Reagon edhe Nisma: Kuvendi s’ka shumicë – zgjidhja e vetme zgjedhjet NULL NULL 04.11.2025 15:01 04.11.2025 15:01 Për propozimin e Glauk Konjufcës si mandatar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar edhe Nisma Socialdemokrate. Përmes një postimi në Facebook, kjo parti fton presidenten Vjosa Osmani, të mos bëhet pjesë e zvarritjeve politike apo interpretimeve arbitrare, që siç thotë, rrezikojnë parimet kushtetuese dhe krijojnë tensione të panevojshme. “NISMA Socialdemokrate vlerëson se vendi ndodhet në një ngërç të paprecedentë institucional si rezultat i mungesës së vullnetit politik për marrëveshje dhe vendimmarrje të përgjegjshme, dhe si pasojë e përpjekjeve të vazhdueshme për zgjatjen e pushtetit pa shumicë parlamentare dhe pa legjitimitet politik. Sot është e qartë për të gjithë: Kuvendi i Kosovës nuk ka shumicë. Në takimin e fundit me Presidenten e Republikës, të gjitha partitë politike e kanë shprehur qartë dhe zyrtarisht qëndrimin e tyre: në këtë Kuvend nuk ekziston shumicë parlamentare dhe zgjidhja e vetme mbeten zgjedhjet e reja. Si e tillë, kjo situatë kërkon veprim të qartë dhe të shpejtë institucional. Presidentja e Republikës ka detyrim kushtetues të respektojë vullnetin e subjekteve politike, vullnet që tashmë është deponuar zyrtarisht. NISMA Socialdemokrate fton Presidenten të mos bëhet pjesë e zvarritjeve politike apo interpretimeve arbitrare që rrezikojnë parimet kushtetuese dhe krijojnë tensione të panevojshme. Roli i Presidentes është të garantojë unitetin kushtetues dhe të sigurojë funksionimin demokratik të shtetit, jo ta shtyjë vendin drejt bllokadës”, shkruhet në reagimin e Nismës, njofton Klankosova.tv. Të njëjtin qëndrim e kanë edhe partitë e tjera për të cilat e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e parakohshme.