Shoqata bjeshkatare “Gjeravica” ngjitet në majën 5,137 metra të Araratit, thyejnë rekord për pjesëmarrje (FOTO) NULL NULL 25.09.2022 13:25 25.09.2022 13:25 Shoqata Bjeshkatare “Gjeravica” nga Peja, është ngjitur në majën e Araratit në Turqi, me lartësi mbidetare 5,137 metra. Udhëheqësi i këtij organizimi, Raif Gjikolli, tregoi për Klankosova.tv rreth eksperiencës që pati ky grup, duke treguar se kanë thyer rekord ndërkombëtar sa i përket numrit të personave në grup, me gjithsej 36, kryesisht nga Peja, ndërkohë që ishin edhe tre nga Fushë Kosova, një nga Mitrovica dhe tre nga Shqipëria. “Organizim e kemi bërë prej muajit korrik, 36 persona kemi qenë pjesë e grupit. Më 20 shtator jemi nisur nga aeroportit i Prishtinës, kemi pasur pak telashe me udhëtim, pasi që ka pasur vonesa. E kemi kaluar një natë në Stamboll, ndërsa më pas kemi mbërritur në qytetin Dogubayazitt, qyteti nga ku bëhet ngjitja”. Shoqata bjeshkatare “Gjeravica” duke u nisur nga aeroporti “Adem Jashari” Gjikolli tregoi se me të mbërritur në këtë qytet, natën e 21 shtatorit e kanë kaluar aty për t’u çlodhur, ndërsa të nesërmen kanë filluar nisjen për në majën e lartë. “Më 22 shtator e kemi bërë nisjen, nga lartësi mbidetare prej 2,200 metrash, jemi nisë dhe kemi mbërri në lartësinë mbidetare prej 3,200 metrash. Aty pastaj jemi ndalë dhe kemi kaluar natën nëpër tenda. Ka rënë breshër, moti ka qenë shumë i ftohtë, kushtet atmosferike nuk kanë qenë në favorin tonë”, tregoi Gjikolli për Klankosova.tv. Në ditën e dytë të ekspeditës, grupi kosovar u ngjit edhe për 1,000 metra të tjera, në lartësinë mbidetare 4,200 metra. “Në ditën e dytë kemi bërë ngjitjen nga kampi i parë në të dytin, 4,200 metra lartësi mbidetare, aty kemi mbërri rreth orë 3 pasdite”. Pasi arritën aty, shoqata bjeshkatare“Gjeravica”, i cili është themeluar që nga viti 1928, vendosi sërish tendat për t’u çlodhur, në ditën e tretë u nisën që në orët e para të mëngjesit, saktësisht në orë 02:00. “Në 01:00 të mëngjesit jemi zgjuar, në 02:00 të mëngjesit jemi nisur, ia kemi mësy majës dhe kemi arritur atje në orën 08:30 të mëngjesit, por ka qenë shumë problem, ka pasur erë të fortë, me shpejtësi deri në mbi 80 kilometra, temperatura ka qenë nën 30 gradë celsius. Nuk kemi qenë në gjendje as të mblidhemi si grup e ta bëjmë një fotografi të përbashkët, përveç fotografive personale që i kemi bërë”, tha Gjikolli. Udhëheqësi Raif Gjikolli në majën e Araratit Megjithëkëtë mund, Gjikolli tha se një eksperiencë e tillë ka qenë shumë e mirë dhe diçka që ia ka vlejtur. Nga 36 persona që ia mësynë majës, nëntë nga ta u kthyen, me tre që u dorëzuan në kampin e parë dhe gjashtë të tjerë në të dytin. Gjikolli tha se personat që nuk arritën në maje ishin në moshë më të shtyrë, ndërsa për ata që ia arritën qëllimit, tha se nuk kanë pasur asnjë problem shëndetësor dhe se janë kthyer shëndosh e mirë. Të martën mbrëma, shoqata bjeshkatare “Gjeravica” do të aterojë në aeroportin e Shkupit. /Klankosova.tv/ Disa pjesëtarë të grupit në majën e Araratit Dy grupe tjera që kishin pjesëmarrës të konsiderueshëm në numër këtë vit, ishin një nga Armenia me 20 pjesëmarrës dhe një nga Bullgaria me 30. “Falënderim i veçantë për të gjithë sponzorët që na përkrahën e na ndihmuan në realizimin e kësaj ekspedite. Komuna e Pejës Gazmend Muhaxheri Birra Peja, Qumështorja Vita, Devolli Group, Go + Albaqeramika AFK – Agjencioni për Financim në Kosovë Topreklama Elko”, ka shkruar shoqata bjeshkatare “SHBA Gjeravica Pejë” 1928, në Facebook. “Këtë foto e realizuam në kampin bazë (3200m) pas kthimit nga maja Ararat 5137m, në pamundësi për ta bërë një foto të tillë në maje për shkak të kushteve të papërshtatshme atmosferike”