Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Gjocaj: Kurti e shkatërroi veriun, është shtet brenda shtetit (VIDEO)

NULL NULL
17.06.2026 07:36

Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës, Shpend Gjocaj, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar për, sipas tij, dështime në menaxhimin e situatës në veri të vendit dhe për thellimin e ndasive politike në shoqëri.

Në një deklaratë në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, Gjocaj tha se veriu vazhdon të funksionojë si “shtet brenda shtetit”, duke e lidhur këtë me zhvillimet pas Marrëveshjes së Ohrit.

Sipas tij njohja dhe liberalizimi i vizave për pasaportat serbe të lëshuara nga strukturat e Serbisë për qytetarët me vendbanim në Kosovë nuk do të ishte bërë pa marrëveshjet e arritura nga institucionet e Kosovës.

“E shkatërroi, e ka shkëputur veriun. Veriu është shtet brenda shtetit, mos harroni. Pas Marrëveshjes së Ohrit, Bashkimi Evropian i pranoi pasaportat serbe të lëshuara nga strukturat serbe, përkatësisht nga Ministria e Serbisë me zyra në Kosovë, për qytetarët me vendbanim në Kosovë, por të adresuar me adresa në Serbi. BE-ja i pranoi këto pasaporta dhe i liberalizoi vizat. Kurrë Bashkimi Evropian nuk do ta bënte këtë po të mos ishte një marrëveshje e realizuar nga kryeministri i Kosovës. Ai po e zbaton atë pikë për pikë”, tha ai në “Edicionin Special” në Klan Kosova.

Duke folur për klimën politike në vend, ai akuzoi Kurtin për nxitje të përçarjeve dhe gjuhës së urrejtjes.

“Që kur ka ardhur kjo klasë politike, përçarja është futur, siç e dini epitete të ndryshme, linçime, sharje e fyerje, i ka futur kjo klasë politike, konkretisht, Albin Kurti i ka futur thikat edhe në mes vëllezërve, unë njoh shumë familje ku vëllezërit sot janë të përçarë shkaku i politikës dhe i politikave të tij të ndyra e joshjeve të tij të pista”, deklaroi ai.

lajme të ngjashme