Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Pasardhësi po ia rishikon vendimet Bujar Osmanit

NULL NULL
13.07.2024 12:36
Timço Mucunski bujar osmani
Ministri i ri i Jashtëm, Timço Mucunski, dhe paraardhësi i tij Bujar Osmani.

Vendi i ambasadorit të Maqedonisë së Veriut në Kombet e Bashkuara (OKB) në Nju Jork mund të mos jetë i vetmi post diplomatik që do të jetë vakant në periudhën e ardhshme.

Vetë shefi i misionit atje, Lubomir Fërçkoski, ka paralajmëruar se do të tërhiqet pasi ai dhe ambasadori në Romë, Vesel Memedi, janë thirrur për konsultime nga shefi i ri i diplomacisë, Timço Mucunski.

Pas regjistrimit të popullsisë në Shqipëri, edhe ambasadori maqedonas në Tiranë, Danço Markovski, ishte në Shkup për konsultime.

Mucunski, nga Uashingtoni ku ishte pjesë e një delegacioni pjesëmarrës në samitin e NATO-s, nuk dha arsyet në një deklaratë në mëngjesin e 11 korrikut, por tha se kishte dyshime serioze për keqpërdorime.

“Mendoj se për momentin nuk është e drejtë të hyjmë në detaje të gjithë kësaj, por në dy nga tri vendet kemi dyshime serioze për funksionim jo të duhur dhe jashtë akteve ligjore, por edhe të akteve nënligjore që janë të vlefshme brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme”, tha Mucunski.

Por, përveç këtyre, kryesia e re në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme është duke i shikuar të gjitha referimet ndaj diplomatëve të rangut më të ulët që ish-ministri Bujar Osmani ka bërë para largimit të tij.

“Aktualisht, të gjitha referimet në periudhën parazgjedhore dhe paszgjedhore janë në fazën e analizës. Nëse konstatohet se ka lëshime në procedurë apo se nuk ka nevojë reale për plotësimin e disa pozitave të renditura, sigurisht që ato do të rishikohen”, thanë për Radio Evropa e Lirë nga kjo ministri.

Shtatë diplomatë me mandat, shtatë me detyrë

Sipas të dhënave që Radio Evropa e Lirë ka marrë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, në tre muajt e mëparshëm, nga prilli deri në qershor, janë dërguar gjithsej 14 diplomatë për të punuar në misionet diplomatike-konsullore.

Në atë kohë në Maqedoninë e Veriut ishte periudhë zgjedhore, pasi më 4 prill filloi fushata për rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale i mbajtur më 24 prill. Më 8 maj ishte rundi i dytë, së bashku me zgjedhjet parlamentare, kurse më 24 qershor u votua Qeveria e re e udhëhequr nga VMRO DPMNE-ja.

Nga 14 diplomatët e dërguar gjatë asaj periudhe, tre janë dërguar në prill, pesë në maj dhe gjashtë në qershor.

“Nga këta 14 diplomatë, shtatë janë të caktuar me mandat në misionet diplomatike-konsullore, ndërsa shtatë janë caktuar për ndihmë”, thonë nga ministria, duke mos specifikuar se për çfarë detyrash janë dërguar.

Shkrimin e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë.

lajme të ngjashme