Japonia barazon në minutat e fundit ndaj Holandës NULL NULL 15.06.2026 00:01 15.06.2026 00:01 Kombëtarja e Holandës e ka nisur me barazim aventurën në Kupën e Botës 2026, pasi u ndal me rezultat 2-2 nga Japonia në ndeshjen e parë të Grupit F. Holandezët e nisën më mirë ndeshjen, duke krijuar raste të mira shënimi përmes Danyell Malen, por portieri japonez u tregua i pakalueshëm me disa pritje vendimtare. Rezultati u zhbllokua në minutën e 51-të, kur kapiteni Virgil van Dijk realizoi me kokë pas një asistimi të Ryan Gravenberch, duke i dhënë epërsinë “Tulipanëve”, transmeton Klankosova.tv. Megjithatë, Japonia reagoi shpejt dhe vetëm gjashtë minuta më vonë barazoi shifrat. Keito Nakamura provoi nga distanca dhe pas një devijimi të topit, arriti të mposhtë portierin holandez për rezultatin 1-1. Holanda riktheu avantazhin në minutën e 64-të falë një supergoli të Crysencio Summerville, i cili realizoi nga distanca për 2-1. Kur u mendua se evropianët po shkonin drejt fitores, Japonia nuk u dorëzua dhe vazhdoi të kërkonte golin e barazimit. Përpjekjet e saj u shpërblyen në minutën e 89-të, kur Daichi Kamada shënoi me kokë për rezultatin përfundimtar 2-2. Me këtë barazim, Holanda dhe Japonia e nisin Botërorin me nga një pikë në Grupin F, ku bëjnë pjesë edhe Suedia dhe Tunizia, të cilat do të zhvillojnë përballjen e tyre në vazhdim të garës.