Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

SPAK me operacion masiv: Godet një grup prej 20 personash, sekuestrohen mbi 128 milionë euro pasuri

NULL NULL
12.06.2026 21:16

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka finalizuar një operacion të gjerë për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal, duke lëshuar 20 masa sigurie dhe duke sekuestruar pasuri me vlerë të konsiderueshme.

Në njoftimin zyrtar, SPAK bën me dije se ka regjistruar dhe hetuar procedimin penal nr. 287/1 të vitit 2021, për veprat penale “pastrim i produkteve të veprës penale”, “trafikim i lëndëve narkotike”, si dhe “grup i strukturuar kriminal”.

Mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 15 shtetas shqiptarë, mes tyre edhe biznesmenët Orest Sota, Artur Shehu, Ilir Shtufi dhe Edmond Jaupaj.

Po ashtu, për 5 persona të tjerë është vendosur masa “arrest në shtëpi”.

SPAK njofton se më 12 qershor 2026, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit ka ekzekutuar disa nga masat e sigurisë, ndërsa vijojnë kërkimet për të tjerat. Autoritetet greke kanë arrestuar gjithashtu një nga të kërkuarit, shtetasin I.Sh.

Sipas hetimeve, rrjeti kriminal dyshohet se ka vepruar në disa shtete të Europës dhe Amerikës Latine, duke u përfshirë në trafik ndërkombëtar të kokainës dhe pastrim parash përmes investimeve në pasuri të paluajtshme dhe biznese.

“Hetimet kanë dokumentuar një strukturë të organizuar që përfshinte furnizimin, transportin, magazinimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në tregjet europiane”, thuhet në njoftim.

SPAK thekson se janë përdorur edhe të dhëna nga platforma të koduara komunikimi si SKY ECC, përgjime telefonike dhe dokumente hetimore, të cilat kanë ndihmuar në zbardhjen e aktivitetit kriminal.

Në kuadër të operacionit janë sekuestruar pasuri të shumta, përfshirë vila në zona bregdetare, apartamente, toka, shoqëri tregtare, automjete luksoze, mjete lundruese dhe mbi 336 llogari bankare.

Vlera totale e sekuestrimeve preventive, sipas SPAK, arrin në mbi 128.4 milionë euro, ndërsa janë vendosur gjithashtu masa ndaj dhjetëra pasurive të tjera dhe subjekteve tregtare në Shqipëri dhe Kosovë.

SPAK ka bërë të ditur se hetimet vijojnë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe gjurmimin e pasurive të lidhura me aktivitetin kriminal.

SPAK ka falënderuar autoritetet gjyqësore dhe policore të Francës, Belgjikës, Spanjës, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Greqisë, si dhe Eurojust dhe Europol për bashkëpunimin në këtë hetim.

lajme të ngjashme