KEK në regjim të jashtëzakonshëm: 3 njësi të Kosova A në operim për 1 muaj – angazhim i madh i 4 mijë punëtorëve NULL NULL 04.02.2026 12:30 04.02.2026 12:30 Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka operuar në një regjim të jashtëzakonshëm prodhimi, duke mbajtur 3 blloqe të TC Kosova A njëkohësisht në operim për mbi 1 muaj dhe në total 5 njësi gjeneruese, raporton Klankosova.tv. Kjo përpjekje kolosale, KEK thotë që nuk paraqet vetëm statistikë teknikë, por vjen edhe si rezultat i punës së pandërprerë të rreth 4,000 punonjësve të korporatës. Në njoftimin e fundit, KEK ka shpjeguar për prodhimin e jashtëzakonshëm gjatë kësaj periudhe, nivel ky që tregon ngarkesën teknike dhe njerëzore për termocentralin më të vjetër në vend. “Që nga 19 dhjetori, Korporata Energjetike e Kosovës ka operuar në një regjim të jashtëzakonshëm prodhimi, duke mbajtur 3 blloqe të TC Kosova A paralelisht në operim për plot 31 ditë, si vijon: * Dhjetor: 9 ditë * Janar: 01–07 janar → 7 ditë * 15–16 janar → 2 ditë * 21–31 janar → 11 ditë * Shkurt: 2 ditë Totali: 31 ditë operim me 3 njësi të Kosovës A në punë njëkohësisht. Sipas korporatës, standardi i pasluftës ka qenë operimi me 4 njësi gjeneruese, 2 njësi nga Kosova A dhe 2 njësi nga Kosova B. Ndërsa një njësi ka shërbyer gjithmonë si rezervë e nxehtë, për siguri të sistemit dhe reagim emergjent, thuhet në njoftim. Pikërisht gjendja emergjente, e ka detyruar KEK-un që për shkak të rritjes së konsumit dhe nevojës për siguri energjetike, të operojë me 5 njësi – mbi standardin normal, transmeton Klankosova.tv. “Nga 19 dhjetori KEK ka kaluar në operim të jashtëzakonshëm duke arritur me sukses të operoje me 5 njësi gjeneruese për 30 ditë në punë njëkohësisht, duke përfshirë: 3 njësi nga Kosova A. 2 njësi nga Kosova B. Tutje, KEK, ka bërë të ditur po ashtu se bazuar në planifikimet aktuale, njësia A5 pritet të rikthehet në operim brenda disa ditëve, duke iu bashkuar 4 njësive aktuale gjeneruese. Kjo do të mundësojë vazhdimin e operimit të jashtëzakonshëm me 5 njësi aktive, në funksion të stabilitetit të furnizimit me energji elektrike në vend.” Për gjithë angazhimin e jashtëzakonshëm, KEK ka vlerësuar kontributin e mijëra punëtorëve, që punojnë në kushte të ngarkesës maksimale, mbajnë në operim kapacitete të vjetra por jetike për vendin dhe sigurojnë stabilitet energjetik në periudha kritike. /Klankosova.tv