“I hodhi vetes benzinë”, i mituri që sulmoi qytetarët në Ferizaj, u arrestua bashkë me nënën NULL NULL 10.07.2026 14:00 10.07.2026 14:00 Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja për rastin e tentim-vrasjes që ndodhi mëngjesin e së premtes në Ferizaj, ku një 16-vjeçar dyshohet se sulmoi qytetarë dhe më pas plagosi edhe një zyrtar policor. Sipas Policisë, rreth orës 07:50 është pranuar një informacion se një person po sulmonte qytetarët me thikë në sheshin e qytetit. Në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë konstatuar se një person kishte pësuar lëndime nga mjeti i mprehtë, ndërsa një qytetar tjetër ishte lënduar gjatë tentimit për t’u larguar nga i dyshuari. Pas ngjarjes, i dyshuari ishte larguar, ndërsa hetuesit rajonalë, të mbështetur nga njësitë tjera policore, nisën kërkimin për lokalizimin e tij. Ai u gjet fillimisht në banesën e tij dhe më pas në një adresë në fshatin Greme. Policia bën të ditur se, gjatë tentimit për arrestim, 16-vjeçari refuzoi t’u bindet urdhrave, sulmoi zyrtarët policorë me gurë dhe mjete të forta, si dhe u vërsul ndaj tyre me thikë. “Me të arritur në vendngjarje, i dyshuari ka refuzuar t’u bindet urdhrave policorë, duke mbajtur një thikë në dorë, ka sulmuar zyrtarët policorë me gurë dhe mjete të forta, si dhe është vërsulur ndaj tyre me thikë. Gjatë ndërhyrjes, nëna e tij ka penguar zyrtarët policorë në kryerjen e detyrës zyrtare. “Në një moment, i dyshuari ka marrë një shishe me benzinë dhe ia ka hedhur vetes mbi trup, duke vazhduar t’i kërcënojë policët me thikë dhe duke mos lejuar afrimin e tyre. Gjatë përpjekjeve për vënien e tij nën kontroll, tre zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime, ndërsa njëri prej tyre është goditur me thikë në pjesën e qafës”, thuhet në komunikatë. Pas ndërhyrjes policore, i dyshuari me inicialet P.GJ (16 vjeç) është vënë nën kontroll dhe është arrestuar së bashku me nënën e tij D.GJ (47 vjeçe). Gjithashtu, Policia thotë se është sekuestruar edhe thika, e cila dyshohet se është përdorur në sulmin ndaj qytetarëve. “Me vendim të prokurorit të shtetit i dyshuari është ndaluar për 24 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar”, thuhet në komunikatë./Klankosova.tv Sulmoi me thikë dy persona, ndalohet i mituri për tentim vrasjeje në Ferizaj