”Jam i sigurt se do të më kërkojë”, thotë babai për djalin e zhdukur pas tërmetit në Venezuelë NULL NULL 29.06.2026 13:52 29.06.2026 13:52 Jashtë spitalit Jose Maria Vargas në La Guaira mbizotëron një atmosferë dëshpërimi. Dhjetëra njerëz janë mbledhur pranë hyrjes, duke kërkuar familjarët e tyre të zhdukur pas tërmetit të dyfishtë të së mërkurës. Për të ndihmuar, autoritetet shëndetësore kanë publikuar një listë të pacientëve të shtruar në spital. Fytyra të shqetësuara lexojnë emrat në heshtje, të kapura mes frikës dhe shpresës. Disa metra më larg, Ali Rodríguez, 50 vjeç, shofer moto-taksi, tregon se ka qëndruar për tetë orë i bllokuar nën rrënojat e një supermarketi para se të shpëtohej. “Kur filloi dridhja, u përpoqa të vrapoja me bashkëshorten time, por na tërhoqi sërish brenda. Përfunduam të varrosur bashkë, gjoks më gjoks, me një copë llamarine të futur mes nesh. Pranë meje ishte një fëmijë… ai vdiq. Një djalë tetëvjeçar,” thotë ai me zë që i dridhet, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv. “Na shpëtuan grabitësit [që kishin hyrë në supermarketin ku ishim bllokuar] — ishin ata që na dhanë një shans të dytë,” shton ai, duke kritikuar reagimin e ngadaltë të autoriteteve. Djali i tij 10-vjeçar kishte qëndruar në shtëpi ndërsa ata kishin dalë për të bërë blerje. Ai nuk ka asnjë lajm për të dhe refuzon të largohet nga spitali, duke shpresuar se djali do të sillet aty. Gruaja e tij është transferuar në një spital në Caracas, por ai thotë se do të qëndrojë aty derisa të gjendet djali i tij. “Mendoj se ai është gjallë, por kam frikë se mendon se ne kemi vdekur […] Jam i sigurt se duhet të jetë duke më kërkuar”.