Kush është Nadica, roja që rrahu shqiptaret në burg të Lipjanit më ’98-’99? NULL NULL 17.01.2026 20:24 17.01.2026 20:24 Qelitë e errëta dhe të ftohta të Burgut të Lipjanit, gjatë viteve 1998–1999, ishin vend ku për gratë shqiptare të burgosura nisnin torturat sa herë që hapej dera dhe dëgjohej zhurma e hapave të gardianeve. Sipas dëshmive, torturat kryheshin pa ndërprerë nga gardianja serbe Nadica Çepenkoviq, e cila nuk kursente asnjë grua të burgosur, duke i rrahur dhe maltretuar vetëm pse ishin shqiptare, raporton Klan Kosova. Ish-e burgosura Zahrije Podrimqaku ka rrëfyer për dhunën e ushtruar ndaj saj, duke thënë se rrihej me shkop druri deri në alivanosje dhe se keqtrajtohej vazhdimisht. Torturat e asaj kohe i ka ende të freskëta në kujtime edhe Behare Tafallari, e cila thotë se Çepenkoviqi ishte jashtëzakonisht e pamëshirshme dhe se të burgosurat nuk i shihte si njerëz. Për këto veprime, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për “Krime lufte kundër popullsisë civile” ndaj Çepenkoviqit, si gardiane në Burgun e Prishtinës, paralelja për gra në Lipjan. Ajo akuzohet se, në mënyrë sistematike, ka keqtrajtuar të burgosurat shqiptare, i ka kanosur për jetë dhe i ka torturuar në mënyrë çnjerëzore me shkop gome, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore. Kjo konsiderohet aktakuza e parë e ngritur ndaj një gruaje nga Prokuroria e Republikës. Veprimi i Prokurorisë, edhe pse i vonshëm, është pritur me gëzim nga ish-të burgosurat. Ato shprehen se vendimi u ka sjellë lehtësim dhe ndjenjë drejtësie. E dyshuara u arrestua në prill të vitit 2025 dhe aktualisht ndodhet në paraburgim në Kosovë. /Klankosova.tv