Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

A mundet Isufi ta bëjë me Malishevën, atë që s’e bëri me Ballkanin?

NULL NULL
30.09.2024 19:46
Bekim Isufi, trajner i Malishevës, gjatë stërvitjeve me skuadrën e tij

Udhëtimi te FC Suhareka dhe pritja si nikoqir ndaj skuadrës së Prishitnës, janë dy ballafaqimet e fundit të çerekut të parë kampional për Malishevën.

Deri tani, djemtë e udhëhequr nga trajneri gjilanas, Bekim Isufi, kanë siguruar më shumë pikë se çdo kundërshtar në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll, raporton Klankosova.tv.

Ndonëse edicionin e ri nuk e nisën më së miri, pasi skuadra e Ferizajit ia barazoi rezultatin në minutat e fundit, nga ai moment “Tornado” nisi t’u shkaktojë “dëme” oponentëve.

Fitorja 1-0 ndaj nënkampionëve të Llapit në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, u pasua menjëherë me një triumf tjetër ndaj një skuadre “big”. Malisheva “nënshtron” kampionin në fuqi, Ballkanin, duke e mposhtur me rezultat 3-2.

Malisheva 3-2 Ballkani

Në të dyja këto ballafaqime, të kaltërtit morën pikët e plota, anise që nga pjesa e parë ngelën me një lojtar më pak në fushë. Dhe kur shumë kush ka pritur se pas ndëshkimit me të kuq, “favoritët” do të fitonin lehtë, ndodhi e kundërta, transmeton Klankosova.tv.

E vështirë në letër ishte edhe transferta në Klinë, por as Dukagjini i Ismet Munishit nuk shpëtoi nga humbja, sikurse as Gjilani i Ardian Nuhiut. Të parët i mundi Malisheva 1-3, kurse këta të fundit 2-1.

3 pikë thuajse i kishte të sigurta ekipi i Bekim Isufit edhe në xhiron e fundit ndaj Feronikelit’74, por një gol në minutën e 100-të ia mohoi fitoren, kurse skuadrës nga Drenasi ia siguroi pikën e parë kampionale, sivjet.

Malisheva ka pësuar vetëm një humbje deri tani, atë ia shkaktoi Drita me rezultat 2-1, njofton Klankosova.tv.

Pavarësisht kësaj, renditjen tabelare të Superligës e kryeson me 14 pikë, pikërisht klubi që për herë të parë në histori të tyre, sivjet mori pjesë në kualifikimet e Ligës së Konferencës evropiane.

Nëse nuk do të pësonin në çastet e fundit nga Ferizaj dhe Nikli, do të mund t’i kishin plot 18 pikë, me një diferencë të theksuar me ndjekësit.

Impakti që ish-trajneri i Dritës e ka te Malisheva, më nuk është fshehtësi, pasi loja dhe rezultatet e tregojnë më së miri.

Bekim Isufi pasi nënshkroi për FC Ballkanin, 15 qershor 2021

Bekim Isufi ishte emëruar trajner i Ballkanit, pas shkarkimit që “Xhebrailat” ia bënë Bledi Shkëmbit, e ku objektiv ishte titulli kampion. Megjithatë suharekasit nuk e pritën gjatë, duke e shkarkuar pas vetëm gjashtë muajve.

Tani, ndonëse objektivi i ekipit aktual të trajnerit që me Dritën u shpall kampion në vitin 2018, nuk është i njejtë me ish-skuadrat e tij, gjasat që të ndodh një befasi në Superligë, nuk duken të vogla.

Bekim Isufi duke e festuar titullin kampion me Dritën, 20 Maj 2018

Duke u udhëhequr në fushë nga super talenti, Drilon Hazrollaj, Malisheva ka mësuar bukur ta flasë gjuhën e rezultateve dhe konfidencës, anise Isufi vazhdon të qëndrojë me këmbë në tokë, duke mos shfaqur (të paktën publikisht) ambicien për titullin e kampionit.

 

lajme të ngjashme