Urime ditëlindjen Stevie Wonder! Një jetë dhe karrierë e madhe! NULL NULL 13.05.2017 15:00 13.05.2017 15:00 Më 13 Maj, 1950 në Saginaw, Michigan lindi një mrekulli muzikore, me emrin Stevland Hardaway Judkins, që me talentin e tij të shumëfishtë do t’i rrëmbente zemrat e çdo dashamiri të muzikës së mirëfilltë. Stevland, që më vonë do ta adaptonte emrin skenik, Stevie Wonder, e kishte humbur shikimin pak pas lindjes. Por kjo nuk e ndaloi gjeniun e notave dhe vargjeve që të mësojë të luajë instrumente muzikore nga një moshë e hershme dhe t’i pasurojë qoshet e rrugëve të vendlindjes së tij me ritmin dhe zërin e tij të këndshëm, njofton Klan Kosova. Vetëm 11 vjeçar, Wonder këndoi këngën e tij të parë të cilën e kishte kompozuar vetë, e të quajtur “Djali i Vetmuar”. Aty e kishte spikatur Ronnie White nga bendi i zhanrit “blues” The Miracles. Falë tij, Wonder nënshkruan kontratë me produksionin legjendar Motown. Nën markën e këtij produksioni, Wonder publikoi incizimin e tij të parë, ende 11 vjeçar, të quajtur “Tribute to Uncle Ray” e që ishin shumica këngë të Ray Charles të cilat i kishte kënduar Stevie i Vogël. Vëmendje më të madhe mori 11 vjet më vonë, kur ai publikoi albumin “Talking Book” e që në vete përmbante këngën ikonike të tij, “Superstition” e cila kishte prekur majet e toplistave. Kur kishte 25 vjet, ai veç se kishte fituar 2 çmime Grammy radhazi, për Innervisions dhe Fulfillingness’ First Finale, njofton Klan Kosova. Fama e tij kulmoi në të 80-at, kur lëshoi hitet e tij më të mëdha dhe kur rriti shitjet e albumeve dhe këngëve të veta, bashkë me paraqitjet e tij televizive dhe impaktin politik. Stevie Wonder madje e fitoi edhe çmimin Oskar për këngën I Just Called to Say I Love You më 1984. https://www.youtube.com/watch?v=QwOU3bnuU0k Repertoari i Wonder është i gjerë dhe gjithëpërfshirës. Është krijimtari që para dëgjuesit shpalos një shtjellim të gjerë të temave sociale, politike e mistike. Por në pjesë të caktuara është thjesht lirik dhe romantik në sinqeritetin më të ëmbël që një artist mund ta përçojë. Për shembull, kënga “Isn’t She Lovely” të cilën ia kishte dedikuar lindjes së vajzës së tij, Aisha, ia jep publikut një mundësi ta përjetojë dashurinë dhe soditjen ndaj gjërave të bukura edhe nëse nuk mund t’i shohë me sy. Falë artistëve të mëdhenj si Stevie Wonder, gjërat si dashuria, bukuria dhe arti përfaqësohen në format e tyre të gjithanshme duke na e bërë me dije se diçka e bukur, e dashur dhe artistike manifestohet në mënyra që nganjëherë as shqisat tona nuk mund ta përkufizojnë, njofton Klan Kosova. Stevie Wonder tani ka 67 vjet, me një karrierë të bujshme ku numëron 23 çmime Grammy dhe mbi 100 milionë incizime të shitura në mbarë botën. klankosova.tv