor ai, por nuk duhet dyshuar as se pjesë të madhe të fajit kishin edhe Kisha serbe, edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë, edhe intelektualët. Sepse ishin pjesë e politikës. Dhe e “Politikës”. Ky tregim për pastrimin e mëkateve dhe kurbanin dukej shumë i shëmtuar. Slobodan Millosheviqi nuk ia futi flakën secilës prej shtëpive në Kosovë. Individët serbë po. Ata e bënë këtë me plan, vullnet dhe shpesh me kënaqësi vrasëse, sipas dëshmive nga gazetarët, hulumtuesit e krimeve të luftës dhe paqeruajtësit e NATO-s. Ishte e qartë se fushata e terrorit serb nuk kishte filluar më 24 mars 1999, ditën kur NATO marshoi për të bombarduar Serbinë, as më 28 shkurt 1998, kur u kryen masakrat, madje as më 1989 – ishte një periudhë e urrejtjes, një kohë e kultivimit të racizmit, e stimulimit të idesë së rreme se serbët na qenkan racë sipërore ndaj shqiptarëve, që zgjat së paku nga fillimi i shekullit 20 e këtej. Që nga “Politika”. Natyrisht përballë kësaj stuhie psikike pothuaj njëshekullor edhe shqiptarët kishin konservuar në vetvete një urrejtje të madhe ndaj serbëve. Por, kjo ishte urrejtja e të nënshtruarit, ishte përbuzja e viktimës ndaj bartësit të arbitraritetit, që ishte politika. Këtu qëndron dallimi mbase qenësor mes urrejtjes serbe ndaj shqiptarëve dhe anasjelltas. Urrejtja e viktimës ndaj pushtuesit kurrë nuk është e njëjtë me urrejtjen e pushtuesit ndaj viktimës. Këtu përfundon kujtesa dhe fillon e ardhmja. Unë jam i hapur. E dua dialogun. Prandaj edhe pyetja ime për ju është: Cili do të ishte koncepti juaj orientues për temat kryesore të një dialogu ndërmjet nesh? ============================================== Platforma KoSSev ka nisur rubrikën e re “Bisedë pa shkas”, me përkrahje nga Ambasada Amerikane, në kuadër të faqes së re “Dialogu”. Në “Bisedë pa shkas” kolumne javore gjatë muajve të ardhshëm do të publikojnë Liljana Smajlovic, kryeredaktorja e deritashme e gazetës Politika nga Beogradi, dhe Baton Haxhiu, drejtor i Klan Kosovës. Këto kolumne do të publikohen edhe në gjuhën shqipe, në portalin e Klan Kosovës. Kjo është kolumnja e dytë nga Baton Haxhiu, kurse versioni i saj në gjuhën serbe mund të lexohet këtu Kolumnja 1 nga Liljana Smajlovic: “Kur them ‘Politika’, mendoj Serbia”, në shqip dhe serbisht Kolumnja 1 nga Baton Haxhiu: “Ndryshimi i komunikimit për ridefinim konstruktiv të realitetit”, në shqip dhe serbisht *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.