Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Ninulla për Batonin

123
string(17) "Liljana Smajlovic" NULL
nga Liljana Smajlovic 08.07.2017 12:00

 

Me çka e kam shtyrë Batonin që me aq zjarr të mbrojë Ramush Haradinajn?

 

 

Çka ishte ajo që e ka sforcuar ish redaktorin e Kohës Ditore ta arsyetojë jo vetëm komandantin famëkeq të UÇK-së, por edhe të gjithë bashkëkombësit e tij të cilët në Kosovë kanë kryer krime të tmerrshme mbi serbët, pakicën rome dhe të tjerat, si dhe mbi “shqiptarët jolojalë”?

Si është e mundur që një intelektual evropian, e në dukje liberal dhe i arsyeshëm nga “Letra e parë për Liljanën”, pas vetëm disa muajsh dialog, i cili nuk i shkonte për shtati, të shndërrohet në një banor arhetipik të Kosovës, me mirëkuptim të plotë për krimet e atyre të cilëve “gjoksi u ka vluar nga hakmarrja”?

Batonin e njoh vetëm nga nami në atdheun tonë të përbashkët të Jugosllavisë dhe kjo apologji krimesh nuk po më përshtatet në këtë kujtim. A i mbron kriminelët edhe kur bisedon me bashkëkombësit e tij, ose secili bashkëbisedues beogradas për të është armik para të cilit i mbron bashkëkombësit e tij çfarëdo të kenë bërë ata? A është Beogradi “leckë e kuqe” për Prishtinën, prandaj Batonit i duket që me Beogradin çdo gjë është e lejuar, që në këtë dialog të tillë zhduken të gjitha konsideratat intelektuale dhe morale? Aq sa nuk nevojitet as respektimi i minimumit të fakteve të kontrollueshme?

Çka mund ta shtyjë çfarëdo personi, e lerë më gazetarin, t’i arsyetojë krimet mbi njerëzit e pambrojtur – respektivisht “aktet e aty-këtushme të hakmarrjes ndaj fqinjëve”, ashtu siç iu ledhaton Batoni? Nuk po mund t’i kuptoj. Por, nëse për Batonin jam “leckë e kuqe”, nëse nga fjalët e mia aq shumë verbërohet nga tërbimi saqë fillon të amnistojë kriminelët, le të fillojmë pra me fjalët e kolegut të tij të deridjeshëm dhe bashkëkombësit nga Prishtina.

Jam turpëruar duke e lexuar “Ambasadorin dhe shënimet e tjera heretike” të Veton Surroit, të cilin “Samizdat” i Veran Matiqit e ka publikuar para pak kohësh në gjuhën serbe. Në faqen 34 të këtij libri nuk e dallova menjëherë emrin e Dragosllav Bashiqit. Kam harruar profesorin e Universitetit të Prishtinës, të cilin gjashtë muaj pas largimit të  ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova dhe gjashtë muaj pas dëbimit të shumicës së serbëve nga Kosova, e kishte linçuar turma e cila e festonte “Ditën e Flamurit” shqiptar. Me çka kishte hyrë në hak kjo viktimë “e akteve të aty-këtushme të hakmarrjes ndaj fqinjëve” ndaj bashkëqytetareve të tij? Edhe si e ditën përnjëherë se është serb kur e vërejtën në “jugo” të vjetruar me bashkëshorten dhe nënën e saj 78-vjeçare? A i shkruante në ballë se ishin serbë? Nuk iu gëzuan sa duhet flamurit kuq e zi? Bashiq ka qenë “fullbrajtist” në Amerikë, i lindur në Prizren, së paku katër dekada ka jetuar në kryeqytetin e Kosovës dhe Metohisë, dhe ishte njëri nga ata “fqinjët” të cilët besuan se nuk kanë nevojë të ikin për Serbi pasi nuk i kishin bërë keq askujt. Siç thotë Vetoni, me atë 28 nëntor, Bashiqi me siguri shpresonte se “tashmë kishte ndodhur çfarë kishte ndodhur, se është vrarë kush ishte vrarë, se janë djegur shtëpitë që ishin djegur dhe se tani gjërat disi do të vinin në vend të vet”.

Këtë gabim e ka paguar me jetë. Vetëm sa po fillonte. Trupat e tre serbëve turma i kishte nxjerrë nga vetura. Nuk u ndihmoi as adresimi i Bashiqit drejtuar sulmuesve në gjuhën e shpëtimtarëve të tyre amerikanë, me theks të cilin e kishte marrë në Universitetin e Berklit në Kaliforni. Të tretë u rrahën, u tërhoqën zvarrë të gjakosur për katërdhjetë metra, ndërsa Dragosllavit në gojë i futën petarda, të cilat edhe i shpërthenin në gojë. Nuk dihet nëse veçse ishte i vdekur kur u godit me dy plumba në gjoks. Vjehrra e rrahur, e cila nuk e kishte marrë plumbin në gjoks, mbijetoi për dy ditë. Edhe asaj i kanë futur petardë në gojë, prandaj nipi, i cili kishte ardhur nga Beogradi për ta parë, nuk ishte në gjendje ta njihte në shtratin e të vdekurit. “Si është e mundur që disa qindra, disa thonë madje edhe mijëra shqiptarë, në ditën e parë të flamurit të pritur në liri, në një linç grotesk ta vrasin një njeri e t’i rrahin deri në alivanosje dy gra?”. Kjo është një pyetje retorike e Veton Surroit, i cili nuk është i kënaqur me përgjigjen e shoqërisë shqiptare në Kosovë se arsye është – gjakmarrja.

Duket se nga 14 qershori 1999 deri më 31 dhjetor 1999 në Kosovë janë vrarë 1149 persona, që i bie se çdo ditë mesatarisht janë vrarë gjashtë persona (Batoni ndoshta do të thoshte gjashtë fqinj). Njëri zakonisht do të ishte rom, i dallueshëm nga ngjyra e lëkurës dhe mëhalla në të cilën jetonte, tjetri shqiptar, “bashkëpunëtor”, ose thjesht kundërshtar politik, ndërsa të tjerët do të ishin fshatarë serbë, plaka, amvise. Vetoni pohon edhe policë të pensionuar. Ai nuk mund të besojë se të gjitha këto vrasje janë bërë në “afekt”, as nuk e kupton pse në Kosovë do të kishte më shumë urrejtje sesa kudo në histori deri atëherë. Sepse “në Britaninë e Madhe (në vitet 1919, 1920 ose 1945 dhe 1946 ose çfarëdo viti tjetër) nuk vriteshin kalimtarët gjermanë, pjesëtarët e popullit që kishte vrarë me qindra e qindra mijëra qytetarë britanikë. As në Poloni, në cilindo vit pas fitores, pas fitores së “Solidaritetit” nuk vriteshin kalimtarët të cilët flisnin rusisht, gjuhën e pushtuesit të këtij vendi. As në Sarajevë, në vitin 1995, një muaj ose sado muaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit dhe vendosjes së paqes, nuk është vrarë asnjë qytetar, kalimtar i rastit, i identifikuar si serb, pjesëtar i popullit i cili mbante në shtetrrethim këtë qytet për tri vite të plota, me këtë rast duke vrarë, me artileri ose snajperë, civilët sarajevas”.

Më fjalë të tjera, Vetoni pohon se Dragosllav Bashiq u vra sepse “sjellja e këtillë e përditshme u bë normë kolektive. Mendoj për vrasjen e pjesëtarëve të komuniteteve pakicë ose kundërshtarëve politikë – këto më nuk ishin akte individuale, por një model i sjelljes i cili përsëritet, që u bë normë kolektive, e pranuar nga një pjesë e shoqërisë”.

Në krahasim me fjalët e këtij dëshmitari të ngjarjeve në Kosovë pas bombardimeve, shprehja e Batonit “aktet e aty-këtushme të hakmarrjes ndaj fqinjëve” tingëllon si eufemizëm, apo jo? Posaçërisht kur shtohet se këto “aktet e aty-këtushme të hakmarrjes ndaj fqinjëve” mund të priteshin dhe se mund të kuptohen. Në çfarë lidhje qëndron ky lloj i pritjes dhe i mirëkuptimit të krimeve me kulturë të mosndëshkimit dhe tolerancës ndaj vrasjes së serbëve? Kolegu i Batonit, Vetoni, theks të veçantë vë në faktin se menjëherë pas ardhjes së UNMIK-ut, shefit të Misionit, Bernar Kushner, pala shqiptare, para të gjitha kërkesave, madje edhe para kërkesës për përcaktimin e saktë të numrit të viktimave shqiptare, i kishte bërë kërkesë për aftësimin e pompave të benzinës së Beopetrollit dhe se koncesioni për pompat e benzinës do të duhej t’i jepej një biznesmeni, i cili pastaj do të ndërtojë një hotel në të cilin do të mbaheshin mbledhjet e partisë së liderit të UÇK-së, dhe i cili së shpejti do të bëhej kandidat i saj për deputet.

Po aq sa gjakmarrja, me shqiptarët tradicionalisht lidhet edhe kodeksi shekullor për mossulmimin e fëmijëve dhe pleqve, as në kohën e konflikteve të armatosura. Çfarë ka ndodhur në Kosovë pas largimit të ushtrisë dhe policisë, si ka rënë edhe tabuja e fundit morale, sa që vrasja e plakave serbe gati u bë përditshmëri? Disa muaj pas ardhjes së NATO-s në Kosovë, të cilën shqiptarët e mbajnë mend si “çlirim” e serbët si ndjekje dhe përndjekje masive, në kryeqytetin e Kosovës, Ljubica Vujoviq, shtatëdhjetë e tetë vjeçare, u gjet e mbytur në vaskën e banesës së saj, derisa Zorka Zhizhiq, shtatëdhjetë e katër vjeçare, u gjet me fyt të prerë. Vetoni po thotë: në Kosovë është krijuar norma e pranueshmërisë kolektive të krimeve. Të huajt, siç është Pedi Eshdaun lanin duart dhe pohonin se Hashim Thaçi kishte mundësi t’i parandalonte krimet vetëm po të dëshironte, ndërsa Veton Surroi mendon se dëbimi masiv ndodhi mu për shkak se “dikush” kishte marrë vendim që nga Kosova duhet dëbuar serbët. Ndërsa pushtetin në Kosovë në atë kohë, si tash, e mbante Hashim Thaçi.

Në fund, ja çfarë thotë për vrasjen e të pafajshmëve në Kosovë nën “administrimin e përkohshëm” të Hashim Thaçit, Klint Uiliamson, prokurori amerikan dhe ambasador, i njohur për kosovarët si njeriu i cili ka shkruar aktakuzën e Hagës kundër Millosheviqit, gjë që padyshim e kualifikon si mik: “Pa marrë parasysh gjërat që kanë shpie në këtë konflikt, asgjë megjithatë nuk e arsyeton ndjekjen e qëllimtë të individëve të pafajshëm… Kjo paraqet sulm të ashpër ndaj një pjese të rëndësishme të popullatës civile, i drejtuar kundër të gjithë serbëve që dëshironin të mbeteshin në Kosovë, prej të cilëve të shumtë kanë qenë të vjetër dhe të molisur… si dhe kundër romëve dhe pakicave të tjera etnike, e i drejtuar kundër atyre shqiptarëve të Kosovës që kundërshtonin që një grup i vogël brenda UÇK-së të marrë monopolin mbi pushtetin. Në fund, kjo ka ndodhur vetëm për të mirën e individëve të caktuar në kryesinë e UÇK-së, të cilët përdornin elementet e kësaj organizate për të kryer dhunë e me qëllim të fitimit të fuqisë politike dhe pasurisë personale, e jo për ndonjë arsye tjetër më të gjerë. Prandaj, ata si individë duhet të marrin përgjegjësinë për keqbërjet e tyre”.

Nga konteksti ndoshta është e qartë se citimi buron nga pledojaea për krijimin e Gjykatës Speciale për Kosovë, që ishte epilog i hulumtimit të tij trevjeçar lidhur me pohimet e raportit të senatorit Dik Marti. Është e kuptueshme të paragjykohet se me “individë në kryesinë e UÇK-së” e ka pasur fjalën edhe për komandantët me nofkat “Smajli” dhe “Gjarpri”, siç është e arsyeshme të paragjykohet se nofkat i kanë fituar edhe para bombardimeve të NATO-s dhe se nuk ishin bërë spastrues etnikë lakmitarë vetëm pasi me ndihmën e bombarduesve të NATO-s i kishin dëbuar serbët.

Por, pse po flas për këtë me Batonin kur në shtëpinë e të varurit nuk flitet për varje? Jo pse apriori e refuzoj mbisundimin moral me të cilin ai gjoja vishet në bisedë me mua. Natyrisht se e refuzoj, por jam e befasuar për keq me diçka tjetër – me orvatjen e tij eksplicite që mua, bashkë me miliona serbë, të na shpall përgjegjës kolektivë për krimet serbe të luftës në Kosovë. Madje, për krimet të cilat as nuk i mohoj, as nuk i nënçmoj. As nuk i ledhatoj.

Të menduarit e këtillë të Batonit është disa vjet drite pas çdo kuptimi modern të drejtësisë dhe mendoj se bashkëbiseduesi im e di këtë po aq mirë sa unë. Ka juristë të cilët mendojnë se vendosja e përgjegjësisë individuale penale për krimet më të rënda sipas të drejtës ndërkombëtare paraqet një nga arritjet më të mëdha të shekullit të njëzetë. Nuk jam e sigurt për renditjen, por le te mbetet me të tyren. Por, për këtë nuk mund të ketë kurrfarë dyshimi se kush në shekullin e njëzet ka promovuar fajësinë kolektive dhe ka bërë ndëshkime kolektive për krime. Batoni sigurisht e di se gjermanët në Serbi kanë pushkatuar njëqind serbë për një gjerman, që me ndëshkime kolektive të shtynin popullatën ta ndërpriste mbështetjen për antifashistët. Edhe në gullagët e Stalinit ndëshkoheshin kolektivisht për gabime individuale.

Ndoshta Batoni është shprehur gabimisht? Nganjëherë e kam të vështirë ta përcjell rrjedhën e tij të të menduarit pasi një kohë më drejtohet si Liljanë, e pastaj për mua flet në veten e tretë, si zonja Smajlloviq, të cilës nuk mund t’i drejtohet pa sarkazëm dhe sulme ad hominem. Gjithsesi, me dëshirë do t’i lejoja të tërheq pohimin për përgjegjësinë kolektive, nëse dhe kur të mendohet më mirë.

Por, pa masë më mundon ky ndërrim qasjesh i shpejtë si rrufeja nga Batoni, nga një mendimtar evropian në engjëllin e hakmarrjes kolektive. Prej nga buron kjo lidhje e madhe me krahun luftarak të politikës kosovare? Duket se kam gabuar kur kam menduar se ish redaktori i Kohës Ditore nuk mund të jetë i lumtur sepse komandantët gjakatarë të UÇK-së ende kanë fuqi kaq të madhe mbi imagjinatën politike të kombit të tij. Gjë që edhe sot, gati dy dekada pas sulmeve të para terroriste të UÇK-së kundër serbëve dhe shtetit jugosllav në Kosovë, në mesin e shqiptarëve në Kosovë është ende i paimagjinueshëm demistifikimi i UÇK-së, që i bie edhe normalizimi i jetës politike. Pjesë në këtë normalizim ndoshta do të bënte edhe një lloj bisede brendashqiptare, çfarë inicion “Ambasadori” i Vetonit.

Në Serbi ky lloj i bisedës zhvillohej gati pa pengesë gjatë gjithë kohës së pushtetit të Sllobodan Millosheviqit, ndërsa kjo kohë ka kaluar qëmoti.

E di se disa kolegë në Serbi do të më thonë: “Hej, mos u shtir, e di shumë mirë se Baton Haxhiu është dënuar nga Gjykata e Hagës sepse ka zbuluar identitetin e dëshmitarit të mbrojtur, i cili është dashur të dëshmonte kundër Ramush Haradinajt, komandantit të UÇK-së për të cilin Karla del Ponte thotë se i është shmangur drejtësisë së Hagës vetëm pse ata që dëshironin të dëshmonin kundër tij zhdukeshin në mënyrë të mistershme, hiqnin dorë ose në rrethana të dyshimta vetëvriteshin”. A nuk ishte shpallja e emrit dhe adresës së njërit nga lista e dëshmitarëve të mbrojtur kundër Haradinajt një mesazh i qartë dhe i zëshëm për të tjerët se çfarë mund t’iu ndodhë? A nuk shpie kjo në një lloj bashkëkryerje në atë se çfarë ka ngjarë më vonë me dëshmitarët kundër Haradinajt?

Batoni vet më rikujtoi se ka kaluar një kohë në qelinë e Tribunalit të Hagës në Sheveningen: ai gjithsesi e din, ose do të duhej të dinte, dallimin ndërmjet aktit të vetëmbrojtjes dhe krimit ndaj civilëve dhe të burgosurve të luftës. E madje edhe nëse nuk e din, e din se mosdija nuk nënkupton lirim nga përgjegjësia penale, e as morale.

Kam raportuar nga Haga dhe e di se kjo Gjykatë nuk është e pagabueshme. Megjithatë, njëkohësisht kjo është edhe Gjykata në të cilën shumë të tjerë, si Batoni, bashkëqytetarët dhe fqinjët e tyre të deridjeshëm i quanin agresorë (Batoni për serbët përdor fjalën “pushtuesit”, për dallim nga shqiptarët, të cilët i sheh si “viktima”, e me këtë edhe komandantët me nofka kafshësh janë vetëm viktima me akte të shumta të aty-këtushme të hakmarrjes nën bel). Natyrisht, Batoni nuk e ka menduar këtë i pari: para tij këtë e kanë patentuar edhe myslimanët dhe kroatët e Bosnjës, të cilët fqinjët e tyre serbë, të cilët me shekuj kanë jetuar në ato territore, i kanë shpallur agresorë. Kështu edhe vetë jam bërë gjoja agresore në Sarajevën amë, edhe pse lufta me gjeti në Bruksel në vendin e korrespodentit për politikë të jashtme për “Oslobođenje” të Sarajevës. Për këtë fqinji nga rruga e quajtur “Albanska”, në atë kohë – po ai i cili pasi granata serbe i kishte dëmtuar banesën, kishte hyrë në banesën, me çelësat që kishte pranuar nga të afërmit e mi dhe përmes miqve të mi – pas luftës nuk dëshironte të m’i kthente as çelësat e as banesën. Në momentin kur hynte, ishim fqinj të mirë. Kur duhej të më kthente pronën, u bëra agresore. Mendoj se ky i pafati nuk ishte fajtor, vetëm frikohej nga reagimi i pushtetit të ri boshnjak në Sarajevë, prandaj kishte vendosur që çelësat e mi t’ia kthente pushtetit, i cili pastaj përsëri vendosi të presë derisa administratorët ndërkombëtarë ta urdhëronin kthimin e pronës së paraluftës “agresorëve”.

Megjithatë, kjo edhe ndodhi në fund. Por, në lëkurën time kam mësuar se sa lehtë njeriu bëhet “pushtues” kur kjo dikujt i nevojitet për qëllime të luftës dhe pushtetit.

Kjo shpallja e fqinjëve për pushtues është streha e fundit e secesionistëve. Ata të cilët nuk mund të durojnë që pakicës serbe t’i kthehen të drejtat themelore zakonisht, ngjashëm si Batoni, ankohen se si Perëndimi serbëve iu ka garantuar të drejta joproporcionalisht tepër të mëdha.

Por, në anën e kujt ishte Perëndimi – të shqiptarëve apo serbëve? A është përzier Perëndimi në luftën civile në anën e serbëve, ose në anën e myslimanëve, kroatëve dhe shqiptarëve? Ndërsa për këtë lexoj se si Shpigeli gjerman tani pohon se Kosova ishte “mëkati ndërkombëtar juridik i Evropës së pasluftës”, vendi me të cilin tani Perëndimi më nuk e di se çfarë të bëjë, edhe pse sipas llogarisë së kësaj javoreje, vetëm deri në vitin 2008 Kosova i ka kushtuar bashkësisë botërore 33 miliardë euro.

Nuk e kisha fshehur e as po ta kisha mundur, por Batoni gjithsesi e ka ditur edhe kur e kemi filluar këtë dialog, që i takoj atyre personave nga territori i ish Jugosllavisë të cilët e konsiderojnë agresor mu NATO-n, dhe atë në kontekst të cilin këtij emri i jep e drejta ndërkombëtare. E kuptoj se për Batonin dhe gati të gjithë shqiptarët e Kosovës NATO-ja ishte shpëtimtare dhe nuk e nënçmoj konceptimin e as pikëvështrimin e Batonit, e as rrezikun i cili i kanosej gjatë kohës së bombardimeve. Këto megjithatë nuk i shoh si pengesa të pakapërcyeshme në bisedimet tona. Mendoj për bisedën time dhe të Batonin, gjithsesi, por këtë nuk e shoh as si pengesë të pakapërcyeshme në bisedimet e Serbisë dhe NATO-s, ose të Beogradit, Uashingtonit dhe Brukselit.

Por, pasi veçse po flasim për agresorët dhe pushtuesit, do të më interesonte me çka e arsyeton Batoni dhunën ndaj shqiptarëve të vrarë vetëm pse ishin “kolaboracionist të pushtuesit serb”? A i prek edhe ata përgjegjësia kolektive e pakicës serbe, apo janë vetëm mall shpenzues? Janë këto kategori të rrejshme. Nëse Ljubica e ngulfatur, Zorka me fyt të prerë dhe Dragolubi me gojë plot petardë janë agresorë, atëherë është më lehtë të arsyetohet dhuna groteske ndaj tyre.

Nuk besoj se Batoni do të donte t’i ndiqte mendimet e tij deri te përfundimet e tilla logjike. Në krahasim me fajësinë kolektive, doktrina e përgjegjësisë individuale penale megjithatë paraqet hap përpara për civilizimin.

Propozoj që edhe në vazhdim të dialogut megjithatë t’i përmbahemi disa standardeve faktike, sado t’i kemi pikëqëndrimet e largëta. Madje edhe vet burimet me renome nga Perëndimi pohojnë se “Patkoi” është trillim. Nuk e di mbi çka bazohet numri prej 20.000 dhunimesh, por kjo tingëllon si një propagandë e freskët, rishtazi e zbuluar. Nuk e kuptoj mistifikimin e rolit të Jovica Stanishiqit, i cili nuk kishte kurrfarë fuqie të veçantë: ishte vetëm kasnec i Millosheviqit dhe e gjithë fuqia iu zhduk në atë moment kur Millosheviqi ia mori të drejtën e bartjes së mesazheve. Por, do të kisha dëshiruar të dëgjoja pak më shumë për qytetin e Lilit dhe mareshalin francez. Për cilin shtetrrethim të Lilit është fjala saktësisht? Mos i ka përzier paksa paralelet historike? Për mua, mareshali francez të cilin e përmend është i njohur vetëm si njëri i cili Marrëveshjen e Versajës e konsideronte si tepër të lehtë ndaj gjermanëve, ndërsa u bë i famshëm me parashikimin e saktë se ky do të ishte vetëm një armëpushim i cili do të zgjaste njëzet vjet. Kur është fjala për ultimatumet historike, serbët janë njësia matëse: shantazhi Austro-Hungarez, të cilin e kanë refuzuar në vitin 1914, ka mbetur si vërejtje se nuk bën gjithnjë t’i suleni më të vegjëlve dhe më të dobëtëve sesa vetja. Këto ditë, Karl Bilt i ka krahasuar kushtet ndaj Katarit me shantazhin e serbëve në vitin 1914. Analogjitë e gabueshme historike shpijnë në mësime të gabuara historike. Disi me duket e brishtë kjo paralele me gjermanët – nëse nisemi nga doktrina e Batonit për përgjegjësi kolektive, atëherë serbëve historikisht më parë do t’iu takonte roli kolektiv i luftëtarëve trima kundër pushtuesve gjermanë, apo jo? Janë të rrezikshme këto doktrina për përgjegjësi kolektive, këpuca përnjëherë mund të paraqitet në këmbën tjetër.

Ndërsa, kur është fjala për sulmet personale të Batonit ndaj meje, do t’i duhet të mundohet paksa. Në kohën e Millosheviqit kam punuar për mediat e opozitës. Nga 5 tetori, dy herë “në prezencën e pushtetit” jam shkarkuar nga pozita e kryeredaktores së “Politikës” dhe larguar nga puna në atë gazetë: me politikë të pavarur redaktuese njëjtë kam kaluar edhe me Boris Tadiqin edhe me Aleksandër Vuçiqin.

Por, si qëndrojnë gjërat me bashkëbiseduesin tim shqiptar? Nuk besoj t’i ketë hyrë në hak Ramush Haradinajt ose kujtdo tjetër nga UÇK-ja kur ka shpallur emrin dhe vendndodhjen e dëshmitarit të mbrojtur kundër Haradinajt. Më parë do të mund të thuhej se ka ndihmuar në përzënien dhe frikësimin e dëshmitarëve të mbetur, edhe pse ma merr mendja se Batoni do të thotë se vetëm ka bërë punën e tij. Për më tej, pse në moment kur preki komandantët me nofka zoologjike, në portalin Kossev marr përgjigjen e publicistit të UÇK-së, në vend të gazetarit të dikurshëm të pavarur të Kohës Ditore?

Ndoshta Batoni më vonë do të mund të më përgjigjet se çka ka ndodhur me dëshmitarin e mbrojtur, të cilit me vepër i ka treguar se Haga nuk mund të mbrojë asgjë lidhur me të? A ka dëshmuar, a e ka akuzuar komandantin e UÇK-së në Hagë? Ose është zhdukur diku? Sinqerisht pyes, për rastin di vetëm atë se çfarë kam lexuar në web-faqen e Gjykatës së Hagës, nga e cila në një kohë kam raportuar; duke mos u lodhur fare në ato momente se si do t’i pëlqente ky raportim Prokurorisë së Hagës ose pushtetit serb. Në shkresat e Gjykatës nga viti 2008 nuk ishte i shënuar as emri i dëshmitarit, e as çfarë i kishte ndodhur. Ndoshta Batoni mund të na tregojë. Me siguri është brengosur.

Edhe e kam një propozim të vogël, të mundohemi në të ardhmen t’i përmbahemi rregullit për më së shumti një mijë fjalë për letër?

 

 

(Nga gjuha serbe tekstin e përktheu Bruno Neziraj)

 

 

*  *  *

 

Platforma KoSSev ka nisur rubrikën e re “Bisedë pa shkas”, me përkrahje nga Ambasada Amerikane, në kuadër të faqes së re “Dialogu”.

Në “Bisedë pa shkas” kolumne javore gjatë muajve të ardhshëm do të publikojnë Liljana Smajlovic, kryeredaktorja e deritashme e gazetës Politika nga Beogradi, dhe Baton Haxhiu, drejtor i Klan Kosovës.

Këto kolumne do të publikohen edhe në gjuhën shqipe, në portalin e Klan Kosovës.

 

Versioni i kësaj kolumne në gjuhën serbe mund të lexohet KETU.

Kolumnja 5 nga Baton Haxhiu: “Historia ime për Liljanën” në shqip dhe serbisht.

Kolumnja 4 nga Liljana Smajlovic: “Historia dhe kujtimi, Sllobodani ose Ramushi” në shqip dhe serbisht.

Kolumnja 4 nga Baton Haxhiu: “Jeta jonë në dëshirat e politikanëve” në shqip  dhe serbisht.

Kolumnja 3 nga Liljana Smajlovic:  “Me pyetje ndaj përgjigjeve” në shqip  dhe  serbisht.

Kolumnja 3 nga Baton Haxhiu: “Melania” në shqip  dhe  serbisht. 

Kolumnja 2 nga Liljana Smajlovic: “Kur serbët ngazëllohen e shqiptarët vajtojnë”, në shqip dhe serbisht.

Kolumnja 2 nga Baton Haxhiu: “Katarsis”, në shqip  dhe serbisht.

Kolumnja 1 nga Liljana Smajlovic: “Kur them ‘Politika’, mendoj Serbia”, në shqip  dhe serbisht.

Kolumnja 1 nga Baton Haxhiu: “Ndryshimi i komunikimit për ridefinim konstruktiv të realitetit”, në shqip  dhe serbisht.

 

 

 

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme