Faton Berisha: Universiteti i Prishtinës është universiteti më i mirë shqipfolës (VIDEO) NULL NULL 15.02.2019 08:10 15.02.2019 08:10 Universiteti i Prishtinës është themeluar, si sot, 49 vjet më parë. Prorektori për kërkime shkencore në Universitetin e Prishtinës, Faton Berisha, ka thënë se sot jo vetëm Universiteti i Prishtinës ka festë. “Universiteti i Prishtinës ka festë sot. Sot janë bërë 49 vjet që nga dita kur Universiteti i Prishtinës është universitet autonom. UP-ja ka festë sot por edhe tërë Kosova”. “Unë mendoj dhe besoj që nuk jam i vetëm në mendimin që Universiteti i Prishtinës është ndër të arriturat më të mëdha kombëtare shqiptare sidomos të kësaj pjesës jashtë Shqipërisë”. Berisha si i ftuar në Sytë 7 në Klan Kosova ka treguar se cilat do të jenë aktivitetet që Universiteti i Prishtinës ka organizuar për shënimin e këtij përvjetori. “Universiteti i Prishtinës natyrisht që ka bërë përgatitje që ta shënojë këtë përvjetor. Sot në Prishtinë janë shumica e rektorëve të të gjitha Universiteteve Publike [nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia] dhe do të mbajnë një konferencë të rektorëve ku do të trajtohen çështje me interes”. “Pasdite në Amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare do të mbahet manifestimi qendror për shënimin e 49 vjetorit të themelimit të UP-së”. Ai ka thënë se ky përvjetor e gjen Universitetin e Prishtinës me një progres të vazhdueshëm. “Sipas të gjitha matjeve, Universiteti i Prishtinës është duke bërë përparim konstant dhe kjo natyrisht falë punës së palodhshme të një varg gjeneratave të punëtorëve akademikë, administrativë dhe natyrisht të popullit të Kosovës”. “Universiteti i Prishtinës, besoj në aspektin e cilësisë, është universiteti më i mirë shqipfolës. Është një ndër universitetet më të mira në rajon”. “Në janar të këtij viti kanë dalë rezultate të reja në Webometrics ku jemi radhitur në vendin e 1471-të që ishte më tepër se që kemi pritur pasi kemi kapërcyer Universitetin e Sarajevës, Nishit dhe Shkupit”. “Lajmet e tilla mua më gëzojnë jo vetëm si përfaqësues i Universitetit por edhe si qytetar i Kosovës”. Prorektori për kërkime shkencore në Universitetin e Prishtinës ka thënë se bashkëpunimi në mes universiteteve shqipfolëse nuk është në nivelin e duhur. “Ne kemi bashkëpunim me Universitetet Ndërkombëtare dhe ky bashkëpunim është duke u thelluar”. “Bashkëpunimi është më i lartë ndërmjet Universiteteve Ndërkombëtare dhe atyre shqipfolëse se sa bashkëpunimi i universiteteve shqipfolëse mes vete – besoj se kjo do të jetë një temë që do ta rrahin rektorët në konferencën e sotme”. “Si duket më tepër jemi të prirë drejt universiteteve perëndimore ndërsa më pak shikojmë afë. Mendoj që kjo është një çështje që duhet të adresohet seriozisht”. “Do të duhet në të ardhmen që së pari të bashkëpunojmë mes vete, më pas edhe me universitetet e tjera ndërkombëtare”. Berisha ka komentuar edhe vendimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim për mosakreditimin e disa programeve mësimore në Universitetin e Prishtinës. “Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka nxjerrë një vendim që disa programeve mësimore t’u tërhiqet akreditimi derisa disa programe të tjera të reja të mos vazhdojnë me procedurën e akredimit”. “Ne mbajtëm një mbledhje të Senatit dhe dolëm me një qëndrim që Agjencia e Kosovës për Akreditim t’i shqyrtojë ato vendime sepse ishin të padrejta dhe të pamatura mirë”. “Agjencioni për Akreditim ka rikthyer 3 nga 13 programet që u ka tërhequr akredimet por sipas të gjitha gjasave do ta shqyrtojnë vendimin edhe për 10 të tjera dhe mendoj që ky reflektim edhe nga AKA edhe UP-ja shkon në të mirë të arsimit të lartë”. Ai ka thënë se nuk është në dijen se ndonjëri nga Universitetet Publike do të mbyllet por ka kërkuar që në secilin nga këto Universitete Publike të punohet në ngritjen e cilësisë. “Universitetet Publike janë hapur, si janë hapur është një temë për diskutim, një moment kur të hapet një Universitet Publik – kur të fitohet një e drejtë – mbyllja e saj është proces më i vështirë”. “Do të kisha pasë dëshirë që procesi të shkojë drejt ngritjes së kualitetit”.