Flutura Kusari kritikon KPM-në: Synon disiplinimin e mediave kritike ndaj pushtetit NULL NULL 10.06.2026 17:24 10.06.2026 17:24 Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka komentuar mbledhjen e së mërkurës të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM). KPM-në, Kusari e ka quajtur fillimisht “Komision i Varur Kundër Mediave”, teksa shtoi se është “thellësisht e shqetësuar me qasjen e këtij institucioni”. Përmes reagimit të saj të shprehur në Facebook, juristja e mediave tha se beson që “Komisioni ka për qëllim disiplinimin e mediave dhe moderatorëve që lejojnë dhe mundësojnë kritikë ndaj pushtetit të ushtruar nga Lëvizja Vetëvendosje, nën kërcënimin e marrjes së licencës dhe mbylljes së tyre”. Kusari tha se shqetësimet e saj “bazohen në analizën ligjore të vendimeve sanksionuese të lëshuara deri më tani prej se ka ardhur në pushtet kjo përbërje e Komisionit, monitorimin e mbledhjes së sotme dhe leximin e procesverbaleve të mbledhjeve të kaluara të shkruara nga OJQ-të”. Në vijim, shqetësimet e shprehura nga Flutura Kusari: “1. Sot, për herë të parë prej se unë e monitoroj punën e KPM-së, u diskutua për mbylljen e një emisioni informativ, përkatësisht të Debat Plus. Nuk u vendos mbyllja e tij, por u tha se, nëse përsëriten “shkeljet”, do të shqyrtohet mundësia e mbylljes së emisionit (parafrazim i deklaratës)”. “2. Gjatë diskutimit të rasteve, niveli i joprofesionalizmit, i cili sipas bindjes dhe vlerësimit tim është rezultat i ndikimit politik apo anshmërisë politike, ishte alarmues. Asnjëri nga anëtarët nuk pati guximin t’i përmendte faktet e rasteve apo emrat e politikanëve të përfshirë. Kurrë nuk kam marrë pjesë në ndonjë trup vendimmarrës ku shqyrtohen raste pa u prezantuar faktet dhe pa u përmendur emrat e personave të përfshirë. Ky është një nivel i lartë i joprofesionalizmit, mostransparencës dhe një sinjal i qartë se ky Komision nuk do të veprojë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme”. “3. Komisioni është duke bërë tejkalim të kompetencave të veta duke vendosur se çfarë përbën shpifje, çfarë është gjuhë vulgare dhe çfarë është ofendim. Kjo paraqet një keqkuptim të qëllimshëm të rolit të tij, deri në atë masë sa sot anëtarët e Komisionit po luajnë rolin e gjyqtarëve”. “4. Komisioni sot foli në detaje për mënyrën se si moderatorët duhet të sillen, çfarë duhet të flasin, çfarë duhet të thonë dhe çfarë nuk duhet të thonë. Kjo nuk ndodh as në vendet më jodemokratike. KPM nuk mund të sillet si institut trajnues”. Juristja e mediave e këshilloi KPM-në “të lexojë dhe të kuptojë” jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në fushën e “reporting words of others”. “Nëse nuk e dinë për çfarë e kam fjalën, atëherë kjo tregon shumë për ta”, tha Kusari. Megjithatë, ajo tha se “unë jam aq e mirë sa ua shpjegoj”. “Nëse një politikan i thotë një politikani tjetër ‘je hajneshë’ në një debat apo intervistë live, media ka vetëm një obligim: t’i ofrojë hapësirë personit të apostrofuar për demant. Këtu përfundon obligimi i medias dhe kompetenca e KPM-së. Pjesa tjetër i takon gjykatës, dhe vetëm gjykatës. Anëtarët e KPM-së nuk janë dhe nuk duhet ta marrin rolin e gjykatës”. “Unë kam besim të plotë në sistemin gjyqësor dhe besoj se të gjitha këto vendime politike të KPM-së do të rrëzohen një nga një nga gjykatat, sepse janë arbitrare, joproporcionale dhe në kundërshtim me të drejtën e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias”, u shpreh Kusari. Për më tepër, ajo tha se “për aq kohë sa do të vazhdojë kjo qasje, unë do ta monitoroj KPM-në me llupë, qoftë duke marrë pjesë në mbledhje, duke lexuar vendimet apo duke analizuar procesverbalet dhe transkriptet e saj”. Në fund, ajo luti mediat që t’i monitorojnë mbledhjet e KPM-së. “Kjo qasje duhet të dokumentohet”, përfundoi juristja e medias, Flutura Kusari. /Klankosova.tv