Mario Vargas Llosa: Globalizimi është gjëja më e mirë që i ka ndodhur botës NULL NULL 25.06.2015 18:51 25.06.2015 18:51 Nobelisti Mario Vargas Llosa ka qëndruar disa ditë në Beograd, ku është takuar me lexuesit e veprës së tij, por edhe me udhëheqësit më të lartë shtetërorë. Ai ka deklaruar se globalizimi është gjëja më e mirë që i ka ndodhur botës, sepse ofron mundësi për paqe dhe mirëkuptim të njerëzve të cilët u përkasin kulturave, arsimimeve, religjioneve dhe zakoneve të ndryshme. Sipas Llosas, globalizimi i zhvillon dhe i modernizon vendet e varfra, gjë që nuk ka ndodhur më parë, transmeton Klan Kosova. “Kush e kundërshton këtë tendencë ka vizion të mbrapambetur shoqëror”. “Sikur të kishte vetëm njerëz që e kundërshtojnë, ndoshta ende nuk do të dilnim prej shpellave”. Por, Llosa ka vlerësuar se përveç anëve pozitive, globalizimi ka edhe mangësi. Si rrezikun më të madh e ka përmendur nacionalizimin tek ata njerëz të cilët sigurinë në botë e kërkojnë në bashkësitë fisnore dhe në fanatizmin radikal fetar. “Mendoj se këto shtytje mund t’i shkatërrojë edhe projektet më fisnike dhe më pragmatike, prej të cilëve më i vjetri është ai i krijimit të Europës”. “Miliona njerëz kanë vdekur për shkak të nacionalizimit dhe vizionit të tij të ngushtë për botën”. “Nacionalizmi është pengesë për zhvillim të Europës dhe tërë botës”. “Nacionalizmi dhe fanatizmi fetar janë kërcënimet më të mëdha për shoqëritë bashkëkohore”. Nobelisti ka thënë se situata e sotme në botë prapëseprapë është më e mirë se çdoherë tjetër, sepse ka më pak diktatura autoritare dhe në shumicën e vendeve është instaluar demokracia. “Vizioni katastrofal nuk është pjesë e realitetit tonë. Fanatizmi fetar është i fuqishëm, dhuna troket me forcë në dyert tona, nuk ka armë kundër terrorit dhe frika është e arsyeshme, mirëpo nuk mendoj se bota do të marrë pjesë në çmendurinë e luftës së tretë botërore”. Duke folur për angazhimin e tij politik, Llosa ka thënë se marrjen trevjeçare me politikë e konsideron si përvojë të pakëndshme. “Letërsia është jeta ime, kurse të shkruarit – lumturia më e madhe”. “Letërsia e ndryshon botën, sepse në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikon tek lexuesit – u zgjon imagjinatën dhe mendimin e tyre kritik”. “Njerëzit që lexojnë letërsi të mirë lejojnë që ajo të ndikojë në mënyrën e tyre të të menduarit”. Mario Vargas Llosa ka thënë se nuk është e mundshme të dëshmohet konkretisht se në ç’rrugë veprat e mëdha ndikojnë tek njerëzit, por është i sigurt se pa Servantesin, Hygonë, Borhesin, Markezin dhe shkrimtarët tjerë, edhe vetë ai do të ishte mediokër dhe shumë më i varfër. “Këta shkrimtarë e kanë pasuruar në masë të madhe mënyrën në të cilën unë mendoj, besoj dhe veproj”. Shkrimtari i famshëm ka thënë se aktualisht është duke e shkruar romanin “Pesë kënde”, për Perunë e viteve 1980 dhe një lagje të veçantë e cila në periudhën e kolonive ishte qendër e jetesës, vend i formimit të kompozitorëve të shumtë dhe vatër e muzikës kreole nga Luiziana, mirëpo që tashmë është rrënuar. “Është roman për njerëzit, por do ta përfshij edhe rrëfimin mbi mitin dhe legjendën që ekziston për këtë lagje në Peru”. Llosa ka thënë se i ka lexuar të gjitha veprat e shkrimtarit jugosllav Danillo Kish që janë përkthyer në spanjisht.