Suedia “po ndikon” që fitorja e Rumanisë ndaj Kosovës të anulohet NULL NULL 22.11.2024 15:08 22.11.2024 15:08 Largimi i lojtarëve të Kosovës nga fusha në ndeshjen kundër Rumanisë në Bukuresht, 15 nëntor, 2024. Foto: AP UEFA vendosi që fitorja e ndeshjes së braktisur nga Kosova kundër Rumanisë, t’i takojë kësaj të fundit me rezultat zyrtar 3-0. Këtë vendim, FFK-ja e ka apeluar në CAS (Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë) dhe për këtë çështje e kanë mbështetjen edhe të Federatës Suedeze të Futbollit, raporton Klankosova.tv. Fitorja në tavolinë për Rumaninë nënkupton se ata janë bërë ekipi më i mirë i Ligës C në Ligën e Kombeve. Kjo do të mund të ketë pasoja për synimin e Suedisë që të marrë biletën për në Botëror. Suedia, sikurse Kosova, beson se ky është vendim i gabuar, por nuk mund të interferojnë në rezultatin e ndeshjes të vetëm. Megjithatë, FSF-ja njoftoi se është ende në kontakt me FFK-në. “Kemi mësuar se Kosova e ka apeluar rastin. Po e përcjellim rastin dhe jemi në kontakt me Federatën e Futbollit në Kosovë. Ne besojmë se ndeshja duhet të vendoset në fushë”, ka thënë Kim Kallstrom, kreu i FSF-së, sipas gazetës suedeze “Expressen”. “Vendimi kryesisht afekton ekipet e përfshira, por ne po shqyrtojmë mundësinë për ndikim të mëtejmë. Është e rëndë që një sjellje jashtë fushës të ketë ndikim në rezultatin sportiv dhe afekton të dy ekipet e përfshira dhe te ne”, tha Kallstrom në deklaratën për “Fotbollskanalen”. Kosova, përpos që humbi me rezultat zyrtar, u dënua edhe me 6 mijë euro, por edhe me pesë apo më shumë kartonë të verdhë. Ndërkaq, Rumania është dënuar me gati 130 mijë euro gjobë, sikurse edhe me një ndeshje pa praninë e tifozëve. Ndeshja u ndërpre pasi ekipi i Kosovës doli nga fusha pas thirrjeve nga tifozët “Serbia, Serbia” dhe “Kosova është Serbi”, sipas avokatit të FFK-së, Taulant Hodaj. /Klankosova.tv