Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Fisnik Asllani, alternativa e Barcelonës nëse dështon Julian Álvarez

NULL NULL
28.07.2026 23:17

Merkatoja verore po hyn në fazën vendimtare dhe lëvizjet e klubeve më të mëdha evropiane po ndikojnë drejtpërdrejt te njëra-tjetra.

Çdo transferim i realizuar apo i dështuar mund të ndryshojë planet e disa skuadrave njëkohësisht, duke krijuar një “efekt domino” që përfshin disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit evropian.

Sipas një analize të publikuar nga Goal.com, Barcelona është një nga klubet që mund të ndikohet më së shumti nga kjo situatë, ndërsa në listën e alternativave të saj figuron edhe sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani.

Shtatë klube gjenden në qendër të kësaj beteje të merkatos: Real Madrid, Barcelona, Atlético Madrid, RB Leipzig, Manchester United, Arsenal dhe Paris Saint-Germain. Në anën tjetër, gara për transferimet përfshin emra si Vinícius Júnior, Julián Álvarez, Rodri, Yan Diomande, Fisnik Asllani, Aurélien Tchouaméni, Bradley Barcola, Junior Kroupi dhe Ferran Torres.

Sipas analizës, Barcelona lidhet drejtpërdrejt vetëm me katër futbollistë nga kjo listë.

Objektivi kryesor mbetet Julián Álvarez. Trajneri Hansi Flick e sheh sulmuesin argjentinas si zëvendësuesin ideal të Robert Lewandowskit, por Atlético Madrid nuk ka ndërmend ta lejojë largimin e tij me lehtësi, transmeton Klankosova.tv.

Në rast se transferimi i Álvarezit dështon, Barcelona mund të kthejë vëmendjen te sulmuesi kosovar Fisnik Asllani, i cili është në pronësi të Hoffenheimit. Megjithatë, interesim për të ka shfaqur edhe RB Leipzig, gjë që pritet ta bëjë garën financiare shumë më të vështirë për klubin katalanas.

Një tjetër emër në listën e Barcelonës është Junior Kroupi. Sipas Goal.com, drejtuesit e klubit nuk janë plotësisht të bindur për transferimin e tij, ndonëse Hansi Flick e ka miratuar këtë opsion.

Kuartetin e plotëson Ferran Torres. Sulmuesi spanjoll ende nuk e ka rinovuar kontratën, edhe pse ka hyrë në vitin e fundit të saj, ndërsa e ardhmja e tij mund të varet nga fakti nëse Barcelona arrin apo jo ta transferojë Álvarezin.

Analiza thekson se shumica e klubeve të mëdha po kërkojnë përforcime më shumë për të rritur konkurrencën në skuadër sesa për nevoja emergjente.

Paris Saint-Germain, për shembull, nuk do të pësonte goditje të madhe nëse dështon transferimi i Yan Diomandes. Edhe nëse nuk arrin ta transferojë Ferran Torresin në fund të merkatos, trajneri Luis Enrique ka mjaftueshëm alternativa për të luftuar për titullin në Ligue 1 dhe Ligën e Kampionëve.

Edhe Real Madridi ndodhet në një situatë të ngjashme. Edhe pse Rodri do të ishte një përforcim i madh, madrilenët tashmë kanë në dispozicion Aurélien Tchouaménin dhe Eduardo Camavingan, të cilët mund të mbulojnë të njëjtin rol.

Një situatë e ngjashme vlen edhe për Arsenalin. Klubi londinez është në garë me Barcelonën për Julián Álvarezin, por në repartin ofensiv tashmë ka emra si Viktor Gyökeres, Kai Havertz dhe Gabriel Jesus.

Barcelona, sipas Goal.com, ndodhet në një pozitë krejtësisht tjetër. Klubi katalanas ka nevojë për një përforcim që do të bëjë menjëherë diferencën në formacion, nëse dëshiron të mbetet konkurrues në La Liga dhe të rikthehet në garën për trofeun e Ligës së Kampionëve. Për më tepër, gjendja financiare nuk i lejon Barcelonës të rivalizojë me ofertat e klubeve të Premier League.

Sipas raportimit, Julián Álvarez është i vetmi futbollist në listën e Barcelonës që do të siguronte menjëherë një vend në formacionin titullar. Ndërkohë, Fisnik Asllani dhe Junior Kroupi do të duhej ta fitonin gradualisht besimin e stafit teknik, pasi asnjëri prej tyre nuk ka krijuar ende përvojë të madhe në një klub elitar ose në nivel të lartë me kombëtaren.

Goal.com thekson gjithashtu se Real Madridi po ndikon indirekt në planet e Barcelonës. Sipas raportimeve, “Los Blancos” kanë paraqitur një ofertë prej 150 milionë eurosh për Julián Álvarezin.

Në analizë thuhet se presidenti Florentino Pérez ishte i vetëdijshëm se oferta do të refuzohej, por synimi i tij ishte ta shtynte Atlético Madridin të mos pranonte asnjë ofertë më të ulët se 150 milionë euro, përfshirë edhe atë të Barcelonës.

Në këtë mënyrë, marrëveshja për Álvarezin lidhet edhe me të ardhmen e Vinícius Júniorit. Nëse braziliani do të transferohej te Arsenali, klubi anglez do të hiqte dorë nga gara për Álvarezin, duke i lënë Barcelonës më shumë hapësirë për ta transferuar.

Megjithatë, Goal.com vlerëson se largimi i Vinícius Júniorit nga Real Madridi gjatë kësaj vere mbetet një skenar shumë i vështirë për t’u imagjinuar. Nëse ai qëndron në “Santiago Bernabéu”, Arsenali do të vazhdojë të jetë një rival i fortë i Barcelonës në garën financiare për Julián Álvarezin.

lajme të ngjashme