Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Dialogu strategjik, Albanians for America: Koha për një kapitull të ri në aleancën Kosovë–ShBA

NULL NULL
22.07.2026 13:40

Marrëdhënia ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara ka kaluar provën e luftës, të paqes dhe të shtetndërtimit.

Tani, sipas organizatës Albanians for America, ka ardhur momenti që kjo aleancë të marrë një formë më të institucionalizuar përmes fillimit të Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA, një proces që konsiderohet jo si favor diplomatik, por si njohje e partneritetit më të rëndësishëm në historinë e Kosovës.

Në një opinion të publikuar, Albanians for America vlerëson se rrethanat që çuan në pezullimin e këtij procesi kanë ndryshuar dhe se nuk ekziston më asnjë arsye reale për të mos e riaktivizuar Dialogun Strategjik, transmeton Klankosova.tv.

“Koha për ta filluar Dialogun Strategjik Kosovë–SHBA është tani. Ky nuk është një favor ndaj Kosovës dhe as një koncesion diplomatik. Është njohje e një aleance që është provuar në luftë, është forcuar në paqe dhe është mbështetur vazhdimisht nga qytetarët e Kosovës”, thuhet në opinion transmeton Klankosova.tv.

Organizata rikujton se në janar të vitit 2024, gjatë vizitës në Kosovë, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, kishte paralajmëruar se procesi i Dialogut Strategjik do të finalizohej së shpejti, duke sinjalizuar hyrjen e marrëdhënieve Kosovë–SHBA në një fazë të re bashkëpunimi.

Megjithatë, më 12 shtator 2025, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë njoftoi pezullimin e Dialogut Strategjik për një kohë të pacaktuar, duke argumentuar se veprimet e Qeverisë në veri të Kosovës kishin rritur tensionet dhe kishin kufizuar mundësinë për avancimin e prioriteteve të përbashkëta.

Sipas Albanians for America, situata në veri tashmë është stabilizuar dhe kushtet që çuan në atë vendim nuk ekzistojnë më.

“Nuk ekziston më asnjë pengesë reale që ta justifikojë mosnisjen e Dialogut Strategjik, ngase pezullimi mund të jetë i përkohshëm, por aleanca e vërtetë nuk zbehet nga rrethanat e momentit”, theksohet në tekst.

Organizata argumenton se Dialogu Strategjik do ta institucionalizonte bashkëpunimin në fusha kyçe si mbrojtja, siguria, ekonomia, energjia, teknologjia dhe politika e jashtme, duke e vendosur Kosovën në të njëjtin nivel bashkëpunimi strategjik që SHBA-ja ka ndërtuar me një sërë shtetesh partnere.

Në opinion vihet në pah edhe konteksti aktual gjeopolitik. Sipas organizatës, ndërsa SHBA-ja po avancon Dialogun Strategjik me Serbinë, Beogradi vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, mban marrëdhënie të afërta me Rusinë dhe Kinën dhe nuk ka dhënë përgjegjësi për çështje të rëndësishme të trashëguara nga lufta, përfshirë krimet e luftës, personat e zhdukur me dhunë dhe rastin e vëllezërve Bytyqi.

Në anën tjetër, theksohet se Kosova ka dëshmuar orientim të qartë euroatlantik, është rreshtuar me politikat e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, mbështet sanksionet ndaj Rusisë dhe synon anëtarësimin në NATO.

“Shtetet e Bashkuara dhe Kosova tashmë veprojnë si partnerë strategjikë. Prandaj duhet filluar Dialogu Strategjik, jo për të krijuar një partneritet të ri, por për ta ngritur atë në një nivel më të strukturuar, më të koordinuar dhe më afatgjatë”, përfundon opinioni i Albanians for America, transmeton Klankosova.tv.

Sipas organizatës, fillimi i Dialogut Strategjik do të ishte vazhdimësi logjike e aleancës historike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, duke reflektuar jo vetëm interesat e përbashkëta strategjike, por edhe mbështetjen e fuqishme që qytetarët e Kosovës vazhdojnë t’i japin Shteteve të Bashkuara.

lajme të ngjashme