Gjykatësi i Speciales refuzon lirimin me kusht të Salih Mustafës NULL NULL 24.11.2020 09:29 24.11.2020 09:29 Gjykatësi i Dhomave të Specializuara, i angazhuar në rastin e procedurës së ish-krerëve të Ushtrsë Çlirimtare të Kosovës, Nicolas Guillou, ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin me kusht të ish-eprorit të lartë të UÇK-së, Salih Mustafa. Kjo është bërë e ditur në një vendim të publikuar në faqen e Dhomave të Specializuara, njofton Klan Kosova. Ndër arsyet e refuzimit të kësaj kërkese, përmendet “pozicioni i Mustafës brenda aparatit të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, që i siguron atij qasje në informacione dhe burime që do lehtësojnë çdo përpjekje për të ikur; pengojnë procedurat përmes ndërhyrjes në viktima dhe dëshmitarë, ose të kryejë krime të mëtejshme”. Mustafa kohës së fundit, ka qenë zyrtar i lartë në Drejtorinë e Inteligjencës dhe Sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes. Ai u arrestua më 24 shtator në shtëpinë e tij që gjendet në periferi të Prishtinës, pasi i ishte konfirmuar aktakuza për dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë këtu veprat penale si: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.