Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Motra e Adem Ademit rrëfen bisedën e fundit me të vëllain: Më kërkoi ilaçe për të plagosurit (VIDEO)

NULL NULL
28.07.2026 23:39

Një nga personat që dyshohet se mund të jetë në mesin e 23 viktimave të gjetura në një varr masiv në Zubin Potok është edhe Adem Ademi.

Motra e tij, Feride Idrizi, ka rrëfyer për “Edicionin Special” në Klan Kosova se lajmi për dyshimet mbi vendndodhjen e trupave u ka dhënë familjarëve një fije shprese për të zbuluar më në fund fatin e vëllait të saj, pas më shumë se dy dekadash pasigurie.

“Ky lajm në një farë forme na ka dhënë shpresë që diçka do të zbulohet në lidhje me grupin e vëllait tim, që janë 23 persona. Po presim tani për lajme edhe më të mira, që ta dimë përfundimisht tme fakte se a janë ata në atë vend”, ka thënë Idrizi.

Ajo ka theksuar se për rastin e tyre, sipas saj, dihej prej kohësh vendi, data dhe numri i personave që dyshohej se ishin ekzekutuar.

“Ky ka qenë rasti më i lehtë për Qeverinë tonë për t’u zbuluar më herët. Dihej dita, numri i njerëzve dhe vendi ku janë marrë”, u shpreh ajo.

Feride Idrizi ka treguar edhe për kontaktin e fundit me vëllain e saj, disa ditë para se ai të nisej në drejtim të Malit të Zi.

Ajo ka thënë se Ademi e kishte kërkuar ndihmën e saj për të siguruar barna për trajtimin e të plagosurve.

“Momenti i fundit që jam takuar me të ka qenë në Zhabar. Më kërkoi të shkoja në shtëpinë e tij për të marrë antibiotikë dhe gjëra të tjera për trajtimin e të plagosurve në Koshtovë”, ka rrëfyer ajo.

Sipas saj, Ademi nuk kishte pasur asnjëherë plan të largohej nga Kosova, pasi ishte i angazhuar për të ndihmuar të plagosurit dhe luftën për çlirimin e vendit.

“Kur dëgjova lajmin për të, nuk e besoja. Nuk besoja se kishte rënë në duart e serbëve, sepse ai asnjëherë nuk kishte menduar të ikte nga Kosova. Ai ishte duke dhënë kontribut për ushtrinë tonë dhe për të plagosurit”, ka thënë Idrizi./Klankosova.tv

lajme të ngjashme