Shoqëria civile thirrje partive: Konsensusi për Presidentin, domosdoshmëri për stabilitetin institucional NULL NULL 25.02.2026 14:54 25.02.2026 14:54 Një grup i organizatave të shoqërisë civile iu ka bërë thirrje partive politike, liderëve të tyre dhe deputetëve që të angazhohen për arritjen e një konsensusi politik për zgjedhjen e presidentit. 10 organizata siç potencojnë në letrën e tyre, duke vlerësuar zhvillimet politike aktuale konsiderojnë se ekziston rreziku real që vendi të përballet sërish me zgjedhje të parakohshme për shkak të mungesës së marrëveshjes politike për zgjedhjen e Presidentit. “Duke pasur parasysh se vendi ka kaluar tashmë një periudhë të zgjatur pa stabilitet të plotë institucional, çdo vonesë e mëtejshme në konstituimin e plotë të institucioneve cenon funksionimin demokratik të institucioneve, zhvillimin ekonomik dhe besimin qytetar në sistemin politik”. “Konsensusi për zgjedhjen e Presidentit është domosdoshmëri për stabilitetin institucional. Zgjedhjet e përsëritshme të parakohshme nuk duhet të konsiderohen si instrument për të garantuar funksionimin e institucioneve, por përkundrazi, ato e rrisin pasigurinë dhe dëmtojnë vazhdimësinë institucionale. Një President i zgjedhur me konsensus ofron stabilitet, siguron funksionimin normal të pushteteve dhe rrit besimin qytetar në institucionet e shtetit”, thuhet më tutje në letrën e tyre. “Prandaj, u bëjmë thirrje të gjitha subjekteve parlamentare që:- të angazhohen me seriozitet dhe përgjegjësi në dialog konstruktiv ndërpartiak,- të vendosin interesin qytetar mbi kalkulimet partiake,- të kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje që siguron funksionimin e plotë institucional”. Shoqëria civile konsideron se stabiliteti institucional është interes publik dhe përgjegjësi e përbashkët politike. “ Çdo dështim për të arritur zgjidhje në afatin e mbetur do të konsiderohet dështim i vullnetit politik për të garantuar stabilitet dhe funksionalitet demokratik”. Më poshtë i gjeni organizatat nënshkruese të letrës: Organizatat nënshkruese: Demokraci Plus Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) Instituti GAP Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) Instituti i Kosovës për Drejtësi (KLI) Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) Lëvizja FOL Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)