Hasani: Pa nënkryetarin serb, Kuvendi s’është i konstituuar NULL NULL 30.08.2025 22:40 30.08.2025 22:40 Kuvendi i Kosovës, mbeti pa nënkryetarin që vjen nga komuniteti serb. Pavarësisht kësaj, kryekuvendari Dimal Basha, i mbylli punimet e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Por, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani për Tëvë1, thotë se Kuvendi i Kosovës, nuk konstituohet pa zgjedhjen e e të gjithë nënkryetarëve. “Tërë procedura e ndjekur për zgjedhjen e nënkryetarëve është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, Rregulloren e Kuvendit dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Që nga ndërrimi rendit të ditës e deri te hedhja shortit dhe pamundësia e kandidimit të kandidatit serb nga shumica e deputetëve serb në Kuvendin e Kosovës. Nuk ka Kuvend të konstituuar pa zgjedhjen e kryetarit dhe të gjithë nënkryetarëve”, tha ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani. Se seanca konstituive ende nuk konsiderohet e mbyllur, e thonë edhe monitoruesit e punimve të Kuvendit. “Konstatimet (lexo: “shpikjet”) e fundit të Kryetarit nuk kanë asnjë vlerë juridike. I tërë ky non-sens politik tashmë mund të zgjidhet vetëm nga Gjykata – qoftë me konstatim të dështimit të konstituimit të Kuvendit brenda afatit 30-ditor, ose me shpallje të pavlefshme dhe përsëritje të procedurës së votimit për nënkryetarët e komuniteteve”, tha hulumtuesi në KDI, Eugen Cakolli. Por, nga LVV, thonë se pika e katërt e rendit të ditës, tashmë është konsumuar. Ndryshe, edhe PDK e LDK pas përfundimit të seancës, janë shprehur se Kuvendi i Kosovës, ende nuk është konstituuar.