Ndihmësi i Navalnyt vuan ‘dëmtim të vogël shëndetësor’ nga sulmi, thotë policia e Lituanisë NULL NULL 13.03.2024 09:21 13.03.2024 09:21 Leonid Volkov Policia e Lituanisë tha të mërkurën se kishte nisur një hetim për një sulm ndaj Leonid Volkovit, ndihmësi i liderit të ndjerë të opozitës ruse Alexei Navalny, pasi ai u sulmua jashtë shtëpisë së tij në Vilnius të martën. Volkov u sulmua me gaz lotsjellës dhe një çekiç, duke pësuar ndër të tjera një mavijosje në ballë dhe një plagë në këmbë, ka thënë ish-zëdhënësja e Navalnyt, Kira Yarmysh. Volkov u kthye në shtëpi nga spitali të mërkurën pas trajtimit, tha ai në një postim në Telegram. Hetimi filloi për një “dëmtim të vogël shëndetësor”, tha një zëdhënës i policisë së Lituanisë për Reuters, ndërsa shtoi se ende nuk ishte identifikuar asnjë i dyshuar, transmeton Klankosova.tv. Disa njësi policie, duke përfshirë njësinë elitare të anti-terrorizmit, kishin hetuar vendin e krimit pranë shtëpisë së Volkovit në periferi veriore të kryeqytetit lituanez gjatë natës. Ministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë Gabrielius Landsbergis të martën e quajti incidentin tronditës dhe tha se autorët duhet “të përgjigjen për krimin e tyre”.